Hapja e kamerave të sigurisë në rrugicën ku u vra 25-vjeçari Klodian Rasha ka bërë që prokuroria ta ketë të qartë tashmë dinamikën e ngjarjes që çdoi në ekzekutimin e të riut prej efektivit të Shqiponjave, Nevaldo Hajdaraj.
Prokuroria ka parë nga kamerat e sigurisë se mes Nevaldo Hajadarajt dhe Klodian Rashës ka patur një përplasje fizike fillimisht, ndërsa më pas efektivi i Shqiponjave ka nxjerrë armën duke qëlluar ndaj 25-vjeçarit.
Sipas prokurorisë, gjatë përplajes fizike, Hajdaraj ka patur mundësinë të shohë se Rasha nuk ka patur armë me vete, megjithatë ka nxjerrë pistoletën e tij të shërbimit duke qëlluar ndaj tij.
Pikërisht ky fakt, si edhe gjetja e një tjetër pistolete 200 metra larg vendit të krimit ka bërë që prokuroria të arrijë në konkluzionin se Klodian Rasha u vra me dashje nga polici Nevaldo Hajdaraj.
Edhe vetë kolegu i Hajdarajt Erjon Gjore deklaroi më parë se para vrasjes, mes Rashës dhe Hajdarajt pati një përplasje fizike.
Sipas tij, Nevaldo Hajdarja dhe Klodian Rasha janë përplasur fizikisht për disa sekonda kur ai ka qenë 100 metra larg tyre. Pikërisht kjo dëshmi është konfirmuar edhe nga vetë prokuroria.
“Personi kaloi karrexhatën në rrugën “Dritan Hoxha” dhe doli në trotuar përballë “Zoja e Këshillit të Mirë”..duke vrapuar në drejtim të Zogut të Zi… në këtë moment pashë kolegun Nevaldo i cili po vinte në drejtim të këtij personi (Klodianit) dhe përpara dyqanit “pit stop” në pikën fillestare të lëvizjes është përplasur me atë fizikisht për pak sekonda. Unë isha rreth 100 metra larg. Pas pak sekondash përplasje pashë kolegun Nevaldo të shtrirë përtokë… dhe në këtë moment dëgjova dy të shtëna armësh. U afrova dhe ngrita kolegun Nevaldo dhe sëbashku jemi afruar te viktima i cili po rënkonte. Njoftuam sallën operative dhe kërkuam ambulancë,” ka deklaruar ai.
Klodian Rasha u qëllua për vdekje nga efektivi i “Shqiponjave” në rrugicat e Laprakës. Ngjarja ndodhi në rrugën Dritan Hoxha rreth orës 01.10 pas mesnate. I riu kishte dalë nga shtëpia për të blerë një paketë cigare në rrugicën pranë banesës së tij, sipas familjarëve.
Por, në rrethana që ende nuk dihen plotësisht, ai u përball me patrullën e repartit Shqiponja, Nevaldo Hajdaraj dhe Erjon Gjergo. Pas 5 minutash ndjekje nga efektivët e policisë, Rasha u qëllua me armë nga Nevaldo Hajdaraj.