Pa diskutim, asnjë prej nesh nuk ka qenë i përjashtuar nga database me të dhënat konfidenciale për qytetarët e Tiranës, që ka akumuluar Partia Socialiste për të fituar mandatin e tretë. Madje i nervozuar nga lajmi i Lapsi.al, Taulant Balla e quajti databazën e të dhënave “të krijuar me vite të tëra organizimi dhe komunikimi derë më derë me njerëzit.
Por duke parë informacionet sistematike për 910 mijë qytetarë të Tiranës, të gjitha të përmbledhura në një dokument, Lapsi.al raportoi se të dhënat konfidenciale nuk janë arritur duke përpiluar informacione nga takimet derë më derë, por janë grabitur nga institucionet shtetërore dhe mbi bazën e tyre është punuar për të nxjerrë bindjet e njërit apo tjetrit votues, sipas një skeme monitorimi që ndryshe në PS, quhet “patronazhimi”.
Duke qenë se lista është marrë shabllon nga institucionet shtetërore dhe iu është shpërndarë militantëve të Partisë, këta nuk janë ndalur as kur njerëzit që duhej të patronazhonin kishin një staturë, për të cilën duhej menduar dy herë para se të raportonin.
Ky është rasti i punonjësve të Shërbimit Informativ Shtetëror, disa prej emrave të të cilëve gjenden në database që përdor Partia Socialiste për fushatën e 25 Prillit bashkë me të dhënat e tyre personale dhe përshkrimin e bindjes politike për secilin.
Në kollonën ku raportohet vendi i punës, për punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror që verifikoi Lapsi.al, nuk është shënuar institucioni ku punojnë, por Partia nuk i ka kursyer për të dhënat e tjera konfidenciale, njësoj si për ne të tjerët.
Kulmi arrin në patronazhin për shefin e SHISH, Helidon Bendo, përballë të cilit patronazhistja me emrin Marjana Ndraka ka raportuar se ai ka preferenca për PS dhe se ai mund të konsiderohet votues i sigurtë për PS.
Në raportimin për shefin e SHISH janë të gjitha të dhënat si numër telefoni, numri i kartës së identitetit, qendra e votimit, etj, por nuk është shënuar vendi i punës.
Të raportosh edhe për shefin e Shërbimit Informativ Shtetëror, ky është një rekord i paimagjinueshëm në gjurmimin e votave, që vetëm Rilindja mund ta ketë thyer në historinë e asaj që Taulant Balla e quajti “punë në terren”. Por në anën tjetër, ky është edhe një dëshmi tronditëse, se si Rilindja e ka kthyer shtetin në një leckë dhe e keqpërdor sa herë t’i duhet për nevojat e saj personale. Megjithatë siç do të thoshte një patronazhiste e PS, “ditën e zgjedhjeve, edhe vota e shefit, edhe vota ime, prap të njëjtën vlerë kanë”. (Lapsi)