Bombardimi nëntëditor i Gazës nga ana e Izraelit “e ka kthyer Hamasin me vite pas”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Ushtria izraelite dhe grupet militante palestineze në Gaza vazhduan të shkëmbejnë zjarr edhe gjatë ditës së sotme.
Përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund dhunës patën pak sukses.
Franca paraqiti një projekt-rezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në bashkërendim me Egjiptin dhe Jordaninë, duke bërë thirrje për armëpushim.
Hamasi, grupi palestinez që udhëheq Gazën, ka pësuar “goditje të papritura” dhe operacionet “do të vazhdojnë derisa të rivendoset qetësia për qytetarët izraelitë”, tha Netanyahu.
“Nuk kam asnjë dyshim se ne i kthyem ata për shumë vite prapa. Jam i sigurt se të gjithë armiqtë tanë e shohin çmimin që kemi për agresionin kundër nesh. Jam i sigurt se ata do ta mësojnë mësimin”, tha Netanyahu.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, së paku 215 palestinezë, përfshirë gati 100 gra dhe fëmijë, janë vrarë nga sulmet izraelite.
Në Izrael, 12 njerëz, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë nga sulmet e militantëve me raketa, kanë thënë zyrtarët atje.
Dhuna është përshkallëzuar qysh më 10 maj, pas disa ditësh trazira pranë kompleksit të Xhamisë Al-Aqsa në Jerusalemin Lindor.
Izraeli llogarit se në fillim të konfliktit, fraksionet militante palestineze kanë pasur një arsenal prej rreth 12,000 raketash ose mortajash në Gaza.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se deri të martën pasdite, militantët kanë hedhur rreth 3,300 raketa në Izrael, prej të cilave 450-500 kanë dështuar.
Në orët e para të së mërkurës, Izraeli kreu disa sulme ajrore – shumica e tyre në qytetin Kan Jonis.
Sipas disa njoftimeve, dy militantë palestinezë u vranë nga sulmet e Izraelit që goditën një apartament në qendër të qytetit të Gazës.
Agjencia humanitare e Kombeve të Bashkuara, Ocha, tha se 52,000 njerëz në Gaza janë zhvendosur – nga të cilët 47,000 janë larguar në shkollat e OKB-së.
Ngecja diplomatike
Në Nju Jork, takimi i fundit i Këshillit të Sigurimit të OKB-së përsëri nuk arriti të prodhojë ndonjë marrëveshje, se si të koordinohet përgjigjja ndaj dhunës.
Franca tha se projekt-rezoluta e saj u përpilua gjatë një video-konference me udhëheqësin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, dhe mbretin e Jordanisë, Abdullah II.
SHBA-ja i bllokoi përpjekjet e mëparshme për të lëshuar një deklaratë të përbashkët të Këshillit të Sigurimit, që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.
SHBA-ja, BE-ja dhe fuqitë e tjera bënë thirrje për t’i dhënë fund konfliktit. Egjipti kërkoi që të ndërmjetësojë midis Izraelit dhe Hamasit.
Megjithatë, Izraeli tha se do të vazhdojë ofensivën e tij tani për tani, në përpjekje për t’i shkatërruar kapacitetet e Hamasit dhe të grupit tjetër militant, Xhihadi Islamik.
Ambasadori palestinez në Kombet e Bashkuara, Riyad Mansour, e cilësoi si “të turpshëm” dështimin e Këshillit të Sigurimit për të shprehur një pozicion të unifikuar.
Çfarë e shkaktoi dhunën?
Luftimet midis Izraelit dhe Hamasit pasuan përleshjet e përshkallëzuara midis palestinezëve dhe policisë izraelite në një kompleks të shenjtë në Jerusalemin Lindor.
Lokacioni konsiderohet i shenjtë si nga myslimanët, ashtu edhe nga hebrenjtë.
Hamasi kërkoi që Izraeli ta hiqte policinë prej atje dhe prej qarkut kryesisht arab, Sheik Jarrah, ku familjet palestineze përballen me dëbim nga ardhësit hebrenj. Hamasi nisi me hedhjen e raketave kur ultimatumi i tij nuk u dëgjua.