Prapaskena

Bamir Topi rikthehet në prehrin e Berishës, firmos marrëveshjen me Bashën

Publikuar: 25/02/2021

Bamir Topi është rikthyer pas 11 vitesh në prehrin e Sali Berishës, duke firmosur një marrëveshje për koalicion me Lulzim Bashën. Topi ka ‘gëlltitur’ të gjitha akuzat e rënda që ka lëshuar prej 11 vitesh kundër Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, të cilin e ka konsideruar vegël të Berishës.

Bamit Topi ishte i fundit që ka firmosur marrëveshjen me PD-në, duke e mbajtur “peng” paktin, deri në pak minuta para se të skadonte afati i dorëzimit të saj në KQZ. Lidhur me arritjen e kësaj marrëveshje ka ardhur edhe reagimi i parë nga FRPD. Bëhet fjalë për nënkryetarin e kësaj partie Lisandër Hoxhën, i cili në rrjete sociale ka ironizuar duke transformuar një shprehje të ish-kryeministrit Sali Berisha, ku shkruan “u mbush PD me qendrestare bulevardi”. Kujtojmë se etiketimi i 21 janarit nga Sali Berisha për Bamir Topin, ishte “horr bulevardi”!

Pjesë e koalicionit të PD-së, janë PR e Fatmir Mediut, LZHK-ja e Dashamir Shehit, FRD e Bamir Topit, PAA e Agron Dukës, PDK e Nard Ndokës, PBDNJ e Vangjel Dules, PDIU e Shpëtim Idrizit, Balli Kombëtar i Artur Roshit nga opozita parlamentare, PBLD e Arjan Starovës, PBD e Ylber Valterit, PLL e Shpëtim Axhamit dhe PKD e Dhimitër Muslias.



Më të lexuarat