June 6, 2026 7:59 pm |users2023 users2023 | Kryesore
Pamjet ajrore të siguruara me dron nga protesta e zhvilluar sot tregojnë një pjesëmarrje më të ulët krahasuar me tubimet e mëparshme.
Në pamje vihet re se numri i protestuesve është reduktuar ndjeshëm, ndërsa hapësirat e sheshit duken më pak të mbushura se në protestat e fundit.
https://youtube.com/shorts/PiwiwMcYoW0?si=wsmTbN5trZX3d0nb
/Tema
test
June 6, 2026 7:28 pm |users2023 users2023 | Kryesore
Ka një metamorfozë të Sali Berishës, kur vjen puna te protestat qytetare kundër projektit për të ndërtuar resort në Zvërnec. Në fillim i sulmoi qytetarët në protestë duke i quajtur mjeranë. Pjesëmarrësit, shumica të rinj, i quajti sorosist, e të kapur nga kryeministri.
Sot, i quan qytetarë të lirë, pjesë e një të vërtete të madhe, “trungu” siç shprehet ai, që kërkon të rrëzojë qeverinë. Por kur vjen puna te kori i protestuesve “Rama në burg, Berisha në burg”, kreu i PD-së bëhet qesharak.
Vetë të tijët, simpatizanë demokratë që e ndjekin në Facebook dhe bëhen pjesë e bashkëbisedimit online çdo të shtunë me liderin e partisë që mbështesin, e pyetën se çfarë ka për të thënë për kërkesën e protestuesve që Berisha duhet të përfundojë në burg.
I zënë ngushtë, ai bëhet kontradiktorë.
E gjithë turma thërret në kor “Rama në burg, Berisha në burg”, por kreu i PD-së e dëgjon me shkëputje këtë thirrje.
Kur vjen puna te “Rama në burg”, për të, protesta është madhështore, shenjë e revoltës ndaj qeverisë, që kryeministri duhet ta dëgjojë sipas tij, e të largohet.
Por kur ndan pjesën që i djeg më shumë, “Berisha në burg”, me frikën e një gjyqi në kurriz, i akuzuar për korrupsion në aferën “Partizani”, kreu i PD i rikthehet sulmeve ndaj qytetarëve në protesta.
“Nuk duhet që gjethet të na pengojnë për të parë trungun” , tha sot Berisha në bashkëbisedim online me demokratët.
Thotë se protesta ka dirigjim dhe se ata janë të shfrytëzuar nga “vegla” të qeverisë, opozitë e opozitës siç ai thekson.
Nga një protestë me një trung që shfaq të vërtetën e madhe “rrëzimin e regjimit të kalbur”, sipas tij, – kur përpara syve i vjen kërkesa për arrestim e tij, Berisha e sheh protestën “si një gjethe”.
E vërteta është shumë e thjeshtë: pavarësisht propagandës së sotme dhe përpjekjes për të marrë nën kontroll forcën e një demonstrate që ai nuk ka arritur kurrë ta organizojë në këto përmasa dhe me këtë kreativitet, Berisha pretendon se çështjen e Zvërnecit apo investimet e familjes Trump i ka denoncuar i pari.
Në fakt, në asnjë nga mitingjet partiake të thirrura prej tij gjatë viteve të fundit nuk është përmendur kurrë as Zvërneci, as Sazani, as resortet e familjes Trump dhe aq më pak flamingot. Madje, flamingot u rikthyen në lagunën e Nartes vetëm pas ndryshimit të qeverisë, kur peshkatarët e lidhur me Partinë Demokratike u larguan me forcë nga rojet e reja të parkut kombëtar. Në kohën e Berishës, këto struktura ishin korruptuar deri në atë pikë sa toleronin edhe peshkimin me tritol.
test
June 6, 2026 7:04 pm |users2023 users2023 | Analizë
Nga Ben Andoni
Protesta e ditëve të fundit në Tiranë është mbresëlënëse. Ndryshe nga pretendimi për ndikimin grek, serb, atë rus dhe më gjerë, ajo ka treguar diçka që nuk mund ta kuptojnë njerëzit që janë larg dhe i qëndrojnë skiç saj. Është e vërtetë e pamohueshme se: Publiku është i lodhur prej kohësh me këtë qeverisje. Publiku është i mërzitur. Publiku shqiptar është i dërrmuar. Publiku shqiptar është shpesh i nëpërkëmbur. Mjafton të ndjekësh me kujdes kronikën e lajmeve ditore dhe do t’i kuptosh arsyet e vërteta. Qoftë edhe sikur je soditës. Në Shqipëri ka kohë që nuk ka më shpresë dhe mbi të gjitha ka gënjeshtra nga çdo skaj i qeverisjes, administratës dhe dukjes lëbyrëse të mrekullisë shqiptare dhe integrimit Evropian në vitin 2030. Ngritja e zërit! Ky është edhe mbetet filli i vetëm që i bashkon protestuesit, kurse ngjarja e Zvërnecit është thjesht shkëndija që e ndezi. Shumë prej pjesëmarrjes dinë shumë pak për Lagunën, vetë Zvërnecin, pelikanin etj. Por, kanë në kurriz padrejtësinë. Më së shumti gjen përfaqësuesit e Gjeneratës Z., pikërisht atë që po e trand historinë e protestave në vitet e fundit ngado. Dhe, çfarë është më e bukura, ata po ngjallin një solidaritet, të harruar prej vitesh. Janë përpjekur deri më tani forcat e opozitës t’u bashkohen, por ato kanë mbetur udhës. Janë përpjekur edhe ato të partive të vogla, por edhe ato kanë mbetur udhës, me pak ndryshime nga forca politike e z. Qorri dhe z. Shehu. Pak kohë më parë, përpjekja disa javore e grupit të Lapajt dhe sakrifica e tyre, u shua pa asnjë lloj mesazhi, sikur të mos kishte ndodhur. Kjo e tanishmja bashkon grupe të ndryshme, qytetarë të moshave dhe profesioneve të ndryshme, si edhe mbart shumë mllef të përmbledhur. Si në çdo protestë, tribunën e rrëmbejnë lloj-lloj personazhesh por edhe kjo është e pranueshme në raste të tilla. Problem është se çfarë do të ndodhë në të ardhmen?! Pjesa kundër tyre, qoftë nga politika, media dhe kundërshtarë të ndryshëm (tashmë u duhet militantizmi) e ka harxhuar tashmë pjesën më të madhe të municionit anti-protestë. Ndërkohë, ajo që një pjesë nuk po kuptojnë (ose mbase e dinë dhe do e reflektojnë) në protestë është sesi do të vazhdojnë përpjekjen e tyre dhe sesi do të bëhen gjithnjë e më shumë kompaktë. Ballkani na jep shembuj që janë të hidhur për këto lloj protestash. Sidomos protestat e Gjeneratës Z., kulmuar pas vitit 2018, kanë dhënë fillimisht shumë shpresë për njerëzit, një e tillë është edhe kjo e fundit në Shqipëri. Kush do të “harxhojë” pak minuta pjesëmarrje do ta kuptojë më së miri këtë fakt. Por, përzierje e grupeve pjesëmarrëse, pra amullia e strukturës; kohës së nxehtë dhe Botërorit, apo dhe “lodhjes prej protestës” janë paralajmërime. Modeli i Bullgarisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut mund të shërbejnë si laborator i mirë për ecurinë. Të gjitha i bashkon një element: protestat e Gjeneratës Z. janë të mbështetura në grupime kolektive dhe pa liderë. Frika nga protagonizmi i disa personazheve i bën ata të druajtur, por kjo ruan një problem të madh, që indirekt doli nga fjala e Ramës kur kërkoi negocimin: Kush do të ketë tagrin të flasë me pushtetarët dhe Ramën, apo cili duhet të vendosë, apo më shumë akoma një grup kolegjial që të paraqesë platforma?! Kush mund të administrojë këtë masë që pret të ketë objektiva të dallueshme dhe përfaqësuese?! Energjia fillestare e dha suksesin: SPAK po merret seriozisht me pronën (Sa vonë, vetëm!!), u hoq leja e firmave që merreshin me ruajtjen e zonës; U mor i pandehur individi që rrahu protestuesin etj., po cili do të jetë hapi tjetër për këtë masë njerëzish që do të negociojë? Për këtë nuk ka përgjigje ende, sepse Rama është i vendosur të rrijë dhe do të gjejë të gjitha mundësitë që të qëndrojë, duke i lënë të vazhdojnë… Dhe, më të hidhurën e mësimeve ia dha Serbia, duke e shterur të gjithë energjinë me zërin e bërë të shurdhër ndaj protestave të tyre. Pas njëfarë kohe, qytetarët që nuk janë në protestë “lodhen” prej bllokimeve dhe “bjerraditës” së fëmijëve të tyre; studentëve u duhet të paraqiten në ciklet shkollore dhe provimeve (çuditërisht nuk shihet shumë pjesëmarrja e tyre në Shqipëri!!!); dhe ai presion indirekt, që bëhet përmes zërave pro-qeveritarë. Në rastin shqiptar, për fatin e keq të studentëve, u janë bashkuar dhe zëra të ndryshëm nga opozita. Ka ditë që individë të ndryshëm kanë futur në matricë problemin grek, ndikimin serb dhe sidomos atë rus. Pas disa javësh njerëzit, kur të mos ketë përgjigje më, do të mpihen. Një ndjeshmëri të tillë të rinjtë e patën dje, kur u futën në Bllok dhe u munduan të trandin bashkëmoshatarët e tyre që t’i ndihmojnë. Po pas disa javësh?! Po në rast se në rrjetet sociale, nuk do të jetë kjo dendësi mesazhesh, që për Gjeneratën Z është karburant a do të vazhdohet?!
Risia më e madhe e kësaj proteste është se të dy partitë kryesore nuk kanë vend në këtë entuziazëm popullor. “Rama Ik dhe Berisha ik”, artikulohet njëzëri. Një pjesë e partiakëve rrinë aty pranë, por nuk qasen dot, kurse përgjigjen e kanë marrë nga një komunitet gjithnjë e më i madh që nuk i dëshiron më. Është një nga tiparet e kësaj gjenerate që nuk i do partitë, por nëse Rama do të bëjë lëshim për zgjedhjet e parakohshme, çfarë do të bëjnë me të gjithë këtë energji. Cilët do t’i përfaqësojnë?! Pleniumet siç i quajnë në Serbi po mbesin sepse studentët nuk merren vesh me njëri-tjetrin dhe ka nisur protagonizmi. Dhe, koha kalon, ndërsa publiku kthehet sërish atje ku ka mbetur me shfryrjen: Gjërat mëzi ndryshojnë në vendin tonë. Masa e të rinjve arriti që në Bullgari (2020) të hiqnin tre ministra, ndërsa në Serbi hoqën edhe kryeministrin, por gjërat kanë mbetur ende ashtu. Lodhja dhe mbijetesa e një lëvizje e mbysin pak e nga pak protestën. Këtë e dinë mirë në Tiranë, ndaj një pjesë kanë nisur t’i bëjnë shërbimet e duhura establishment-it PS dhe PD. Timothy Snyder, njeriu që e parashikoi Trumpin dhe pushtetin e tij na ka lënë diçka interesante për protestat: “Që rezistenca të ketë sukses, duhet të kalohen dy kufij. Së pari, idetë për ndryshim duhet të angazhojnë njerëz me prejardhje të ndryshme që nuk pajtohen për gjithçka. Së dyti, njerëzit duhet të gjejnë veten në vende që nuk janë shtëpitë e tyre dhe midis grupeve që më parë nuk ishin miqtë e tyre. Protesta mund të organizohet përmes mediave sociale, por asgjë nuk është reale që nuk përfundon në rrugë. Nëse tiranët nuk ndiejnë pasoja për veprimet e tyre në botën tre-dimensionale, asgjë nuk do të ndryshojë.” E ka shkruar tek “Mbi Tiraninë: Njëzet Mësime nga Shekulli i Njëzetë”, një mësim i madh për kohën tonë. Mos iu gëzoni, pra, suksesit por kërkoni atë që është urgjente për Shqipërinë, ngutin për ndryshim.
test
June 6, 2026 5:54 pm |users2023 users2023 | Kronike
Një protestues u ngjit në podium duke thënë se ndërtesa e kryeministrisë duhet shembur pasi kryeministri Edi Rama, është e keqja më e madhe e këtij vendi.
“Ky vend as nuk ka shkollë, as zhvillim, ka vetëm hajdutëri, vetëm poshtërsi fajtor për të gjitha këto është kjo godinë e ndyrë. Duhet shembur kjo godinë, kjo është e keqja e këtij populli”, tha ndër të tjera një protestues.
test
June 6, 2026 5:24 pm |users2023 users2023 | Politikë
Kryeministri Edi Rama është shprehur se para se të vinte në pushtet qeveria e tij, Vlora ishte në ditët e saj më të zeza.
Teksa përshkroi situatën në qytetin bregdetar, Rama tha se Vlora ishte me rrugë të pashtruara ku qytetarëve u rrezikohej jeta përditë.
Më tej teksa sulmoi opozitën dhe protestuesit që kundërshtojnë investimin në Zvërnec, Rama tha se ka ardhur koha që në Shqipëri të bëhen investime të mëdha.
Me ironi Rama tha se dikur në Vlorë po të ktheheshe në zonën e quajtur Pusi i Mezinit, ‘rrezikoje të mbyteshe në Lumin e Vlorës. Dhe po të dilje gjallë, mushkonja ishte për ta zënë dashnore.’
“Në Sazan shqiptarët nuk shkonin dot deri dje se ishte bazë ushtarake. Shqipërinë 1 euro nuk e shpika unë, aty ishte. Më tregojnë mua këta honxhobonxho investimet strategjike. Dhe më thonë ‘po prishet Shqipëria nga investimet strategjike’. Por s’kishte investime strategjike Vlora kur erdhëm ne në detyrë. E mbani mend që ktheheshe te Pusi i Mezinit dhe papritur mund të mbyteshe në Lumin e Vlorës dhe mos ta gjeje dot ku ishte Vlora?”, tha Rama.
“Të hanin mushkonjat në Vlorë”, tha një qytetar.
“Po lere more mushkonjën, mushkonja ishte për ta zënë dashnore po të arrije gjallë. Po gropat në Lungomare? Më e bukura është se te Zvërneci ata nuk kanë kërkuar fare statusin e investitorit strategjik. Këta s’kanë as logjikë, janë dërrasë. Ne po na ikën tepeleku kokës, ku kemi terezi ne që të merremi me këta. Ata shikojnë IA dhe thonë do sjellë Rama palestinezët këtu bashkë me Netanyahun. Ne në 2027 do mbyllim negociatat me BE-në. Tani është koha që këtu të vijë para shumë më e madhe”, tha Rama.
test
June 6, 2026 5:09 pm |users2023 users2023 | Politikë
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar për protestat kundër projektit në Zvërnec, duke shprehur mbështetjen e PD-së për kërkesat e qytetarëve. Sipas saj, revolta nuk lidhet vetëm me Zvërnecin, por me një model qeverisjeje që ka cenuar pronën, mjedisin, pasuritë kombëtare dhe trashëgiminë kulturore. Tabaku bëri të ditur gjithashtu se Partia Demokratike po përgatit padinë për ta dërguar Paketën e Maleve në Gjykatën Kushtetuese.
Reagimi i plotë i Tabakut:
Shqipëria sot është e mbushur me një revoltë të drejtë qytetare kundër një sistemi që për vite me radhë ka punuar për pakicën në kurriz të shumicës. Në emër të Partisë Demokratike, mbështesim kërkesat e protestuesve dhe shqetësimin legjitim të qytetarëve për mbrojtjen e pronës, pasurive kombëtare, mjedisit dhe trashëgimisë kulturore të vendit. Këto nuk janë çështje të reja për ne. Për vite me radhë kemi luftuar në Parlament kundër Ligjit të Investimeve Strategjike, një ligj që ka krijuar privilegje, ka cenuar të drejtën e pronës dhe ka prodhuar konflikte të shumta sociale e ligjore. Kemi kundërshtuar ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura. Kemi kundërshtuar ndryshimet në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Kemi ngritur shqetësimet tona në institucionet europiane dhe kemi paralajmëruar për pasojat që këto politika sjellin për të ardhmen e Shqipërisë. Po ashtu, dua të bëj të ditur se Partia Demokratike po përgatit padinë për ta dërguar Paketën e Maleve në Gjykatën Kushtetuese. Ne besojmë se ky ligj cenon interesa publike, të drejta kushtetuese dhe krijon një tjetër instrument në shërbim të një modeli zhvillimi që nuk respekton qytetarët dhe komunitetet lokale. Mbështesim kërkesat e protestës qytetare, përfshirë rishikimin dhe shfuqizimin e ligjeve që kanë mundësuar këto abuzime. Nuk është rastësi që çështja e Zvërnecit ka tërhequr vëmendjen edhe në nivelet më të larta të Bashkimit Europian. Kjo tregon se problemi nuk është thjesht një projekt i izoluar, por një model qeverisjeje që ka ngritur pikëpyetje serioze mbi shtetin e së drejtës, mbrojtjen e pronës dhe transparencën. Sot beteja nuk është vetëm për Zvërnecin. Është një betejë më e madhe kundër një sistemi që po u merr shqiptarëve pronën, mundësitë dhe besimin tek e ardhmja. Ky sistem duhet ndryshuar. Dhe kjo është një betejë që i përket çdo qytetari që beson tek një Shqipëri më e drejtë, më e lirë dhe më demokratike.
test
June 6, 2026 4:48 pm |users2023 users2023 | Kronike
Protestat kundër projektit në Zvërnec kanë hyrë në ditën e shtatë, ndërsa tubimet dhe marshimet janë shtrirë jo vetëm në disa qytete të Shqipërisë, por edhe në qendra të rëndësishme ku jeton diaspora shqiptare.
Pas protestës së zhvilluar gjatë paradites në Zvërnec, protestuesit janë mbledhur sërish pasdite rreth orës 18:00 në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Ashtu si në ditët e mëparshme, ata kanë marshuar në drejtim të Kryeministrisë, ku kanë vijuar thirrjet kundër qeverisë dhe projektit që kundërshtohet prej tyre.
test
June 6, 2026 3:19 pm |users2023 users2023 | Krim & Korrupsion, Kryesore
Sajmir Kolaveri, i njohur si daja i Aurel Hoxhës, i akuzuar nga drejtësia shqiptare si vrasës i Klevis Lleshit në vitin 2020, është ekstraduar nga Italia. Kolaveri ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritete shqiptare, pasi më 25 shtator të vitit 2025 Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), i ka caktuar masën arrest në burg, për një sërë veprash penale. Ndaj 44-vjeçarit Kolaveri rëndojnë akuzat “Vrasja për gjakmarrje”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, si dhe veprat që lidhen me grupin e strukturuar kriminal dhe armëmbajtjen pa leje.

Sajmir Kolaveri njihet si daja i Aurel Hoxhës allias Aurelinjo Kolaveri, i cili është vëllai i të ndjerit Agim Hoxha, i vrarë mënyrë makabre, më 10 prill të vitit 2012 në Southampton nga Arben Lleshi, i cili u ekzekutua në burg nga Sokol Mjacaj, duke përmbyllur sagën e hakmarrjes për vrasjen e Agim Hoxhës, për të cilin Kolaveri-Hoxha dyshohet se ekzekutuan 5 vetë, dy xhaxhallarë të Arben Lleshit (Xhavit Lleshi dhe Hajredin Lleshi), dy kushërinjtë të parë Artan dhe Klevis Lleshi, si dhe në fund vetë Arben Lleshin, shkakun e sagës së masakrës.

Sipas hetimeve, 44-vjeçari Sajmir Kolaveri dyshohet se më 5 gusht 2020 ka bashkëpunuar me Sabah Nuzin, për vrasjen e Klevis Lleshit. Pas ekzekutimit, ai dyshohet se ka marrë pjesë edhe në transportimin dhe varrosjen e kufomës në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit, me qëllim fshehjen e krimit. Për të futur në kurth shokun e tij Klevis Lleshin, i biri i Xhavit Lleshit, i ekzekutuar gjithashtu, Sabah Nuzi është paguar me 50 mijë euro.

(Aurel Hoxha)
‘Menaxhimi’ i Sabah Nuzit është bërë nga Kolaveri, ndërsa financimi besohet se është bërë nga Aurel Hoxha, të cilit SPAK i ka sekustruar edhe lokalin Monopol në Rrugën Myslym Shyri, si produkt i parave të trafikut të kokainës.
Vrasje, emra dhe foto
Fyerje, përdhosje dhe mungesë e plotë respekti për një qenie tjetër njerëzore… Kështu e konsideronte gjyqtari anglez vrasjen e Agim Hoxhës më 10 prill të vitit 2012 në Southampton, teksa jepte verdiktin final për Arben Lleshin, të akuzuar për ngjarjen.

(Agim Hoxha, vëllai i Aurel Hoxhës, i vrarë nga Arben Lleshi në 2012)
Gjyqtari shprehej se edhe trafikantët e drogës kanë të drejtë të jetojnë si çdokush tjetër. Agim Hoxha ishte vrarë fillimisht në apartamentin e tij e më pas trupi i pajetë ishte futur në makinë, të cilës i ishte vënë flaka. E duket se vrasja në këtë formë dhe pikërisht përshkrimi që vetë gjyqtari i bëri krimit, ka nxitur gjakmarrjen.
Jo vetëm kaq, por Agim Hoxha besohet se e kishte pritur dhe ndihmuar Arben Lleshin në Angli. Ai njihej si një njeri me zemër të madhe që kishte ndihmuar shumë shqiptarë.
Pas dënimit të Arben Lleshit me burgim të përjetshëm në vitin 2013, familja e Agim Hoxhës shprehej se kjo ishte ajo që priste. Që drejtësia të vihej në vend. E megjithëse u vendos drejtësi për ngjarjen e ndodhur në Mbretërinë e Bashkuar, duket se vetëgjyqësia u zhvendos në Shqipëri.
Nis hakmarrja
I pari që u ekzekutua ishte Xhavit Lleshi, babai i Klevis Lleshit, xhaxhai i Arben Lleshit. Ai u vra më 30 tetor të vitit 2013. Më herët, në të njëjtin vend, Pujkë, Xhavit Lleshit, i bënë atentat, ku u plagos rëndë. Pas atentatit të parë, Xhavit Lleshi nisi të shkonte sërish nga fshati i tij ku banonte Rukaj për në Burrel. Disa muaj më pas, atentati i dytë, çuditërisht në të njëjtin vend, i mori jetën.

(Xhavit Lleshi, i vrarë në 2013, babai i Klevis Lleshit, i vrarë në 2020)
Tre vite më vonë, më 15 maj 2016 u vra vëllai i Xhavitit, Hajredin Lleshi, xhaxhai i Klevis Lleshit, rrjedhimisht edhe i Arben Lleshit. Hajredini u ekzekutua në fshatin e lindjes në Rukaj të Burrelit, para derës së shtëpisë. Atentatorët i thirrën në emër dhe sapo Hajredini doli në derën e shtëpisë, e qëlluan me breshëri automatiku.

Në nëntor të vitit 2017 u rrëmbye dhe u zhuk Artan Lleshi, kushëri tjetër i Arben Lleshit, rrjedhimisht edhe i Klevis Lleshit. Artan Lleshi u nxorr në pritë nga shoku i vet Mario Murati, i cili dyshohet se është paguar.

(Artan Lleshi, i zhkukur)
Në 5 gusht 2020, futet në kurth dhe vritet Klevis Lleshi, 24 vjeç, djali i Xhavit Lleshit. Pas vrasjes nga Sabah Nuzi (sipas SPAK) Klevis Lleshi është varrosur në fshatin Shpërdhet të Njësisë Administrative Mamurras, Bashkia Kurbin. Ka dyshime se vendimi për të vrarë Klevis Lleshin është marrë pasi i riu ishte shprehur se do të merrte hakun e babait, Xhavit Lleshi.

(Klevis Lleshi)
Në 15 dhjetor të vitit 2023, vritet në burgun e Peqinit, Arben Lleshi, shkaku i gjithë këtyre viktimave të pafajshme. Arben Lleshi u vra nga i dënuari me burg përjetë, Sokol Mjacaj. Vrasja dyshohet se ishte me pagesë.

(Arben Lleshi)
Duke qenë i dënuar me burgim të përjetshëm, Sokol Mjacaj ka marrë përsipër vrasjen e Arben Lleshit, trupi i të cilit nuk u tërhoq nga familjarët. Ka dyshime arma e krimit në burgun e Peqinit është futur përmes një vajze.
Sajmir Kolaveri, ngjarjet
44-vjeçari Sajmir Kolaveri del i përfshirë në disa ngjarje kriminale. Emri i tij lakohet për një atentat në vitin 2018 në Bathore. Në banesën e Gazmir Dacit u vendos një tritol, ndërsa porositës sipas bluve, ishte vetë Sajmir Kolaveri. Ky i fundit dyshohet ta ketë porositur atentatin për hakmarrje për vrasjen vëllait të tij, Valmir Kolaverit më 4 nëntor 2015, si edhe plagosjen e vëllait tjetër Robert Kolaveri nga Gazmir Daci.

(Gazmir Daci)
Në kohën kur u vendos tritoli në banesën e Dacit, ky i fundit po vuante dënimin në burg. Për ngjarjen në atë kohë, policia arrestoi një 23-vjeçar, Vilson Brahja, i cili akuzohej se vendosi eksplozivin në këmbim të 5 mijë eurove.
Atentati me tritol u porosit për hakmarrje, pasi edhe emri i Sajmir Kolaverit lidhjet me një histori gjakmarrje mes fisit të tij dhe fisit Daci. Zanafilla e përplasjes mes Kolaverëve dhe Gazmir Dacit kishte nisur në Francë ku vëllezërit Kolaveri ishin përfshirë në një konflikt me Gazmir Dacin. 3 vëllezërit merreshin me transport ilegal emigrantësh. Në Francë ata kanë rrahur në bodrum Gazmir Dacin, i njohur si Elson, pasi e akuzonin po u prishte pazaret e transportimit të klandestinëve dhe po u merrte klientët.

(Ergys Kolaveri)
Më pas, hakmarrja ka nisur në Shqipëri, ku Daci është përballur në një lokal me Valmir Kolaverin dhe xhaxhanë e tij Robert Kolaveri. Daci ka qëlluar në drejtim të tyre duke i marrë jetën Valmirit dhe Roberti për shkak të plumbave që mori mbeti i paralizuar. Pas vrasjes së Valmir Kolaverit, më 4 nëntor 2015, vëllai i Sajmir Kolaverit, Ergysi, së bashku me kushëririn e tij kanë tentuar që të eliminojnë Gazmir Dacin në burg me snajper.
Pengmarrje bashkë me ‘ushtarin’ e Ervis Martinajt
Një tjetër ngjarje kriminale ku lakohet emri i Sajmir Kolaverit është një pengmarrje në Tiranë. 7 persona, mes tyre ushtari i Ervis Martinajt, Hektor Xheuçka, ish-presidentin e Klubit të Kamëz, Naim Qarri, si edhe Sajmir Kolaveri morën peng për një orë dhe dhunuan një të ri. Ngjarja ka ndodhur në korrik të 2024-ës, ku grupi mori peng 35-vjeçarin Ervis Xhixha dhe e kanë kanosur atë për t’i marrë 70 mijë euro.
Masa nuk u ekzekutua për Hektor Xheuçkën, i cili është në kërkim edhe nga SPAK për dosjen Revanshi dhe dyshohet se fshihet në Dubai. Për Sajmir Kolaverin u vendos masa arrest në shtëpi me vendim të Gjykatës së Tiranës, por tashmë ai u kap në Itali si i përfshirë në vrasjen e Klevis Lleshit në 2020 për gjakmarrjen mes fisit Hoxha e Lleshi.
test
June 6, 2026 10:32 am |users2023 users2023 | Investigim, Krim & Korrupsion, Kryesore
Ashtu si ish drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj, drejtoresha e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara Alrinda Pogaj dyshohet se qëndron në krye të një grupi kriminal, i cili vepron në manipulimin e procedurave tenderuese, paracaktimin e fituesve të tenderave, korrpsion pasiv dhe aktiv, pastrim parash dhe mashtrim. Disa sinjalizime, fakte, rrethana dhe dëshmi të kryqëzuara tregojnë edhe mënyrën e grupit kriminal, rolet e anëtarëve, qëllimet dhe përfitimet.

(Edigen dhe Arlinda Pogaj)
Edigen Pogaj është bashkëshorti i drejtoreshës së OBP, Arlinda Pogaj. Ai punon si jursit pranë kompanisë Shpresa Al të Lush Osmanit. Edigen Pogaj vepron si sekser mes OBP dhe një rrethi biznesmenësh që përfitojnë tendera me pazar në tavolinë nga OBP. Edigen Pogaj kontakon përmes një numri të huaj pronarët e kompanive që shprehin interes për të marrë pjesë në tendera që organizohen nga OBP, me në krye bashkëshorten e tij.
Edigen Pogaj takohet dhe finalizon pazaret me përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë në dy lokacione; Në Rrugën Myslym Shyri dhe tek zyrat e Shpresa Al në fillim të Bulevardit Zogu I. Ka telefonata dhe takime të regjistruara. Në këto takime finalizohet pazari, i cili konsiston në përqindjen që duhet të japë biznesmeni, pra tarifën e korrupsionit që varion nga 20-30 % të vlerës së tenderit, mënyrës se si do qepen përqindja, qepja e kritereve për fituesin e paracaktuar, menaxhimi i ndonjë konkurrenti të mundshëm që mund të prishë skemën me ofertë të ulët dhe ankesa, diktimin e fondit limit dhe ofertës fituese etj.

(Mirela Zholi dhe Entela Postoli)
Pasi çifti Edigen dhe Arlinda Pogaj arrijnë pazarin me pronarin e kompanisë që do të fitojë tenderin, zonja Pogaj angazhon dy të besuarat e saj, Mirela Zholi dhe Entela Postoli, me rol kyç në aktivitetin e grupit kriminal. Mirela Zholi dhe Entela Postoli qepin kriteret që duhet të plotësojnë operatorët ekonomikë për tenderin e shpallur. Ashtu siç vepronte grupi i AKSHI-t, kriteret negociohen me operatorin ekonomik të paracaktuar fitues, siç u operua për shembull me kriteret për tenderin 3.7 milionë euro për blerjen e automjeteve për Policinë e Shtetit, që i përshtaten kompanisë së Edmond Shahinit.

(Mirela Zholi)
Mirela Zholi është dora e zezë dhe e besuar e Arlinda Pogajt në aktivitetin kriminal të grupit, për diktimin e tenderave. Për rolin e saj në manipulimin e procedurave tenderuese, Mirela Zholi merr përqindjen e saj nga çifti Edigen dhe Arlinda Pogaj. Edhe pse me një rrogë modeste, Postoli nuk kujdeset për t’a fshehur luksin, i cili besohet se buron nga korrupsioni me tenderat e OBP. Ashtu si Pogaj, Mirela Zholi dyshohet se ka pastruar miliona euro në pasuri të paluajtshme, kamufluar në emrin e familjarëve dhe personave të besuar.


(Mirela Zholi)
Grupi kriminal i çiftit Pogaj nuk mund të realizonte qëllimet e tij, vjedhjen e parave publike, pa rolin e Erion Shtyllës, i cili është vendimtar në finalizimin e çdo afere korruptive të Arlinda Pogajt me tenderat. Erion Shtylla, lidhje e fortë dhe e besuar e çiftit Pogaj, vlerëson dhe certifikon tenderin e diktuar. Erion Shtylla, në koordinim me Arlinda Pogajn, dikton anëtarët e komisioneve të vlerësimit të ofertave. Erion Shtylla dhe Mirela Zholi, për veprimtarinë kriminale të të cilëve do të sjellim deteja në vijim, janë dora e korrupsionit të Arlinda Pogaj në përvetësimin e dhjetëra milionë euro përmes manipulimit të procedurave tenderuese.

(Erion Shylla)
Grupi i dyshuar kriminal ka diktuar qindra milionë euro tendera për bosin e prostitucionit Lefter Lamajn, trafikantin Gëzim Salillarin i njohur si Gëzimi i Kashtës, mashtruesin Nadir Çausholli, Behar Çukaj, Safet Gjici, Eral Myftaraj, Jetmir Pepa, Klod Allajbeu, Elgert Laskaj, Janis Karathano, Vilma Nushi, Merita Sheqi, Artur Kadareja, Orion Struga, Lulzim Qefalia, Argita Bojaxhiu, Aqif Hoxha, Shkëlqim Verdha, Shpresa Joanidhi, Engjëll Hoxha, Hervin Fora, Orjada Jaho, Ermal Rizaj, Albert Metani, Rasim Hamzaraj, Ilir Shehu, Fredi Marra, Florjan Muha, Besnik Çullhaj, Gentian Kreka, Shaqir Alcani, Gentiana Peshkatari, Ardian Sulollari, Agim Kajmaku, Piro Zoga, Xani Zoga, Jemin Toto etj.
Afera 3.7 milionë euro që sfidon SPAK-un, qepen kriteret e tenderit për Mond Shahinin
Operatori i Blerjeve të Përqendruara me në krye Arlinda Pogaj zhvilloi një tender me vlerë 359 milionë lekë ose 3.7 milionë euro për blerjen e automjeteve për Policinë e Shtetit, duke hartuar kriteret që i përshtaten kompanisë së Edmond Shahinit, Edmond Shahini, i njohur si Edi i Mektrin Motors, përfaqësues i Land Rover dhe Volvo në Shqipëri.
Sipas dokumentave, përmes këtij tenderi OBP do të blejë 76 automjete SUV për forcat e policisë, nga të cilat 20 automjete 4×4 dhe 56 automjete të tjera 2×4.
Këto në foton më poshtë janë specifikimet teknike të vendosura për 20 automjetet 4×4.

Specifikimet për automjetet
Për dikë që nuk ka njohuri për industrinë automotive, përmasat e vendosura në dokumentat e tenderit ngjajnë thjesht disa numra të zakonshëm.
Por këto përmasa plotësohen vetëm nga lloj automjeti. Ai është Land Rover Defender, automjeti i cili në Shqipëri tregtohet ekskluzivisht nga kompania e familjes së kryebashkiakes së Durrësit, Emirjana Sako.
Dhe meqë kryeministri e ka shumë qejf inteligjencën artificiale, kjo është përgjigja e saj kur pyet se cila nga Suv-et i plotëson kriteret e vendosura në tenderin për automjetet e policisë së shtetit.

Pergjigja e IA se cila suv i ploteson kriteret
“Land Rover Defender 110 (D300/D350 Diesel) është modeli që përmbush kërkesat për lartësi, gjerësi, distancë nga aksi i rrotave, lartësi nga toka dhe efikasitet të karburantit, ndërsa gjatësia e tij (4,758 mm) është brenda maksimumit tuaj prej 5,050 mm,” thotë inteligjenca për kriteret e vendosura në tenderin e një vendi që sipas kryeministrit ja kalon Gjermanisë dhe Suedisë për ndërshmëri.
Qepja e kostumit në tenderin për automjetet e policisë së shtetit është aq flagrante saqë distanca mes akseve kërkohet minimalisht 3000 mm, kurse gjatësia totale e mjetit kërkohet maksimalisht 5050 mm.
Nuk dihet nëse specifikimet teknike të tenderit i ka hartuar vetë policia e shtetit apo Operatori i Blerjeve të Përqendruara. Por ky kostum është një vepër penale në flagrancë se si hajdutët e Rilindjes vjedhin tenderat. Tani mjafton vetëm që prokuroria të sekuestrojë dokumentat e tenderit dhe të çojë autorët para ligjit.
Pogaj i jep tendera burrit të saj, skema korruptive 5D që sfidon SPAK-un
Krahas skemës klasike të diktimit të tenderave për kompanitë klienteliste në këmbim të 20-30 % të vlerës, Arlinda Pogaj po aplikon edhe skemën e tipit 5D, duke firmosur tendera për vete, përmes një kompanie me pronar faktik bashkëshortin e saj, por në letra në emrin e një prestanome.

(Edigen Pogaj)
Bëhet fjalë për kompaninë Ouen shpk me pronar në letra Mehmet Hilaj. Evidenca dhe rrethana faktike tregojnë se Hilaj është prestanome i Edigen Pogajt, i cili i finalizon pazaret me tendera në dy lokacione të Tiranë, pranë qendrës dhe në Rrugën Myslym Shyri, ku edhe është vëzhguar dhe monitoruar nga agjentë të organeve ligjzbatuese. Letrat e tenderave, si të kompanisë Shpresa AL shpk, ashtu edhe të kompanisë Ouen shpk, i kopsit Edigen Pogaj.

Arlinda Pogaj nuk firmos tendera drejtëpërdrejt për kompaninë Shpresa al, pasi pranë saj punon bashkëshorti i saj, Edigen Pogaj. Zonja Pogaj firmos tendera për kompaninë Ouen shpk, pas të cilës kamuflohet bashkëshorti i saj, Edigen Pogaj. Ky i fundit, përmes një numri telefoni të huaj, u telefonon, cakton takime dhe bën pazare për tendera me disa pronarë kompanish, të cilët marrin me paracaktim tendera nga OBP. Në vijim do të publikojmë mesazhe, telefonata dhe biseda të Edigen Pogajt me disa prej biznesmenëve, të cilët kanë përfituar dhjetëra milionë euro nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara me në krye Arlinda Pogaj, personazhin kyç brenda OBP që manipulon procedurat tenderuese si dhe një lidhje të hershme korruptive në Ministrinë e Brendshme.
Florjan Muha i Inerti skemë korrupsioni me Arlinda Pogajn e OBP me tendera
Bashkëpronari dhe administratori i kompanisë Inerti shpk Florjan Muha përfaqëson një nga linjat e administratores së Operatorit të Blerjeve të Përqendruara Alrinda Pogaj për korrupsionin me tendera. Pazaret me tendera finalizohen nga bashkëshorti i Arlinda Pogajt, Edigen Pogaj dhe biznesmeni Florjan Muha, i skeduar për korruptimin e disa përfaqësuesve të autoriteve publike. Sipas disa sinjalizimeve, Muha i jep Edigen Pogajt cash 20-30 % të vlerës së tenderit, ndërsa Arlinda Pogaj firmos tenderin për kompaninë Inerti të Muhos.
test
June 6, 2026 7:40 am |users2023 users2023 | Aktualitet, Kryesore
Deputetja Jorida Tabaku ka reaguar ashpër lidhur me projektin për ndërtimin e një kulle pas Pallatit të Kongreseve në kryeqytet. Përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë, Tabaku sqaroi se qëndrimi i saj nuk lidhet me ndonjë ndjenjë nostalgjie për të shkuarën, por me mbrojtjen e pasurisë së qytetarëve.
“Asnjë nostalgji për reliket e vjetra të komunizmit. Vetëm respekt për pronën publike dhe pasurinë publike,” shkruan deputetja demokrate, duke vënë theksin te menaxhimi i këtyre hapësirave nga institucionet shtetërore.
Tabaku ka lëshuar akuza të forta ndaj Korporatës së Investimeve, duke deklaruar se ky institucion po sillet me pronat e përbashkëta sikur t’i kishte private. Ajo ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi mungesën e transparencës në vendimmarrje, duke listuar edhe zona të tjera të vendit ku po ndodh e njëjta gjë.
“Korporata e investimeve sillet me pronën publike si ta kenë pasurinë e tyre. Kush janë këta që i marrin vendimet pa asnjë proces transparent? E njëjta situatë në Zvërnec, në aeroportin e Vlorës, në Durrës, etj. Nuk ka asnjë vendimmarrje transparente,” nënvizon Tabaku.
Sipas deputetes së PD-së, kjo mënyrë veprimi e pushtetit, e cila përqendron pasurinë në duart e një pakice, po i detyron qytetarët të dalin në rrugë për të kërkuar të drejtat e tyre.
“Ky sistem i nxjerr njerëzit në rrugë për të protestuar. Sistemi që ka përqendruar pasuritë tek pakica, sistemi që e trajton pronën publike si private. Duhet të ketë meritokraci edhe në ekonomi“, mbyll reagimin e saj Jorida Tabaku.
test