Sondazhi/ Nese votohej sot PS fiton, PD e LSI nuk bëjnë dot shumicën! Ka surpriza në disa qarqe!

Pa Kategori

Publikuar: 01/04/2021

Sondazhi/ Nese votohej sot PS fiton, PD e LSI nuk bëjnë dot shumicën! Ka surpriza në disa qarqe!

TIRANË- Report Tv dhe Instituti prestigjioz italian Piepoli, kanë sjellë sondazhin e pestë për zgjedhjet politike të 25 prillit. Sipas rezultateve nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot Partia Socialiste do të shpallej fituese, pasi do të votohej nga 47 deri në 51% e shqiptarëve.

Ndërsa PD-ja do të merrte 38 deri në 42% bashkë me aleatët e saj, por dhe po të bashkohej me LSI, përsëri nuk do të mund të bënte shumicën pasi partia e drejtuar nga Monika Kryemadhi, sot votohet nga 4 deri në 8% e shqiptarëve.

Ndërkohë 2% të votave në rang kombëtar mund t’i marrin PS e Tom Doshit, Nisma Thurrje dhe Lëvizja për Ndryshim.

Në qarkun e Tiranës që është dhe më i madhi në vend PS-ja, udhëheq me 48 deri në 52%, por ka 1% rënie në krahasim me sondazhin e 17 marsit.

PD dhe aleatët ka një rritje të lehtë në krahasim me sondazhin e 17 marsit dhe sot votohet nga 36 deri në 40 % të qytetarëve të Tiranës. Ndërsa LSI mund të marrë në qarkun e Tiranës 5 deri në 9 % të votave. Nisma thirrje dhe lëvizja për ndryshim kanë një rritje të lehtë në Elbasan.

PD-ja është forcë e parë në Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Kukës, ndërsa në qarqet e tjerë kryeson PS-ja, ndërsa LSI arrin rezultatin më të mirë në qarkun e Gjirokastrës, që në krye të listës ka Vangjel Tavon.

Për herë të parë, sondazhi i Institutit prestigjioz Italian, Piepoli ka pyetur qytetarët edhe për vaksinat anti-COVID, të cilët janë siguruar nga vendi ynë deri më tani. Më shumë se gjysma e shqiptarëve kanë besim te vaksinat ruse dhe kineze, ku më konkretisht nga 1200 persona të pyetur, 58 % e tyre thanë se sigurisht që do ta bëjnë vaksinën ruse si edhe 56 % e të pyeturve janë të gatshëm ta bëjnë këtë vaksinë.

Nuk është lënë jashtë vëmendjes edhe libri i shkruar nga kryedemokrati Lulzim Basha, me titullin “Misioni im”. 62% e qytetarëve thanë se nuk e kanë lexuar, 21% e qytetarëve e kanë konsideruar interesant, e ndërsa 12% e konsiderojnë si një lëvizje të gabuar, që vjen vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve.

Qytetarët janë pyetur edhe për sjelljen e presidentit Ilir Meta, të cilët shumica prej tyre më konkretisht 57% e tyre e kanë vlerësuar si negative, referuar ngjarjeve të fundit ku kreu i shteti është bërë protagonist, ku ngjarja më e “freskët” është përplasja te zyrat e FRD-së.

Në Kukës nuk ka surpriza, PD ruan bastionin por PS merr mandatin

Nëse do të votohej sot në qarkun e Kukësit, sipas sondazhit të Piepolit PD dhe Aleanca për Ndryshim ka rritje të votave nga 2017 duke ruajtur bastionin e saj. Koalicioni i PD sipas sondazhit pritet të marrë 53-57 % të votave. Partia Socialiste do të merrte 36-40% të votave. Me këto rezultate duket se gjithccka është e vendosur në Kukës edhe për 3 mandatet që sipas përllogaritjeve do të shkonin 2 për PD-AN dhe 1 për PS.

LSI në Gjirokastër me rezultatin më të lartë nga 12 qarqet, gara është e fortë edhe mes PS dhe PD

Në Gjirokastër gara pritet të jetë shumë e fortë më 25 prill. Në sondazhin e Piepoli dhe Report Tv nëse do të votohej sot kahet politike do të ishin në luftë të hapur. PS do të merrte 42-46% të votave ndërsa PD-Aleanca për Ndryshim do të merrte 36-40%. LSI në Gjirokastër do të merrte rezultatin më të mirë nga 12 qarqet me 11-15% të votave.

Në Dibër PD nuk e diskuton fitoren! LSI vështirë se merr mandatin e 2017-s

Një prej qarqeve ku Partia Demokratike pritet të marrë një fitore solide më 25 prill është ai i Dibrës. Sipas sondazhit të Piepolit, nëse do të votohej sot në Dibër Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim do të merrte me 50-54 % të votave, duke thelluar diferencën krahasuar me 2 javë më parë. Ndërsa PS do të merrte 36-40% të votave. Krahasuar me zgjedhjet e 2017, LSI humbet dhe mandatin e marrë pasi votohet nga vetëm 3-7%.

PD rikuperon 2% në Qarkun e Beratit por avantazhi i PS është shumë i madh! LSI merr vetëm 1/3 e votave të 2017, por në garë për 1 mandat

54-58% e votuesve të Qarkut Berat të pyetur nga instituti Piepoli kanë deklaruar votën e tyre për Partinë Socialiste. PD vijon të rikuperojë elektorat duke arritur kuotat 30-34% së bashku me forcat e tjera aleate, 2% më shumë se sondazhi i 2 javëve më parë. Ndërsa LSI vijon rënien me vetëm 4-8% të votave, thuajse 1/3 e votave të zgjedhjeve të vitit 2017.