Sondazhi i tretë i kompanisë MRB, PS-PD diferencë prej 15.8% mes dy partive

Pa Kategori

Publikuar: 11/03/2021

Sondazhi i tretë i kompanisë MRB, PS-PD diferencë prej 15.8% mes dy partive

Sondazhi i tretë i kompanisë MRB për Euronews Albania tregon se shumica e shqiptarëve besojnë se Partia Socialiste do të dalë parti e parë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Nga të pyeturit, 49.3% u përgjigjën për PS-në dhe 33.5% për PD-në me një diferencë prej 15.8% mes dy partive.

Për analistin Baton Haxhiu diferenca e ngushtuar mes PS dhe PD nga 19,5% në 15.8% lidhet me faktin se nga periudha kur u mbajt sondazhi i parë ka nisur fushata, e cila ka ndryshuar besimin e qytetarëve dhe të papërcaktuarit po përcaktojnë qëndrimet e tyre.

Shumica e shqiptarëve të anketuar në sondazhin e tretë besojnë se partia që do të dalë e para në zgjedhjet e 25 prillit do të marrë 71+ mandate në parlament. Vetëm 24.1% e tyre thanë se nuk besojnë që partia që do të fitojë zgjedhjet do të arrijë të ketë shumicën parlamentare.

sh-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani kujtoi se Kushtetuta nuk flet vetëm për parti të parë në zgjedhje, por edhe për koalicion. Ai kujtoi se vlen më shumë shumica në parlament se sa të dalësh parti e parë në zgjedhje. Për këtë ai debatoi me Baton Haxhiun.

Eksperti i zgjedhjeve Blendi Çeka vuri theksin te fakti se një pjesë e socialistëve nuk besonin se PS do të marrë më shumë se 71 mandate në zgjedhje, gjë që sipas tij tregon se një pjesë e tyre nuk e kanë kuptuar mesazhin politik të Edi Ramës, i cili e ka vendosur këtë si objektiv kryesor këto zgjedhje.

Nëse qytetarët do t’i drejtoheshin këtë të diel kutive të votimit ata do të votonin më së shumti PS-në dhe më pak PD-në apo LSI-në. Ndërkohë bie në sy rritja e përqindjes së të pavendosurve.

Për Neritan Sejaminin puna e opozitës në këto zgjedhje duhet të jetë për të bindur të pavendosurit, pasi tashmë nga sondazhet po kuptohet se PS do të dalë parti e parë. Ai dhe Blendi Çeka analizuan se në tërësi PS-së i duhet mbi 45% të votave në zgjedhje për të marrë së paku 71 mandate.

Sipas drejtorit të kompanisë MRB, Dimitris Mavros, sondazhet tregojnë se në Shqipëri po shkohet drejt një gjendjeje dypolare politike, ku partitë e vogla do të shkojnë drejt zhdukjes. Ai u nis në këtë koment nga dobësimi i mëtejshëm i LSI-së në sondazhe dhe fakti se nga forcat e tjera përtej PS-së dhe PD-së nuk ka pasur lëvizje.