Me gjithë përpjekjet e zyrtarëve shtetërorë në Serbi për të fshehur çmimin e dronëve të blerë kinezë, ky informacion është nxjerrë në bazën e të dhënave për importet dhe eksportet, e cila çdo vit publikohet nga Byroja e Statistikave.
Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, duke inspektuar bazën e të dhënave për importet nga Kina në vitin 2020, ka arritur në informacionin se Serbia, atë vit, ka importuar dronë nga Kina në vlerë prej 19.3 milionë dollarësh.
Çmimi me të cilin Serbia i ka blerë dronët luftarakë-zbulues nga Kina, është mbajtur sekret që nga korriku i vitit 2020, kur dronët janë shfaqur për herë të parë në aeroportin ushtarak të Batajnicës, në Beograd.
Përgjigje në pyetjen se sa kanë kushtuar gjashtë dronët CH-92A, nuk ka dashur të japë as presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili ka qenë i pranishëm në prezantimin e dronëve.
“Kur prokurojmë mallra me një vend tjetër, sa i përket ushtrisë, [çmimi] mbahet sekret. Kjo është e zakonshme dhe nuk ka asnjë lidhje me Kinën, por këta [dronët] vërtet nuk janë shtrenjtë”, ka thënë Vuçiç.
Burimi për vlerën e dronëve të importuar nga Kina është Administrata Doganore e Serbisë, ka thënë Byroja e Statistikave e Serbisë në një përgjigje me shkrim për REL-in. Ky institucion i paraqet të dhënat mbi tregtinë ndërkombëtare në Zyrën e Statistikave të Republikës, në baza mujore.
“Të gjitha të dhënat për prokurimet, që kanë karakter ndërkombëtar, nuk janë sekrete për shërbimet e inteligjencës, dhe kështu as për zyrtarët e vendeve të huaja”, ka thënë për REL-in Nikolla Lluniç, drejtor ekzekutiv i Këshillit joqeveritar për Politikat Strategjike. Prandaj, sipas tij, të dhënat për prokurimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake nga Kina mbahen sekrete vetëm për publikun, përkatësisht për qytetarët e Serbisë. “Në vend që të parakalojmë me transparencë të prokurimit të sistemeve luftarake, ne i tregojmë ato në parada ushtarake me shenjat e vendeve të treta”, është shprehur Lluniç.