Partia Demokratike akuzon KAS-in se me vendimin e marrë për të mos marrë informacione nga institucionet shtetërore u bë palë me pushtetin në blerjen e zgjedhjeve të 25 prillit.
“Duke refuzuar të marrë dhe administrojë informacionin zyrtar për punësimet masive të paligjshme, përdorimin e personave me rekorde kriminale për blerjen e votave, dhënien e paligjshme të lejeve të legalizimit apo favoreve të tjera shtetërore në këmbim të votave, KAS bëhet palë me pushtetin për blerjen e zgjedhjeve”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.
Bardhi thotë se KAS u mohoi sot shqiptarëve transparencën për atë që e quan “masakër zgjedhore”.
“3 anëtarët e zgjedhur nga PS refuzuan, në mënyrë të paligjshme, pa asnjë argument të marrin nga institucionet shtetërore provat që faktojnë se PS përdori burimet shtetërore dhe kriminale për deformimin e vullnetit të zgjedhësve”, deklaroi ai.
Tre anëtarët i cilësoi si shërbëtorë të Edi Ramës.
“Shërbëtorët e Ramës u heqin shqiptarëve të drejtën për një proces të ndershëm zgjedhor. Me vendimin për fletën e ndërlikuar të votimit, për shkak të të cilit vota e 83 mijë qytetarëve u bë e pavlefshme, KAS faktohet si bashkëautor i masakrës elektorale të 25 Prillit”, tha ai.
Në fund, Bardhi thotë se sado që të pengohet, transparenca e zgjedhjeve të 25 prillit do të bëhet.
“Edi Rama mund ta pengojë tani, por nuk ka forcë ta ndalojë transparencën për masakrën zgjedhore. Transparenca dhe drejtësia për 25 Prillin do të bëhet e plotë, do apo nuk do Rama dhe veglat e tij në KAS”, mbylli reagimin e tij Gazment Bardhi.