Vijojnë përplasjet në Bashkinë e Vlorës, ku refuzimi i Dritan Lelit për të lënë postin e kryetarit vijon të prodhojë konflikt mes tij dhe socialistëve.
Burime brenda bashkisë së Vlorës thonë për Faxweb.al se kryetari i Bashkisë Dritan Leli ka bërë gati letrën e shkarkimit për nënkryetarin Afrim Qëndro.
Megjithatë asnjë nga palët nuk pranon të prononcohet, zërat thonë se shkarkimi gjendet në tavolinën e Lelit, dhe është çështje orësh finalizimi.
Ditën e sotme, Qëndro ka lënë të parkuar makinën e tij para bashkisë por nuk ka qenë brenda godinës, ku u komandua disa muaj më parë me urdhër të Gjiknurit.
Qëndro ka zhvilluar një takim bashkë me Damian Gjiknurin me antarë të Partisë Socialiste.
Ende nuk dihet nëse shkarkimi i është komunikuar Qëndros apo jo.
Afrim Qëndro është emëruar në atë pozicion nga vetë Rama, më 22 korrik 2020, në kulmin e përplasjeve asokohe me kryebashkiakun Dritan Leli. Dritan Leli ka përballë tashmë Edi Ramën dhe fati i tij nuk dihet.
Ditën e djeshme kryeministri urdhëroi që kreu i Bashkisë të përjashtohej nga fushata.
Rama ka kërkuar përjashtimin e menjëhershëm të Lelit, e madje ka shkuar deri aty sa e ka kërcënuar me fjalët: Ik, zhuku menjëherë.
Vetë Rama tha se Leli mendoi për karrigen, ndërkohë që kryebashkiaku gjatë gjithë këtyre ditëve të përplasjes ka preferuar që të veprojë totalisht në heshtje, e madje në disa raste ta fikë dhe telefonin.