Të enjten, më 15 prill ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duhej të nënshkruante një kontratë me kompaninë amerikane për furnizim me vaksina.
Kjo kontratë nuk është nënshkruar.
Veprimi është pritur me shumë përplasje në Kosovë.
Për pasojë furnizimi me 500 mije doza vaksinash Pfizer pritet të shtyhet deri ne shtator.
Kompania Pfizer dhe BioNtech kishte kërkuar fillimisht që të ndryshohet Udhëzimi Administrativ, sipas të cilit kjo kompani do të duhej ta kishte përfaqësuesin e saj në Kosovë.
Kërkesa e këtyre kompanive, specifikohen tek kushtet për lidhjen e kontratës:
“(b) parashikojnë marrjen e autorizimit të marketingut përmes një mekanizmi të përshtatshëm rregullator nga Agjencia Mjekësore e Kosovës që lejon që Vaksina të vendoset në treg në Kosovë”.
Me udhëzimin e ri që kishte nënshkruar ish-ministri Armend Zemaj, kompanitë në fjalë kanë pasur të drejtë ligjërisht të aplikojnë pa person të autorizuar në Kosovë.
Neni 15 i udhëzimit administrativ të ri, ia mundëson regjistrimin e vaksinave sipas kërkesave të Pfizer dhe BioNtech. Por ky udhëzim, që do t’i hapte rrugë nënshkrimit të kontratës, nuk është publikuar fare në gazetën zyrtare të Kosovës.
Udhëzimi Administrativ “Autorizimi për marketing për produkte medicinale”. Ligjërisht ky udhëzim do të duhej të hyjë në fuqi shtatë ditë pas nënshkrimit nga ish ministri, Zemaj.
Ministria Shëndetësisë: Nuk kemi probleme administrative
Gazeta Insajderi ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë, të drejtuar nga Arben Vitia ku është pyetur pse nuk është nënshkruar kontrata, për regjistrim të vaksinës, mirëpo ministria nuk është përgjigjur në pyetjen konkrete.
Ata vetëm kanë thënë se: “Ministria i ka ngritur të gjitha kapacitetet për të administruar me kohë procesin e sigurimit të vaksinave dhe distribuimit të tyre”.
Derisa në pikën për lidhje të kontratës ku thuhet të ndryshohet Udhëzimi Administrativ, sipas të cilit kompania Pfizer dhe BioNtech do të duhej ta kishte përfaqësuesin e saj në Kosovë, gjë që nuk është bërë, ministria nuk po e sheh si problem.
Në përgjigjen për Insajderin, ministria ka thënë se nuk asnjë problem sa i përket procedurave administrative që lidhen me importin e vaksinave.
“Nuk ka probleme sa i përket kryerjes se çdo procedure administrative që lidhet me importin e vaksinave anti COVID-19 dhe për me tepër, Kosova shpejt do ta këtë kontingjentin e radhës te vaksinave qe do te vijnë për te vijuar me vaksinimin sipas Planit Shtetëror te Vaksinimit kundër COVID-19”, thuhet ën përgjigjen e ministrisë për Insajderin.
Por emailet e siguruar nga Insajderi dëshmojnë të kundërtën. E gjithë puna është kryer. Duhet vetëm nënshkrimi i kontratës të cilën nuk e ka bërë Arben Vitia. Kjo do të ketë pasoja pasi që furnizimi mund të shtyhet deri në shtator.
Komunikimet zyrtare mes Kosovës dhe kompanive të vaksinës
Në dosjen e komunikimeve dhe negociatave mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe prodhuesve të vaksinës anti-Covid Phizer dhe BioNtch, përfshirë këtu edhe kontratën e ofruar nga kompania amerikane me të gjitha kushtet që duhet t’i përmbahet Kosova.
Zemaj kishte njoftuar kompaninë Pfizer, se nga data 22 mars ata do të duhet ta kontaktojë, ministrin e ri, Arben Vitinë, pas formimit të qeverisë së re, ku do të jetë i autorizuar për prokurimin dhe negocimin e vaksinave.
“Në të njëjtën kohë, unë gjithashtu kërkoj që pasardhësi im të kontaktojë menjëherë me ju në lidhje me vazhdimin e kontaktit për marrjen e vaksinave të shumëpritura nga ne”, thuhet në një paragraf të emailit të Zemajt dërguar kompanisë në fjalë.
Pas këtij komunikimi, menjëherë ka pësuar emaili i kompanisë Pfizer për Vitinë ku e ka njoftuar për nënshkrim të kontratës, për datën 15 prill.
Aty kishte dërguar draftin e kontratës për nënshkrim.
Ju lutemi gjeni bashkangjitur një dokument të Lidhur me Kushtet (“HoTs”) për blerjen e propozuar të Kosovës të Comirnaty nga Pfizer nga Kosova.
“Kjo marrëveshje është e vlefshëm për pesëmbëdhjetë (15) ditë kalendarike nga dorëzimi i këtij dokumenti në Ministrinë e Shëndetësisë të Kosovës (d.m.th. 15 Prill 2021).Ne do t’ju ftojmë të rishikoni dokumentin dhe të qëndroni pranë për ta diskutuar atë me ju në lehtësinë tuaj”, thuhet në emailin e Pfizer dërguar Vitisë.
E, Ministri Vitia nuk i ka kthyer email prodhuesve amerikan. Si pasojë rrezikohet sjellja e 500 mije vaksinave në Kosovë.
Në kontratën në mes ministrisë dhe Pfizer dhe BioNtech të cilën e ka siguruar Insajderi ku specifikohet se Kosova do të marrë mbi 500 mijë doza të vaksinave, vetëm nëse ministri Vitia do të nënshkruaj këtë kontratë.
Programi i Dorëzimit të Përkohshëm, sipas marrëveshjes duhet që fillimisht të marrë Miratimin me Kusht të Marrëveshjes Përfundimtare, parasheh edhe veprime tjera te shtetit të Kosovës. Obligohet që deri më 30 Prill 2021 ta regjistrojë produktin në Agjencinë për Produkte Midicionale ne Kosovë.
Sipas kontratës furnizimi i 500 mijë dozave të vaksinave do të bëhet në tri faza:
Faza e parë: Pesëdhjetë e një mijë e katërqind e tetëdhjetë (51,480) doza të vlerësuara të transportuara në tremujorin e dytë të vitit 2021;
Faza e dytë: Dyqind e njëzet e pesë mijë e tetëqind e dhjetë (225,810) doza të vlerësuara të transportuara në tremujorin e tretë të vitit 2021; dhe
Faza e tretë: Dyqind e njëzet e tre mijë e katërqind e shtatëdhjetë (223,470) doza të vlerësuara të transportuara në tremujorin e katërt të vitit 2021.
Për shkak se nënshkrimi për furnizimin e këtyre dozave të vaksinave nuk është bërë tash, atëherë furnizimi shtyhet deri më 30 shtator.
“Nëse Miratimi me Kusht merret pas 30 Prillit 2021, por para 30 Shtatorit 2021, atëherë Programi i Përkohshëm i Dorëzimit do të zhvendoset në përputhje me rrethanat dhe do të rregullohet për të pasqyruar vonesën midis 30 Prillit 2021 dhe datës së Miratimit me Kusht”, thuhet në kushtet për lidhje të kontratës.
Aktualisht Kosova ka pranuar 24 mijë doza të vaksinës kundër Covid-19 të siguruara përmes mekanizmave Covax të cilat në Kosovë kanë arritur përmes organizatës UNICEF.
Afërsisht janë bërë 3 javë prej kur ka nisur vaksinimi kundër COVID-19 në Kosovë, e me 24 mijë dozave të vaksinës AstraZeneca që kanë qenë në dispozicion deri më tani janë vaksinuar vetëm 12 mijë persona.