Prapaskena

17 maji dhe ftesa e përsëritur e Ramës për Lulzim Bashën, shah mat apo e sinqertë?

Publikuar: 17/05/2021

Katër vjetori i marrëveshjes së famshme të 17 majit 2017 e gjen politikën shqiptare në të njëjtat llogore; nga njëra anë Edi Rama që me qetësinë e fituesit të zgjedhjeve të 25 prillit përsërit vazhdimisht ftesën për bashkëpunim, por vetëm me Partinë Demokratike dhe nga ana tjetër Lulzim Basha që vë në mëdyshje sinqeritetin e kësaj ftese.

Ndryshimi i madh është se ndryshe nga katër vite më parë, këtë herë loja zhvillohet pas procesit zgjedhor. Pjesa tjetër është një “deja vu” e asaj që ndodhi pas zgjedhjeve të 2017-ës. Edhe pas fitores në ato zgjedhje Rama u mëshonte mesazheve për një mundësi të re që politika shqiptare të largohej nga gjuha e vjetër e të hapte një kapitull të ri.

Të njëjtën gjë po bën edhe në këto javë të para pas fitores së 25 prilli, ku pasi ka premtuar se socialistët do të shkëputen nga beteja bajate me akuza e kundërakuza ndaj opozitës e fton Lulzim Bashën për bashkëpunim “pa kushte”, madje siç Sekretari i Përgjithshëm PS, Taulant Balla tha në një intervistë televizive; me një fletë të bardhë dorëzuar kreut të PD-së.

Por, para se të plotësojë e firmosë këtë fletë të bardhë, gjithmonë nëse do ta pranojë, Lulzim Bashës më parë i duhet që të zgjidhë problemet brenda shtëpisë së tij. Ai kundërshton rezultatin e 25 prillit, thotë se këto zgjedhje nuk do të njihen kurrë, por thotë gjithashtu se në shtator do të hyjë në Parlament.

Hapin e parë për “të sistemuar” gjerat brenda partisë Basha e hodhi. Të dielën mblodhi Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar. Siç edhe pritej, mbledhja nuk ishte pa debate. Grupi kundërshtar “Për PD” me emra si Bujar Nishani, Arben Ristani e të tjerë i kanë kërkuar dorëheqjen. Basha i ka sfiduar duke afruar datën e zgjedhjeve për kryetar më 13 qershor, nga korriku kur ishte planifikuar fillimisht.

Kjo do të thotë se para kësaj date zor se mund të ketë një “17 maj” të dytë, që më tepër që vetë socialistët janë të përqëndruar në një tjetër front; atë me Presidentin Ilir Meta, për të cilin kanë ngritur një Komision Hetimor në Parlament.

Çfarë pritet më tej? Zhvillimet e 2018-ës mund të shërbejnë si udhërrëfyes. Atëherë, para se të niste pushimet e gushtit Kryeministri Edi Rama shtriu edhe njëherë dorën e bashkëpunimit për rivalin e tij opozitar, Lulzim Basha.

Rama u shfaq nostalgjik për 17 majin e 2017-s dhe paktin e nënshkruar atëherë me Lulzim Bashën, që shpëtoi zgjedhjet parlamentare. Një pakt të ri me kreun e PD, Rama s’e shihte të pamundur në 2018-ën, e duket se nuk sheh ta pamundur as në 2021.

“Kemi qenë dhe mbetemi të gatshëm për të bashkëpunuar me opozitën. Unë e kam treguar me fakte kokëforta dhe fakti më kokëfortë ishte shtrirja e dorës së bashkëpunimit për muaj të tërë ndaj opozitës për të garantuar procesin e kaluar zgjedhor dhe lutja për muaj të tërë ndaj kryetarit të opozitës dhe marrëveshja më në fund e arritur. Unë nuk mendoj se është e pamundur”, deklaroi Rama.

Rama në 2018-ën deklaronte se opozita s’ka as lidership, as vizion, as strategji dhe as program dhe nga retorika e tij përgjatë të gjithë fushatës për zgjedhjet e 25 prillit kuptohet se nuk ka ndryshuar mendim.

“Ecën kuturu pa menduar për hapin e tretë, të katërt, të pestë. Pra pavarësisht se ishte një mënyrë e mirë për të krijuar një eksperiencë dhe për të mësuar shahun, Lulzim Basha ka mbetur”, deklaronte Kryeministri në 2018-ën.

A e mësoi Basha shahun? Lëvizja e radhës e Edi Ramës këtë herë duket më e guximshme se ajo e 2018-ës. Atëherë oferta për bashkëpunim nuk ishte në një fletë të bardhë, por e kushtëzuar. “Ne e vetmja gjë që nuk mund t’i ofrojmë Partisë Demokratike është pushteti. Të tjerat janë të gjitha për diskutim. Nuk kemi asnjë problem”, vijoi ai.

Sot, të paktën publikisht ky kusht nuk është vendosur nga Rama, megjithëse ai ka siguruar të njëjtin numër mandatesh si në 2017-ën për të qeverisur i vetëm dhe pa dhimbje koke. Për detajet se deri në çfarë niveli do të shtrihet propozimi për bashkëpunim duhet pritur shtatori dhe nisja e sezonit të ri politik.

Oferta e 2018-ës kushtëzohej edhe nga nevoja për të ndërhyrë në disa ligje të reformës në drejtësi, që kërkon shumicë prej 84 deputetësh në Kuvend. Rama vetëm nuk i bënte. Socialistët kërkuan votat e opozitës për të plotësuar këtë shumicë, që të ndryshonte ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Ndryshimet do t’i hapnin rrugë emërimit të magjistratëve të sapodiplomuar.

Por, në vend të votave mori një kundërpropozim me 7 pika nga Lulzim Basha, ku pika e parë ishte shfuqizimi i të gjitha ligjeve të kaluara në kuadër të reformës në drejtësi, por të miratuara nga mazhoranca pa konsensusin e opozitës. Rama i përgjigjej duke thënë se “nuk ka kthim pas” duke pasur ndërmend pikërisht reformën në drejtësi.

Por, as për Bashën nuk kishte kthim pas. Ai fliste vetëm për një misionin opozitar.

“Kurrë! Koalicion me Edi Ramën nuk do të ketë kurrë! Detyra ime, e PD është largimi i Edi Ramës nga pushteti dhe nxjerrja e tij dhe të gjithë politikanët e lidhur me krimin para drejtësisë!”, deklaronte Basha.

Pas djegies së mandateve në grup të opozitës në shkurt të 2019-ës, Rama siguroi shumicën e nevojshme për të ndërhyrë të ligjet në fjalë me ndihmën e “opozitës parlamentare”, ndërsa po me ndihmën e kësaj opozite ka nisur edhe procesin e dytë në Parlament për shkarkimin e Ilir Metës.

Pra, Ramës në plan të parë nuk i duhet Basha më shumë se sa i duhej në 2017, apo në 2018-ën. Megjithatë, këtë herë ai i ka bërë një ofertë edhe më shumë joshëse se katër vite më parë. A është kjo ftesë një lëvizje shahu për të zënë mat kundërshtarin, apo është e sinqertë dhe me synimin që Kryeministri thotë publikisht; ta fusë politikën shqiptare në një fazë tjetër?



Më të lexuarat