Struktura e Posaçme për hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka marrë në dorëzim dosjen hetimore për vrasjen e bankierit Artan Santo.
Dosja që ka qenë në Prokurorinë Tiranës i ka kaluar SPAK, pasi është arritur në përfundimin se vrasja është kryer nga një grup i strukturuar kriminal.
Kujtojmë se bankieri i njohur, u ekzekutua 7 vite më parë, në qershorin e vitit 2014, ndërsa po hynte në selinë e bankës ku punonte.
Lidhur ngushtë me këtë ngjarje është lakuar edhe emri i Grida Dumës e cila ka pasur miqësi me Santon.
Ka foto në ambientet e UET, ku Santo ndodhet në krah të Grida Dumës së bashku me kolegë të tjerë të këtij universiteti që në atë kohë ishte në pronësi të Henri Çilit dhe shumë nga personazhet në tavolinë janë personazhe publike, politike dhe njerëz që shfaqën pranë Lulzim Bashës, në atë kohë të mbështetur dhe të sponsorizuar nga ish pronari i UET.
Menjëherë pasi ka ndodhur vrasja, është mësuar se Grida Duma ka tentuar të lidhet me kryeministrin Edi Rama dhe ka qenë më pas zëvendëskryeminsitri, Niko Peleshi i cili e ka shoqëruar në zyrën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Ky i fundit ia ka rikujtuar Dumës këtë fakt, në vitin 2018, në emisionin, Opinion”, ndërsa zonja Duma po fliste për të.
“Grida e di shumë mirë si punoj unë”. Ka qenë kjo deklarata e Tahirit, duke i rikujtuar kështu Dumës, me mesazh të koduar, çështjen e Santos.
Se përse ka shkuar Grida Duma në zyrën e Saimir Tahirit, ende nuk dihet, duhet ta thotë ajo këtë gjë.
Por tashmë që janë rihapur hetimet, a do ta thërrasë SPAK, Grida Dumën, për të sqaruar enigmat rreth kësaj ngjarjeje?
Janë shumë pikëpyetje, mbi të cilat duhet të hidhet dritë, pasi Duma, është personazh politik-publik që është paguar me taksat e qytetarëve. Ajo duhet të flasë në SPAK, dhe mos të lërë enigmë, fijet që e lidhnin atë me Artan Santon.