Greqia u trondit këtë të mërkurë nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.2 të shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit ishte rreth 25 kilometra në veriperëndim të Larisës, aty ku banorët dolën në rrugë për shkak të frikës. Lëkundjet u ndjenë në Athinë dhe në disa zona të tjera.
Sipas Qendrës Sizmologjike Europiane Mesdhetare, tërmeti ishte me një thellësi prej 20 kilometrash.
Të frikësuar banorët në Larisa rrëfyen se kishin parë ndërtesat të lëkundeshin dhe pluhur që dilte prej tyre. Lëkundjet u ndjenë edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë e Mal të Zi.
Tërmeti i fortë ra në orën 12:16 minuta me orën lokale dhe u pasua nga pasgoditje të shumta, më e forta me magnitudë 5.2 të shkallës Rihter.
Nuk dihet ende nëse ka dëme, apo të lënduar në njerëz.