Policia ruse është vënë në kërkim të dy burrave pasi një video e tyre duke bërë duel me fishekzjarrë u bë virale në rrjetet sociale. Pamjet të cilat janë shpërndarë në internet, tregojnë dy individët të cilët qëndrojnë në mes të rrugës gjysmë të zhveshur teksa i drejtojnë njëri-tjetrit fishekzjarret shumëngjyrëshe.
Në klip, burrat tentojnë t’i shmangen goditjeve të njëri-tjetrit ndërsa një turmë e madhe njerëzish i rrethon, duke parë. Sipas raportimeve, incidenti ndodhi gjatë festimeve të Vitit të Ri pak pas mesnate në Balashikha, afër Moskës. Policia po heton incidentin dhe po kërkon të flasë me ata që janë përfshirë në duelin e rrezikshëm.
Kjo nuk është hera e parë që njerëzit përdorin fishekzjarre në një mënyrë kaq të rrezikshme. Vitin e kaluar, u shpërndanë pamje tronditëse që tregonin momentin kur bandat e të rinjve qëllonin me fishekzjarre njëri-tjetrin në qendër Birminghamit, teksa banorët shikonin të tmerruar.