Paligjshmëritë që sollën tragjedinë e Gërdecit ishin vetëm pjesa e dukshme e historisë. Fokusi i këtij dokumentari, nuk është tragjedia që u shkaktua nga shpërthimi, por vdekja e mistershme e Kosta Trebickës, njeriut që zbuloi skemën kriminale të Gërdecit. Por, le ti marrim gjërat me radhë.
Në kohën që ishte ngritur punishtja e Gërdecit, një kompani amerikane e quajtur AEY, interesohej për municione kallashnikovi. Në Shqipëri gjendeshin me shumicë. Në lojë ishin plot 298 milionë dollarë që Departamenti Amerikan i Mbrojtjes financonte për furnizimin e ushtrisë afgane.
Drejtuesi i kompanisë, 22-vjeçari Efraim Diveroli, lidhet me përfaqësuesit e MEICO-s në Tiranë. Çuditërisht, në mes të kësaj marrdhënie kontraktuale futet një zviceran misterioz. Ishte Henry Tomei, një trafikant armësh i skeduar nga Departamenti i Shtetit.
Skema ishte e tillë: kompania e Tomeit “EVDIN”, blinte nga MEICO municionet me një çmim prej 22 dollarësh për 1 mijë copë dhe ia shiste AEY për 40 dollarë. Diveroli fut në biznes Kosta Trebickën, i cili do të bënte paketimin e fishekëve.
“Absolutisht, skisha asnjë lloj lidhje politike, thjesh biznesi im ishte i listuar në Dhomën Amerikane të Tregtisë, dhomën amerikano shqiptarë ta saktësoj mirë, kompania amerikane komtaktoi me dhomën e tregtisë, dhe morën natyrshëm miraitmin e tyre edhe të kontaktonin direkt me biznesin tim” u shpreh Kosta Trebicka, Biznesmen/Arkivë 2008
Kur do të niste dërgesën e parë në Afganistan, Diveroli mëson nga këshilltari i tij në Tiranë Aleks Podrizki, se ato ishin kineze. Blerja e municioneve kineze binte në kundërshtim me legjislacionin e SHBA. Diveroli urdhëroi zhdukjen e çdo gjurme kineze nga municionet, proces që realizohej përmes ripaketimit nga Trebicka./Top Story