Analisti i LSI-së Ilir Kulla nuk është fija e vetme që lidh Ilir Metën me mafiozët italianë. Në bisedat mes sekserëve dhe anëtarëve të organizatës mafioze ‘Ndrangheta’ përmendet edhe emri i politikanit Pier Ferdinando Casini, i cili ka lidhje me politikanët shqiptarë, për të mundësuar pastrimin e parave, përmes investimeve në ndërtim.
Nuk është rastësi që Pier Ferdinando Casini është shoku dhe miku i ngushtë i Ilir Metës. Në 23 prill të 2018, Ilir Meta ka organizuar një ceremoni në Presidencë për Casinin, duke e dekoruar me Urdhërin “Nënë Tereza”. Çuditërisht koha e dekorimit të Casinit nga Meta përkon me kohën kur mafiozët po përgjoheshin nga prokuroria italiane, teksa flisnin për lehtësinë e korruptimit të krerëve të shtetit shqiptar.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe Sali Berisha, bashkë me Lulzim Bashën. Në fjalimin e tij, Meta ka pohuar se “Një kontribut tjetër i vyer ka qenë mbështetja që zoti Casini i ka dhënë ndërtimit të Qendrës Spitalore Universitare dhe Universitetit Katolik “Zonja e Këshillit të Mirë”, që sot është ndër më të vlerësuarat në vendin tonë dhe ku studiojnë shumë studentë italianë”.
Ndërsa Casini tha se “Dua të falënderoj mbi të gjithë Presidentin e Republikës, z. Ilir Meta për këtë nderim të madh që më ka bërë. Thjesht përmendja e emrit të shenjtores Nënë Tereza më emocionon, duke pasur parasysh faktin se kam pasur nderin ta takoj personalisht në qytetin tim të Bolonjës, kur isha deputet në moshë shumë më të re”.
Megjithatë, linja kryesore e pazareve të Ilir Metës me mafien italiane, duket se është Ilir Kulla. Bosi i grupit mafioz të ‘Ndrangheta-s’ Ercole D’Alessandro flet me shokët e tij se e kishte telefonuar Ilir Kulla, të cilin mafiozët e konsiderojnë si vetë Ilir Metën.
Kujtojmë se në bazë të një dosje tjetër të prokurorisë italiane, Ilir Kulla ishte sekseri i Ilir Metës për të porositur lajmin e rremë për gjoja hyrjen e 1400 kontenierëve me plehra në Shqipëri. Për këtë lajm janë paguar rreth 50 mijë euro para të pista. Po aq e rëndë është edhe linja tjetër e mafies italiane me njerëzit e Edi Ramës, që nga Erion Veliaj deri tek kryepolici i Tiranës./Pamfleti