Rikthehet historia e trafikimit të lëndëve narkotike nga Ekuadori drejt Shqipërisë përmes kontejnerëve të bananeve.
Policia ka sekuestruar në një kontejner me banane në Portin e Durrësit 49 kg kokaine dhe ka arrestuar administratorin e firmës që posedonte kontejnerin Selim Çekaj, babai i Arbër Çekajt me qendër në Maminas, i arrestuar po për drogë, raporton “Shqiptarja”.
“Autoritetet kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘MERSIN’. Si rezultat i operacionit, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në disa kontejnerë, u bë e mundur që në njërin prej tyre, i cili ishte i ngarkuar me banane dhe ishte nisur nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Maminas, me administrator shtetasin S. Ç., të gjendej dhe sekuestrohej në cilësinë e provës materiale rreth 49 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë”, njoftoi sot policia.