Antonio Lopez Nieto është një nga gjyqtarët që ka ndryshuar fytyrën e futbollit botëror. Ish-ndërkombëtari spanjoll, rreth 25 vite më parë, bëri të mundur që të ndryshohej rregulli ku skuadrat pritëse në turnetë ndërkombëtarë të merreshin me mikpritjen e gjyqtarëve, si dhe t’u jepnin atyre dhurata nga më të ndryshmet. Një vendim i UEFA-s i cili erdhi pasi Nieto denoncoi tentativën e korruptimit nga Dinamo Kiev, që drejtohej nga një emër i cili pak vite më parë u shfaq në vendin tonë si garant i drejtësisë e ndershmërisë të zgjedhjeve të organizuara nga FSHF, zëvendëspresidenti i UEFA-s Grigori Surkis.
Në emisionin “Los Otros” në “Movistar+”, Lopez Nieto ka treguar historinë e 25 viteve më parë, kur ai shkoi në Ukrainë për ndeshjen e Ligës së Kampioneve të Dinamo Kiev me Panathinaikos dhe u përball me një situatë të pazakontë.
“Në fillim më thanë që të shkoja të shihja qytetin , u thashë që nuk dëshiroja dhe thanë që të shkoja të bëja një sauna. U thashë që nuk kisha nevojë para një ndeshje. Por sauna që më ofronin ishte diçka tjetër”, tha ai fillimisht.
Më pas ia tregoi se kur kishte qenë në dhomën e hotelit, një nga vijërojtësit e kishte telefonuar dhe i kishte thënë se i kishin bërë dhuratë një peliçe të kushtueshme. “I thashë ta linte aty”, shpjegon Lopez Nieto.
“Më çuan në një lloj vile, më thanë se ishin zyrat e Dinamo Kiev por nuk kishte as një flamur të vogël të klubit. Atje ishte një vajzë e cila kalonte sa andej-këndej le të themi në mënyrë shumë provokuese.
Një person që ishte në një nga sallat, kërkonte të fliste me mua. Më dha një letër ku shkruhej “Antonio, fitore Dinamo, 30 mijë dollarë” në spanjisht. Më vinte ta godisja me grusht, por vetëm mora letrën dhe e mbajta të mbledhur me forcë në grusht dhe u thashë shoqëruesve që të iknim”, tregon ish-gjyqtari atë moment të cilin më pas e denoncoi në UEFA.
Pas asaj ngjarje, UEFA dënoi Dinamo Kiev që drejtohej nga Grigori dhe vëllai i tij Igor, me përjashtim fillimisht për 3 vite nga turnetë ndërkombëtarë, që më pas u ul në 1 vit dënim. Por me kalimin e kohës gjithçka u harrua dhe Surkis u bë president i Federatës Ukrainase e tashmë është një nga zëvendëspresidentët e UEFA-s, garant i drejtësisë dhe ndershmërisë në futbollin evropian. Një figurë që nuk preket në këtë organizatë edhe pse është nën hetim që nga viti 2019 për vjedhje të fondeve të Federatës Urkrainase, pas auditimit që u bë pas largimit të tij.
Rezultoi se gjate atyre viteve, Federata kishte nisur të ndërtonte një kompleks që nuk u ndërtua kurrë për ekipet kombëtare me fondet e solidaritetit që duhej t’i kishin shkuar klubeve për futbollin e të rinjve por nuk shkuan ku duhej të shkonin. Duket si histori e njohur apo jo…