Edi Rama do vijojë befasitë me listën e kandidatëve për deputetë. Pas kandidimit të Najada Çomos dhe Luljeta Bozos, figura popullore për shkak të kontributit të tyre gjatë pandemisë dhe pas tërmetit, Rama ka nisur kontaktet me personazhe të tjerë.
Halim Kosova është një nga të piketuarit e Ramës. Ditët e fundit, ish-ministri i PD-së dhe kandidat në 2015 për Bashkinë e Tiranës, ka artikuluar akuza të forta kundër Lulzim Bashës dhe rrethit të tij.
Rama i ka shfrytëzuar gjithnjë krisjet në kampin e kundërshtarit. Rama i ofroi poste Ridvan Bodes dhe Majlinda Bregut, si kritikë të Bashës.
Bëri zëvëndësministër këshilltarin e Bashës për ekonominë, Besart Kadia. Bëri drejtor ish-deputetin e PD-së Mhill Fufin, ndërsa ka flirtuar me Topallin, Patozin, Rudina Hajdarin dhe figura të tjera në PD.
Në kuadër të kësaj strategjie, Rama po tenton të afrojë edhe Halim Kosovën.
Nga ana tjetër, Kosova ka deklaruar se nëse do të merrte një ofertë nga Rama, nuk do ta refuzonte.
“Pa diskutim sistemi i kujdesit shëndetësor është gjëja që më pëlqen dhe di të bëj më mirë, nëse unë treçerekun e jetës sime ia kam kushtuar atij. Unë nuk e hedh poshtë atë. Do të bëj çmos. Jam e sigurt që PD nuk më lëshon kollaj, çdo parti që do të më ofronte s’do t’i thosha jo. Po të shikosh raportin e OSBE i vetmi emër është Halim Kosova. Ishin në një mbledhje me Joridën dhe më pyeti një nga të ftuarit ishte anglez. ‘Kam një pyetje, çfarë mendimi ke për Ramën’. Edhe unë qesha përse duhet të them se çfarë mendoj. Pavarësisht se nuk është kryeministri ideal nga partia që ideoj, por në momentin që merr votën është edhe kryeministri im, nuk kam pse ju them juve se çfarë mendoj. Nuk pranoj që të shajnë atë që shqiptarët kanë mbi krye”, ka pohuar Kosova.