Prapaskena

Katastrofë humanitare në Vlorë, 25 persona digjen në mes të detit, një pjesë e tyre nisen drejt Tiranës. Ka edhe fëmijë (Dëshmitë)

Publikuar: 09/01/2021

Mbrëmjen e djeshme në Vlorë u gjetën 50 klandestinë në një gomone, që po përpiqeshin të trafikoheshin drejt Italisë. 25 prej tyre u dërguan në spital, për shkak se kishin pësuar djegie në trup.

Trafikantët (skafistë dhe shoqërues, dyshohet 2 ose 3 persona), i kanë shpëtuar kapjes nga autoritet policore. Burime bëjnë me dije se ka dyshime që trafikantët të jenë ndihmuar për tu larguar nga autoritetet që morën pjesë në operacionin e shpëtimit. Të njëjtat burime bëjnë me dije se ka nisur një hetim për përfshirjen e punonjësve të rojës bregdetare.

Gjatë komunikimit mes policisë dhe rojës bregdetare, këta të fundit kanë komunikuar se kanë pasur nën kontroll trafikantët, por më pas ka rezultuar se trafikantët janë arratisur. Dyshohet që nisja e gomones të jetë bërë nga Kavaja dhe jo nga fshati Poro, që ishte raportuar fillimisht.

Në telefonat personal të sirianëve janë gjetur fotografi të bëra në kryeqytet dhe nga deklarimet e tyre thuhet se ata kanë ndaluar në autostradë dhe kanë ecur shumë pak në një rrugë të prishur, e më pas kanë dalë në det.

Rreth 50 klandestinë nga Lindja e Mesme ( Sirianë) qëndruan mbi 3 orë në përballje në det të hapur me motin e keq. Ata tentuan të kalonin ilegalisht kufirin drejt Italisë me gomone të ndihmuar edhe nga një grup trafikantësh shqiptare. Ndërsa shumë prej tyre në gjëndje të rëndë shëndetësore i janë drejtuar spitalit Rajonal të Vlorës. 16 persona morën ndihmë të specializuar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ndërsa 9 burra dhe gra nisën drejt Spitalit të Traumës, mes tyre tre fëmijë nën moshën 10 vjeçare.

Ndërsa mjeti lundrues i tipit gomone mbeti në grykëderdhjen të Vjosës për orë të tëra për shkak të erërave të forta në drejtim jug- perëndim.

Xhilal M. Një sirian i cili po shoqëronte të motrën tha se ishte në gomone sëbashku me dy motrat dhe nipin 7 vjeçar. ”Paratë i ka paguar im vëlla , nuk e di sa lek ka paguar, ne donim të shkonim në Itali ….në Europë, kudoqoftë. Kemi qëndruar për rreth 3 orë në det, u dogjëm nga benzina.”.

Pjesa tjetër e tyre gjenden në korridoret e Drejtorisë Vendore të policisë. Kjo e fundit në komunikatën e saj për shtyp tha se goditi një rast trafiku klandestinësh, megjithatë salla operative u njoftua për një mjet lundrues me shtetas të huaj në bord që kërkoi ndihmë për shpëtim pasi gjendej në grykëderdhjen të Vjosës në rrezik për tu mbytur. Gomonia e përmasave të mëdha është dëmtuar dhe mbytur pjesërisht.

Në aksionin e shpëtimit morën pjesë një mjet lundrues i Rojes Bregdetare dhe dy mjete të Guardia di Finanzas Italiane. Në tokë aksioni për krehjen e territorit dështoi, ndërsa policia nuk arriti të zbardhë dhe ndaloj shqiptarët e përfshirë në trafik.



Më të lexuarat