Prapaskena

Paralajmëron Ilir Meta: Nga ky moment bëni shumë kujdes!

Publikuar: 30/04/2021

Presidenti Ilir Meta tha se nuk do të japë dorëheqjen, pavarësisht se Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e 25 prillit, duke siguruar 74 mandate.

Në një deklaratë për media në mbyllje të procesit të numërimit të votave, Kreu i Shtetit tha para gazetarëve se konferencën e fundit në Presidencë do ta mbajë më 24 korrik 2022, ndërsa shtoi se tani vëmendja duhet të jetë vetëm te mbi 83 mijë votat e pavlefshme.

I pyetur se “Rama tha se populli dënoi me votë Ilir Metën dhe këtë vendim do ta ekzekutojë parlamenti. A keni një përgjigje?”, Presidenti u përgjigj: “Asnjë përgjigje për shashkat që duan të largojnë vëmendjen tuaj nga mbi 83 mijë vota të pavlefshme dhe që nga pamjet filmike duhet parë si janë bërë të pavlefshme, se nuk ka statistikë në botë që e justifikon këtë, kur e dini mirë që diferenca është shumë e ngushtë. Mund të lëvizin shumë mandate këtu. Ne duhet të mbajmë vëmendjen këtu. Po të ishte për këto histori, kishte ikur 100 herë Ilir Meta nga Presidenca, por më 24 korrik 2022 këtu do ta bëjmë konferencën e fundit. Mos u përqendroni as te dorëheqjen, as te tërheqjet, vetëm këtu, të respektohet çdo votë. Nga ky moment të kenë shumë kujdes, asnjë kuti të mos ndërrohet, asnjë përpjekje për të mbuluar krimet të mos bëhet”.



Më të lexuarat