Oerd Bylykbashi ka pranuar humbjen e PD-së në këto zgjedhje dhe i ka dalë kundër Lulzim Bashës, që nuk njeh zgjedhjet dhe po pregatitet të mos marrë mandatet.
Ai iu bën apel qytetarëve që të ndihen krenarë për votën e tyre, edhe pse zgjedhja që bënë nuk fitoi dhe thotë se ai do i përfaqësojë mbështetësit e tij në Kuvendin e ardhshëm që do të formohet në shtator.
“Faleminderit të gjithë zgjedhësve shqiptarë që me 25 Prill kuptuan drejt se Zgjedhës është më shumë se Votues.
Faleminderit juve që në interes të ardhmes së fëmijëve tuaj zgjodhët projektin tonë për ndryshim!
Edhe pse zgjedhja juaj nuk fitoi, sot duhet të ndjeheni krenarë për votën tuaj.
Falenderoj nga zemra çdo zgjedhës që zgjodhi të personalizojë votën për Partinë Demokratike me emrin tim qoftë edhe pa më njohur personalisht, përtej premtimeve, pazareve dhe interesave klienteliste.
Jam i nderuar nga vota juaj!
Ju falenderoj që besuat në një politikë të drejtë ku rëndësi ka integriteti dhe jo pazari. Ju premtoj që do t’ju përfaqësoj si deputet i Partisë Demokratike me dinjitet dhe integritet në parlament dhe do të përpiqem modestisht që gjërat të ndryshojnë për më mirë.
Unë besoj se Partia Demokratike është një emër shumë më i madh se kushdo prej nesh. E kemi nder të jemi pjesë kontribuese e saj. PD do të jetë në mbrojtje të lirive dhe të drejtave edhe kur të zëvendësohemi nga të tjerë.
Është fat të lëmë një gjurmë në librin e saj të madh.
Për këtë arsye falenderoj nga zemra të gjithë anëtarët e strukturave të Partisë Demokratike dega Durrës dhe forumin rinor për punën e palodhur këto muaj. Një falenderim i posaçëm u shkon anëtarëve të strukturave të lagjeve të qytetit me të cilët pata nderin të punoj çdo ditë në këtë fushatë. Duhet të jenë krenarë që arritën të rrisin me 80% Partinë Denokratike. Ky ishte qëllimi juaj dhe i imi si kandidat përtej projekteve personale.
Sot, si 30 vjet më parë me 31 Mars 1991, ne nuk u ndeshëm me Partinë Socialiste por me shtetin padron që përdori çdo pushtet, paranë kriminale e korruptive, kontrollin kapilar si edhe presionin.
Me 25 Prill fitoi shteti i kapur nga të fortët, oligarkët dhe politikat klienteliste. Partia Demokratike do të ngrihet për ta mundur këtë model ashtu siç u ngritëm 30 vite më parë, për një Shqipëri ndryshe dhe për të rinjtë që tek ne kërkojnë shpresë.”- shkruan Bylykbashi.