Sajmir Kolaveri, i njohur si daja i Aurel Hoxhës, i akuzuar nga drejtësia shqiptare si vrasës i Klevis Lleshit në vitin 2020, është ekstraduar nga Italia. Kolaveri ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritete shqiptare, pasi më 25 shtator të vitit 2025 Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), i ka caktuar masën arrest në burg, për një sërë veprash penale. Ndaj 44-vjeçarit Kolaveri rëndojnë akuzat “Vrasja për gjakmarrje”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, si dhe veprat që lidhen me grupin e strukturuar kriminal dhe armëmbajtjen pa leje.

Sajmir Kolaveri njihet si daja i Aurel Hoxhës allias Aurelinjo Kolaveri, i cili është vëllai i të ndjerit Agim Hoxha, i vrarë mënyrë makabre, më 10 prill të vitit 2012 në Southampton nga Arben Lleshi, i cili u ekzekutua në burg nga Sokol Mjacaj, duke përmbyllur sagën e hakmarrjes për vrasjen e Agim Hoxhës, për të cilin Kolaveri-Hoxha dyshohet se ekzekutuan 5 vetë, dy xhaxhallarë të Arben Lleshit (Xhavit Lleshi dhe Hajredin Lleshi), dy kushërinjtë të parë Artan dhe Klevis Lleshi, si dhe në fund vetë Arben Lleshin, shkakun e sagës së masakrës.

Sipas hetimeve, 44-vjeçari Sajmir Kolaveri dyshohet se më 5 gusht 2020 ka bashkëpunuar me Sabah Nuzin, për vrasjen e Klevis Lleshit. Pas ekzekutimit, ai dyshohet se ka marrë pjesë edhe në transportimin dhe varrosjen e kufomës në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit, me qëllim fshehjen e krimit. Për të futur në kurth shokun e tij Klevis Lleshin, i biri i Xhavit Lleshit, i ekzekutuar gjithashtu, Sabah Nuzi është paguar me 50 mijë euro.

(Aurel Hoxha)
‘Menaxhimi’ i Sabah Nuzit është bërë nga Kolaveri, ndërsa financimi besohet se është bërë nga Aurel Hoxha, të cilit SPAK i ka sekustruar edhe lokalin Monopol në Rrugën Myslym Shyri, si produkt i parave të trafikut të kokainës.
Vrasje, emra dhe foto
Fyerje, përdhosje dhe mungesë e plotë respekti për një qenie tjetër njerëzore… Kështu e konsideronte gjyqtari anglez vrasjen e Agim Hoxhës më 10 prill të vitit 2012 në Southampton, teksa jepte verdiktin final për Arben Lleshin, të akuzuar për ngjarjen.

(Agim Hoxha, vëllai i Aurel Hoxhës, i vrarë nga Arben Lleshi në 2012)
Gjyqtari shprehej se edhe trafikantët e drogës kanë të drejtë të jetojnë si çdokush tjetër. Agim Hoxha ishte vrarë fillimisht në apartamentin e tij e më pas trupi i pajetë ishte futur në makinë, të cilës i ishte vënë flaka. E duket se vrasja në këtë formë dhe pikërisht përshkrimi që vetë gjyqtari i bëri krimit, ka nxitur gjakmarrjen.
Jo vetëm kaq, por Agim Hoxha besohet se e kishte pritur dhe ndihmuar Arben Lleshin në Angli. Ai njihej si një njeri me zemër të madhe që kishte ndihmuar shumë shqiptarë.
Pas dënimit të Arben Lleshit me burgim të përjetshëm në vitin 2013, familja e Agim Hoxhës shprehej se kjo ishte ajo që priste. Që drejtësia të vihej në vend. E megjithëse u vendos drejtësi për ngjarjen e ndodhur në Mbretërinë e Bashkuar, duket se vetëgjyqësia u zhvendos në Shqipëri.
Nis hakmarrja
I pari që u ekzekutua ishte Xhavit Lleshi, babai i Klevis Lleshit, xhaxhai i Arben Lleshit. Ai u vra më 30 tetor të vitit 2013. Më herët, në të njëjtin vend, Pujkë, Xhavit Lleshit, i bënë atentat, ku u plagos rëndë. Pas atentatit të parë, Xhavit Lleshi nisi të shkonte sërish nga fshati i tij ku banonte Rukaj për në Burrel. Disa muaj më pas, atentati i dytë, çuditërisht në të njëjtin vend, i mori jetën.

(Xhavit Lleshi, i vrarë në 2013, babai i Klevis Lleshit, i vrarë në 2020)
Tre vite më vonë, më 15 maj 2016 u vra vëllai i Xhavitit, Hajredin Lleshi, xhaxhai i Klevis Lleshit, rrjedhimisht edhe i Arben Lleshit. Hajredini u ekzekutua në fshatin e lindjes në Rukaj të Burrelit, para derës së shtëpisë. Atentatorët i thirrën në emër dhe sapo Hajredini doli në derën e shtëpisë, e qëlluan me breshëri automatiku.

Në nëntor të vitit 2017 u rrëmbye dhe u zhuk Artan Lleshi, kushëri tjetër i Arben Lleshit, rrjedhimisht edhe i Klevis Lleshit. Artan Lleshi u nxorr në pritë nga shoku i vet Mario Murati, i cili dyshohet se është paguar.

(Artan Lleshi, i zhkukur)
Në 5 gusht 2020, futet në kurth dhe vritet Klevis Lleshi, 24 vjeç, djali i Xhavit Lleshit. Pas vrasjes nga Sabah Nuzi (sipas SPAK) Klevis Lleshi është varrosur në fshatin Shpërdhet të Njësisë Administrative Mamurras, Bashkia Kurbin. Ka dyshime se vendimi për të vrarë Klevis Lleshin është marrë pasi i riu ishte shprehur se do të merrte hakun e babait, Xhavit Lleshi.

(Klevis Lleshi)
Në 15 dhjetor të vitit 2023, vritet në burgun e Peqinit, Arben Lleshi, shkaku i gjithë këtyre viktimave të pafajshme. Arben Lleshi u vra nga i dënuari me burg përjetë, Sokol Mjacaj. Vrasja dyshohet se ishte me pagesë.

(Arben Lleshi)
Duke qenë i dënuar me burgim të përjetshëm, Sokol Mjacaj ka marrë përsipër vrasjen e Arben Lleshit, trupi i të cilit nuk u tërhoq nga familjarët. Ka dyshime arma e krimit në burgun e Peqinit është futur përmes një vajze.
Sajmir Kolaveri, ngjarjet
44-vjeçari Sajmir Kolaveri del i përfshirë në disa ngjarje kriminale. Emri i tij lakohet për një atentat në vitin 2018 në Bathore. Në banesën e Gazmir Dacit u vendos një tritol, ndërsa porositës sipas bluve, ishte vetë Sajmir Kolaveri. Ky i fundit dyshohet ta ketë porositur atentatin për hakmarrje për vrasjen vëllait të tij, Valmir Kolaverit më 4 nëntor 2015, si edhe plagosjen e vëllait tjetër Robert Kolaveri nga Gazmir Daci.

(Gazmir Daci)
Në kohën kur u vendos tritoli në banesën e Dacit, ky i fundit po vuante dënimin në burg. Për ngjarjen në atë kohë, policia arrestoi një 23-vjeçar, Vilson Brahja, i cili akuzohej se vendosi eksplozivin në këmbim të 5 mijë eurove.
Atentati me tritol u porosit për hakmarrje, pasi edhe emri i Sajmir Kolaverit lidhjet me një histori gjakmarrje mes fisit të tij dhe fisit Daci. Zanafilla e përplasjes mes Kolaverëve dhe Gazmir Dacit kishte nisur në Francë ku vëllezërit Kolaveri ishin përfshirë në një konflikt me Gazmir Dacin. 3 vëllezërit merreshin me transport ilegal emigrantësh. Në Francë ata kanë rrahur në bodrum Gazmir Dacin, i njohur si Elson, pasi e akuzonin po u prishte pazaret e transportimit të klandestinëve dhe po u merrte klientët.

(Ergys Kolaveri)
Më pas, hakmarrja ka nisur në Shqipëri, ku Daci është përballur në një lokal me Valmir Kolaverin dhe xhaxhanë e tij Robert Kolaveri. Daci ka qëlluar në drejtim të tyre duke i marrë jetën Valmirit dhe Roberti për shkak të plumbave që mori mbeti i paralizuar. Pas vrasjes së Valmir Kolaverit, më 4 nëntor 2015, vëllai i Sajmir Kolaverit, Ergysi, së bashku me kushëririn e tij kanë tentuar që të eliminojnë Gazmir Dacin në burg me snajper.
Pengmarrje bashkë me ‘ushtarin’ e Ervis Martinajt
Një tjetër ngjarje kriminale ku lakohet emri i Sajmir Kolaverit është një pengmarrje në Tiranë. 7 persona, mes tyre ushtari i Ervis Martinajt, Hektor Xheuçka, ish-presidentin e Klubit të Kamëz, Naim Qarri, si edhe Sajmir Kolaveri morën peng për një orë dhe dhunuan një të ri. Ngjarja ka ndodhur në korrik të 2024-ës, ku grupi mori peng 35-vjeçarin Ervis Xhixha dhe e kanë kanosur atë për t’i marrë 70 mijë euro.
Masa nuk u ekzekutua për Hektor Xheuçkën, i cili është në kërkim edhe nga SPAK për dosjen Revanshi dhe dyshohet se fshihet në Dubai. Për Sajmir Kolaverin u vendos masa arrest në shtëpi me vendim të Gjykatës së Tiranës, por tashmë ai u kap në Itali si i përfshirë në vrasjen e Klevis Lleshit në 2020 për gjakmarrjen mes fisit Hoxha e Lleshi.