Një infermiere ka dhënë një dëshmi tronditëse të kushteve të padurueshme në një spital të Londrës që po trajton të sëmurët me Covid, në një kohë që mjekët paralajmërojnë së më e keqja e valës së dytë të koronavirusit nuk ka ardhur ende.
Tabloidi britanik “Metro.co” raporton se infermierja e cila punon në Spitalin Whitington në Veri të Londrës, flet për pacientë që lihen nëpër korridoret e spitalit me aparate oksigjeni, dhe të tjerë që kanë kaluar deri në 3 orë në ambulancë për shkak të mungesës së shtretërve në spital.
“Unë jam e shqetësuar për sigurinë e pacientit sepse nëse këto gjëra të vogla po ndodhin tani kur ne jemi nën kufizim, gjendja vetëm do të përkeqësohet. Nuk e di se çfarë do të ndodhë tjetër, kjo më shqetëson”, shprehet infermierja në kushte anonimati.
Ajo tha se 6 shtretër po vendoseshin në kënde të caktuara dhe dhomat që zakonisht akomodonin 4 pacientë janë improvizuar. “Ka pacientë që lihen me oksigjen nëpër korridore dhe presin të kthehen në dhomën e tyre”, u shpreh ajo.
Infermierja i bën thirrje qeverisë të nisë një bllokim të plotë, duke thënë se kushtet ishin tashmë “të padurueshme” dhe situata ka të ngjarë të përkeqësohet me pikun që pritet në javët e ardhshme pasi disa familje u mblodhën për të festuar në Krishtlindje.