Teksa sot shënojnë 10 vite nga protesta e 21 Janarit, ku humbën jetën 4 protestues, emisioni ‘Real Story’ në ‘News24’ sjell dëshmi nga protesta e dhunshme në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Në një rrëfim për emisionin, gazetari Mero Baze tregoi se si nisi lëvizja për 21 Janarin, ndërsa shtoi se fuqia e demonstrimit të kësaj proteste buronte nga një zemërim i akumuluar prej kohësh, që sipas tij vinte edhe nga një proces i dyshimtë zgjedhor i vitit 2009.
Ndërkohë, gazetari Andi Bushati, një tjetër dëshmitar i 21 Janarit, tha se tensioni filloi kur një grup i organizuar protestuesish të opozitës të armatosur me hunj, me shkopinj, me çadra, filluan të sulmonin policinë.
Po ashtu, pjesë e këtij emisioni është bërë dhe ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, i cili tha se; “Dhe që të kuptosh 21 Janarin, duhet të kuptosh të gjithë atë periudhë.”. Dëshmitar i 21 Janarit ishte dhe gazetari Sokol Balla.
MERO BAZE: Mendoj se 21 Janari ka filluar ditën kur televizioni Top Channel transmetoi videoregjistrimin e Ilir Metës, regjistruar në zyrën e ministrit të Ekonomisë të asaj kohe të ndjerit Dritan Prifti, e cila shkaktoi një lloj tërmeti politik në vend dhe ngriti shumë pritshmërinë e një proteste popullore, demonstrimi popullor kundër nivelit të korrupsionit. Ajo çka u pa në ato pak minuta video ishte e gjitha ilustrim i asaj që shumë qytetarë shqiptarë e përjetonin prej kohësh, që një qeveri jo vetëm e korruptuar, por edhe arrogante në kuptimin e mospërfilljes të asnjë rregulli dhe asnjë ligji në qeverisjen e vendit, por thjesht në funksion të një klani politik, përtej politikës, një klani gati mafioz. Kështu që mendoj fuqia e demonstrimit së 21 Janarit buronte nga një zemërim i akumuluar prej kohësh, i cili vinte edhe nga një proces i dyshimtë zgjedhor i vitit 2009, nga arroganca me të cilën nuk u përfill protesta opozitës për hapjen e kutive, mënyra sesi u dogjën kutitë e votimit në mënyrë demonstrative dhe nuk u përfill asnjë ndërhyrje ndërkombëtare për të negociuar transparencën e zgjedhjeve. Mbivbendosja e këtij nervozizmi me videon e Ilir Metës besoj se ishte një lloj kapsule, një lloj shkrepëseje në një bombë, që ishte përgatitur, kishte akumuluar energjitë e saj për të shpërthyer. Kështu që 21 janari ishte vetëm ekrani dhe skena e demonstrimit të kësaj energjie të akumuluar, por gjithçka kishte ndodhur më parë.
ANDI BUSHATI: Protesta ishte në një pikë kur opozita, si të thuash ishte si ai I dëshpëruari që regjimi I Berishës e kishte vënë me’ shpatulla pa muri’. Njerëzit e opozitës ishin të revoltuar për të bërë diçka përtej një proteste paqësore. Kjo ishte parë nga situata politike që kishte ardhur. Berisha s’kishte hapur kutitë për një kohë të gjatë, i kishte gënjyer socialistët tek ‘darka e krokodilit’, pastaj kishte bërë disa ndryshime ditën e fundit të vitit të vitit në parlament, që kishte prishur çdo marrëveshje dhe prandaj po t’a shikoje politikisht, pritej diçka e ndryshme. Nga ana tjetër, edhe tensioni i ditëve të para, të 21-janarit, mënyrat se si ishin bërë spotet, një deklaratë e Spartak Ngjelës, që thoshte ‘ këtë here do të kaloni dhe mbi trupat tanë’ kishte krijuar një lloj tensioni, por në momentet e para kur ne zbritëm në shesh, ky tension nuk dukej. Tensioni filloi kur një grup i organizuar protestuesish të opozitës të armatosur me hunj, me shkopinj, me çadra, filluan të sulmonin policinë. Aty ne kuptuam që këtë here do të ishte ndryshe.
AMBASADORI ARVIZU: Në dhjetë ditët para protestës dhe në ditët pas, deri në protestën homazh të 28 janarit. Pra, ishte një periudhë tre javore e tensionuar. Dhe që të kuptosh 21 Janarin, duhet të kuptosh të gjithë atë periudhë. Unë ndjeva se tensionet po rriteshin shumë, dhe unë që ende po njihja Shqipërinë, megjithëse në përvojën time kisha provuar situata edhe më të dhunshme, e kisha të vështirë të kuptoja pikën kyçe.
SOKOL BALLA: Ka patur shumë akuza që ishin dhe publike, por që tentuan të bëheshin dhe penale ndaj kreut të opozitës për atë deklaratë që bëri në emisionin tim. Besoj se zoti Rama ishte ne dijeni për shkak të situatës në terren, që nëse do të një manifestim publik, vështirë se ai do të qëndronte brenda kornizave normale të një proteste, për shkak të efektit të fortë që kishte dhënë transmetimi i videokasetës, përgjimit të Ilir Metës. Dyshoj gjithsesi Edi Rama ashtu si gjithë ne të tjerët, kishte parashikuar se cdo të ndodhte paraditen e 21 janarit.
AMBASADORI ARVIZU: Berisha ishte i shqetësuar, por duke qenë Berisha, më tha se Rama ishte gabim. Por u duk se e kuptoi mesazhin se SHBA-të ishin pro protestave demokratike në princip, dhe më kujtohet shumë qartë se tha që duke respektuar protestën, qeveria nuk do të toleronte dhunën. Unë shpresova që mesazhi ishte përcjellë i qartë.… Duke ditur gjërat që dimë sot, kam thënë gjithmonë se ajo ishte një lloj tjetër demonstrate. Nuk e di kush i drejtonte, por disa protestues kishin synim të bënin sa më shumë rrëmujë e probleme që të mundeshin. Nuk po them se cila ishte taktika, hyrja apo jo në zyrën e Kryeministrit, por ishte e qartë se ishte më shumë se një protestë paqësore. Qëllimi ishte të provokonin një reagim dhe kundërpërgjigje nga Policia.
SOKOL BALLA: Besoj që opozita ishte e detyruar të ndiqte rrjedhën e ngjarjeve nga data 10 janar, kur “Fiks Fare transmetoi përgjimin e Dritan Priftin dhe bisedën e tij me Ilir Metën. Një përgjim, i cili në mendjet e njerëzve u duk sikur vërtetoi një mit urban që ekzistonte për zëvendës kryeministrin dhe aktivitetin e tij të lidhur me politikën, por edhe jashtë saj. Besoj që përshkallëzimi i qëndrimit të opozitës për shkak të efektit të fortë që pati transmetimi i asaj videoje, opozita në njëfarë mënyre ishte e detyruar ta kulmonte me atë që duhet të ishte një manifestim, por që përfundoi në një demonstratë të dhunshme.
ANDI BUSHATI: Ajo ditë e 21-janarit, kishte një lloj tensioni që ndihej që përpara se të fillonin trazirat. Unë atëherë punoja në Vizion+, edhe pasi mbaruam mbledhjen e zakonshme të redaksisë, bashkë me dy kolegët e mi, Mero Baze, Arban Hasani, vendosëm që do shkonim të ndiqnim protestën e opozitës. Bashkë me ne, na u bashkëngjit edhe drejtori i televizionit Genc Dulaku, morëm një makinë dhe zbritëm në bulevard. Kur zbritëm në bulevard, njerëzit ishin akoma të rrallë, se kishim vajtur një gjysmë ore le të themi përpara dhe ishim mësuar me një radhë të gjatë protestash shumë të mefshta të opozitës dhe vetë i të qenit gazetar thotë ‘ e mo s’ka për të ndodhur ndonjë gjë’ dhe me këtë lloj skepticizmi u ngjitëm drejt lokalit të Fidel Yllit, që ndodhej në ‘Dy kullat binjake’. Atje për here të pare, takuam edhe deputetin Fidel Ylli, edhe deputetin Ben Blushi, që kur u përballën me skepticizmin tone, na thanë: ‘Jo prisni, sot do keni surpriza, sot do jetë ndryshe’. Aty për herë të parë filluam të ndërgjegjësoheshim që kjo protestë e opozitës, nuk do të ishte një protestë e ‘zverdhur’ dhe ‘e butë’, njësoj si të tjerat.
SOKOL BALLA: Një javë më pas, kam transmetuar në emision një xhirim privat me kameran e tij, që kishte bërë Hekuran Deda, i cili pothuajse në të njëjtën orë, kalonte nga ana tjetër e lulishtes së statujës së Skënderbeut dhe xhironte veten e tij dhe 3-4 veta me të cilët po shkonte në demostratë. Ndërkohë që unë shkoja dhe grumbulloja rrugës tensionin e një ngjarje shumë të rëndë që do të ndodhte pak më vonë, nga ana tjetër Hekuran Deda, sic e deklaronte vetë i ndjeri në xhirim, që po shkonte thjeshte si spektator, pra thjeshtë për të parë, si spektator dhe jo si protagonist, jo si pjesëtar i demostratës, atë cfarë do të ndodhte në ora 11 në Sheshin Skënderbej. Dhe le të themi paralelisht në trurin tim si një skenar filmi unë shoj veten time duke kaluar nga njëri krah i lulishtes, Hekuran Dedën nga krahu tjetër. Unë deri diku me pritshmëritë e mia për atë që do ndodhte. Dhe nga ana tjetër Hekuran Deda që sigurisht nuk e dinte që do të isha hera e fundit që do të kalonte në sheshin Skënderbej. Virtualisht takohem me Hekuranin, virtualisht them, takohem para kryeministrisë. Unë ngjitem te dy Kullat në katin e 3 dhe pas pak orësh kam parë më sytë e mi, sesi ai u këput nga plumbat e automatikut të Agim Llupos. Nuk kam menduar kurrë që ajo ngjarje do të percipitonte në atë moment. Kam bërë debat shumë të fortë më njerëzit përreth. Me një funksionar të lartë të Gardës së Republikës, i cili ishte civil dhe ai më thoshte “Sokol u vranë 3 vetat e parë dhe unë nuk e besoja kurrë. Mendoja se ishin gjuajtur me plumva manovër apo me plumba plastikë. Nuk e imagjinova kurrë që atë ditë do të vriteshin njerëz me plumba.
MERO BAZE: Jo i vetmi perceptim që kisha ishte se do të ishte një demostrim i fuqishëm, për shkak se kisha parë reagimin me të cilin u përcoll video e Ilir Metës, reagimit pas videos së Ilir Metës, dorëheqja e Ilir Metës dhe retorika e ashpër politike që shoqëroi gjatë atyre 10 ditëve gjithë skenën politike në Shqipëri. Përditë mund të dëgjoje të shara me libër shtëpie nga Ilir Meta për Edi Ramën, nervozizëm nga pala tjetër me kundërpërgjigje Sali Berishën që ruante si shqiponjë se mos i ikte Ilir Meta nga koalicioni dhe mos ja arrestonin që t’i prishej qeveria, pra dukej që kishte pritshmëri të fortë për një demonstrim popullor. Dhe nuk ndodhi gjë tjetër veç demonstrimit popullor, përveç asaj që bëri qeveria që vrau njerëz. Dhe kur po vriteshin njerëz, dhe unë i kisha përballë, perceptimi im ishte që po plagoheshin, s’kisha parë ndonjëherë njerëz duke u vrarë kur ata këputeshin në tokë, ne mendonim se po bien nga paniku po shtyhen, po plagosen ndoshta, por jo po vriten.
ANDI BUSHATI: Ne nuk menduam se do të kishte të vrarë, madje e kemi mare vesh shumë më vonë se sa kemi dëgjuar të shtënat dhe vetëm kur mediat filluan të komunikonin lajmin që ka njerëz që po largohen drejt spitalit. Në këtë kuptim gjithë impresioni im i pare është që ne ishim në një tavolinë, po I ndiqnim ngjarjet sit ë thuash nga lart, dhe në një moment kur tensioni midis policies, gardistëve dhe turmës së protestuesve u bë shumë i madh, erdhën makinat që shpërndanin me ujë protestuesit dhe aty mbaj mend që i kam thënë Mero Bazes këtu ndodhi diçka. Ky ujë që po derdhet mbi protestuesit do të jete nesër në të gjithë mediat botërore. Regjimit të Berishës iu prish ajo ikona e bukurisë dhe I një regjimi paqësor.
AMBASADORI ARVIZU: Specifikisht atë mëngjes të premteje, ne si ambasadë kishim një visitor të rëndësishëm nga Departamenti i Thesarit, por më kujtohet se ndërsa po dilnim nga Banka e Shqipërisë që drejtohej nga Fullani, nën një qiell me plot re dhe të ftohtë, i thashë atij se çfarë mendonte se po ndodhte. Ai m’u përgjigj: “Miku im, shqiptarët duan dramën, flasin shumë, por në fund të gjithë tërhiqen mbrapsht”. Ndërsa hyja në makinë, u ndjeva i inkurajuar, sepse Fullani kishte përvojë dhe unë e dija që megjithë tensionin, ICITAP po merreshin me policinë dhe siguria e ambasadës ishte e mirë. Dhe, kishim dërguar staf që të ndiqte protestën. Dhe, duke besuar Fullanin, mendova që mund të kishte ndonjë përplasje e ndonjë arrestim, por jo aq shumë. Atë javë isha takuar me Berishën dhe me Edi Ramën…