Një pjesë e vaksinave kundër COVID-19 të blera prej kompanisë Pfizer nga qeveria do të vijnë sot në Shqipëri.
Sipas kryeministrit Edi Rama, këtë herë do të vijnë më pak vaksina se sa herën e parë, ndërsa do të vijojë vaksinimi me mjekët dhe infermierët dhe paralelisht me pensionistët. Ai tha se plani i vaksinimit në 14 muaj nuk ka rënë ende.
“Jemi në kushtet kur kemi një kontratë direkte dhe nuk jemi në dorë të mekanizmave institucional të BE. Nuk jemi në dorë as të mekanizmit të COVAX, që edhe aty problemi është i jashtëzakonshëm, pjesë e kësaj katrahure. Kanë nisur kërcënimet për hedhje në gjyqe për kompanitë nga BE. Ne kemi vetëm një spostim në kohë, pasi dozat e para të Pfizer duhet të vinin në javën e tretë të janarit dhe sipas konfirmim të fundit, dozat e para mbërrijnë sot në darkë. Do të vazhdojmë me faza. Jemi shumë afër një marrëveshje përfundimtare me Astrazencën, po vazhdojmë kontaktet me disa vende. Janë 3 shtete që vazhdojmë kontaktet dhe jemi në rrugë të mbarë. Për momentin mund ta them pa optimizëm të ekzagjeruar se skenari i parë i vaksinimit brenda 14 muajsh, nuk ka rënë akoma. Pavarësisht se disa vonesa nuk janë të lidhura me ne. Do vazhdojmë me mjekët dhe infermierët, se kanë radhët të parët. Paralelisht do të nisim me të moshuarit. Se kam numrin e saktë se sa do të jenë dozat që do të mbërrijnë sot. Do vazhdojmë të vaksinojmë të tjerë, Muaj shkurt do të jetë një muaj me qartësi të të gjithë procesit. Sot do të vijnë doza më pak se sa ishin angazhuar në herën e parë.”, tha ai.