‘Po ju vjen fundi’, Yuri Kim mesazh ‘përvëlues’ politikanëve të korruptuar

Pa Kategori

Publikuar: 29/01/2021

‘Po ju vjen fundi’, Yuri Kim mesazh ‘përvëlues’ politikanëve të korruptuar

Ambasadorja Amerikane Yuri Kim, një nga diplomatet e Perëndimit më të angazhuar dhe të vendosura pro reformës në drejtësi, u ka dhënë mbrëmë një mesazh të qartë kokave të korrupsionit në politikën shqiptare, duke u paralajmëruar se po u vjen fundi.

Yuri Kim tha se ata që thonë se nuk do të ndodhë asgjë, vetëm gënjejnë. Ambasadorja sinjalizoi se shumë shpejt do të vijë goditja e madhe, siç ka ndodhur në Kroaci ku kasta politike përfundoi në burg.

“Ju jeni vendi që refuzuat Enver Hoxhën dhe e zhdukët atë. Mendoj se këto janë me të vërtetë elemente të admirueshme të karakterit shqiptar.

Prandaj unë besoj tek Shqipëria, besoj tek populli shqiptar dhe mendoj se ju kurrë nuk duhet të ndalni së shpresuari. Këta njerëz, të cilët ju thonë se nuk po ndodh asgjë dhe se asgjë nuk do të ndodhë kurrë, nuk janë njerëz të cilët ju tregojnë të vërtetën.

Ata po ju thonë një gënjeshtër, në mënyrë që të mund të vazhdojnë me çfarëdo aktiviteti të tmerrshëm ku janë të përfshirë. Mos e humbni shpresën. Shpresa është armë”, tha Kim.

Gjithashtu Yuri Kim iu drejtua njëherësh me një mesazh krerëve të politikës shqiptare me qëllim që siç tha, asnjëri prej tyre të mos e interpretojë sikur mesazhi është për tjetrin.

“Ka ligje që Shqipëria i ka për dekriminalizimin që ndalon kandidimin e personave të dënuar apo zgjedhjen e tyre në parlament. Por ka edhe individë të tjerë që janë të njohur që të ulen në kuvendin e popullit, duke bërë legjislacion e ligje, apo jo?

Dhe këtë përpiqem të vë në dukje, ndaj mendoj se udhëheqësit e partive duhet të marrin përgjegjësitë. Kam vënë re që sa herë flas për këtë, secili pretendon sikur unë flas për palën tjetër. Dhe më duhet të them, dua të jem shumë e qartë, po flas për ty.

Po i flas Z. Rama në cilësinë e tij si kreu i PS; po i flas Z. Basha si kreu i PD; po i flas edhe Znj. Kryemadhi; po i flas kujtdo që drejton një parti politike. Është përgjegjësia juaj dhe po ju flas ju. Pra, askush nuk mund të ngatërrohet sikur po i flas palës tjetër. Dhe diçka tjetër.

Dëgjoj edhe për njerëz në partitë politike, udhëheqësit politikë në veçanti, duhet të luajnë ndershëm dhe duhet të jenë të ndershëm. Dhe një element i kësaj është se kur një parti përjashton dikë sepse ai person nuk kaloi vetingun në partinë e tyre, ai person nuk duhet marrë nga një parti tjetër për avantazh politik.

Kjo nuk është e pranueshme dhe ky është pozicioni i Ambasadës së SHBA por besoj është edhe pozicioni i popullit shqiptar. Mendoj se duan politikë më të pastër.

Mendoj se duan gjykata më të pastra. Mendoj se duan udhëheqësi të vërtetë, të ndershme nga partitë politike dhe unë jam me ta”, u shpreh Kim.