June 6, 2026 3:48 pm |enprapa enprapa | Aktualitet
Një incident ka ndodhur gjatë një tubimi të fundit ku ka qenë i pranishëm Edi Rama në Vlorë, ku efektivët e Gardës dhe policisë i kanë marrë me forcë dhe i kanë grisur pankartën një vajze të re.
Pasi u shoqërua dhe u largua nga perimetri, e reja ka rrëfyer dinamikën e ngjarjes për mediat, duke denoncuar dhunën e ushtruar ndaj saj.
Ajo ka shpjeguar se mesazhi në pankartën e saj nuk ishte një provokim politik, por një thirrje ambientaliste për mbrojtjen e pasurive natyrore të vendit, konkretisht me mbishkrimin: “E dua Vjosën edhe Nartën të lirë dhe të egër”.
Sipas dëshmisë së vajzës, punonjësit e rendit kanë ndërhyre pa u prezantuar dhe pa i cituar asnjë shkelje ligjore, duke përdorur forcën fizike për t’i rrëmbyer pankartën nga duart.
“Isha duke shprehur një mendim. Është një pankartë me natyrë ambientaliste, nuk ishte provokim. Unë kam ardhur dhe kam dashur të shpreh mendimin tim, jam e shqetësuar. Një punonjës policie që nuk u prezantua erdhi dhe e grisi. Më kërkuan të largohesha, i kërkova të më citonin ligjin që po shkelja, nuk e cituan. Filluan të më bënin presion dhe ma morën pankartën me forcë. Punonjësja e policisë më tregoi kartën dhe më kapën dorën, kam shenjën në krah dhe morën pankartën dhe e grisën”, ka deklaruar ajo e indinjuar për News 24.
test
June 6, 2026 3:43 pm |enprapa enprapa | Aktualitet
Ish-presidenti Ilir Meta përsëriti edhe njëherë thirrjen që të gjykohej jashtë kafazit prej xhami në procesin që po mbahet në Gjykatën e Posaçme.
Ai solli në vëmendje rekomandimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, sipas të cilit mbajtja e të paraburgosurve në kafaz gjatë seancave është i pabazuar në ligj dhe në kundërshtim me parimet e një procesi të rregullt dhe të drejtë gjyqësor.
Sipas Metës, ky vlerësim rrëzon të gjitha justifikimet e përdorura deri më sot nga Gjykata.
Përshëndes rekomandimin e qartë të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i cili, pas monitorimit të pavarur dhe analizës së standardeve kushtetuese dhe të jurisprudencës së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, konfirmoi se mbajtja automatike e të paraburgosurve në kafazet prej xhami gjatë proceseve gjyqësore është një veprim dhe vendim i pabazuar në ligj dhe në kundërshtim me parimet e një procesi të rregullt dhe të drejtë gjyqësor.
Ky vlerësim objektiv rrëzon plotësisht të gjitha justifikimet “speciale” dhe arbitrare të përdorura deri më sot nga Gjykata dhe dëshmon shumë qartë se dinjiteti njerëzor, prezumimi i pafajësisë, barazia e palëve në gjykim dhe e drejta për një mbrojtje efektive nuk mund dhe nuk duhet të cënohen kurrësesi në emër të praktikave përjashtimore që u referohen një terroristi maroken në Francë me mbi 130 vrasje dhe dy oficerëve të policisë në Ukrainë të akuzuar për 48 të vrarë.
Vlerësoj Komitetin Shqiptar të Helsinkit për objektivitetin, paanshmërinë, profesionalizmin dhe integritetin e treguar në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, duke besuar se ky qëndrim do të shërbejë për t’i dhënë fund një praktike abuzive antiligjore, që nuk duhet të zbatohet kurrë në një shtet të së drejtës, anëtar të Këshillit të Europës që synon hyrjen në BE, që ka ratifikuar Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe duhet të zbatojë vendimet dhe praktikat e GJEDNJ.
Lidhur me këtë çështje, në seancën e djeshme gjyqësore, kërkova që ky qëndrim diskriminues të marrë fund njëherë e përgjithmonë, jo vetëm për mua, apo për rastet Veliaj dhe Beqaj, por për çdo qytetar të pandehur në Republikën e Shqipërisë, që nuk ka kryer krime kundër njerëzimit, akte terroriste, vrasje në masë apo vepra të ngjashme të rënda penale.
test
June 6, 2026 2:14 pm |enprapa enprapa | Kronike
Vrasja e një 65-vjeçari në Selanik, konkretisht në Tumba, në vitin 2013, po rikthehet në qendër të vëmendjes, ndërsa një tjetër i pandehur po dërgohet në gjyq për pjesëmarrje në grabitjen që rezultoi në vdekjen e viktimës.
Siç raporton korrespondenti i Top Channel Artur Bibe, 46-vjeçar shqiptar, ishte identifikuar nga autoritetet si një nga autorët e dyshuar të çështjes. Sipas informacionit gjyqësor, ai u gjet dhe u arrestua në Serbi, dhe më pas u ekstradua në Greqi. Me urdhër të këshillit gjyqësor kompetent, ai po i referohet një Gjykate të Përzier me Juri, ku përballet me akuzat për vrasje dhe grabitje në bashkëpunim.
Rasti ka të bëjë me një incident që ndodhi më 27 shkurt 2013 në një pallat apartamentesh në Tumba të Selanikut. Sipas dosjes së çështjes, individët e përfshirë kishin mbledhur informacione rreth gjendjes financiare të 65-vjeçarit dhe kishin monitoruar lëvizjet e tij për ditë të tëra përpara se të vazhdonin me planin e tyre.
Ditën e grabitjes, autorët dyshohet se e çuan burrin në bodrumin e ndërtesës, ku e lidhën dhe ia mbyllën gojën. Burri 65-vjeçar vdiq nga asfiksia.
Më pas, sipas dosjes së çështjes, ata morën sendet me vlerë dhe çelësat e viktimës. Më pas hynë në apartamentin ku ndodhej gruaja e tij dhe morën një shumë parash.
Vendimet përfundimtare janë dhënë tashmë kundër katër individëve në të njëjtën çështje.
Midis tyre ishin ndihmësja shtëpiake e 65-vjeçares, bashkëshorti i saj dhe dy të huaj të tjerë. Sipas aktakuzës, punëtorja dyshohet se e ka informuar bashkëshortin e saj për gjendjen financiare të viktimës, ndërsa ai dyshohet se ka organizuar grabitjen.
Punëtorja shtëpiake u dënua me 11 vjet e 6 muaj burg, ndërsa tre të dënuarit e tjerë morën dënime me burgim të përjetshëm dhe dënime shtesë shumëvjeçare.
test
June 6, 2026 1:52 pm |enprapa enprapa | Aktualitet
Skema Kombëtare 2026 sjell ndryshime në masën 8, që mbështet sipërfaqet e mbjella me kultura bujqësore. Ndryshimet synojnë përafrimin e skemave të subvencionimit me standardet e Bashkimit Europian, në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë.
Drejtori i AREB Korçë, Vullnet Gjolla, ka sqaruar kriteret që duhet të plotësojnë fermerët për të përfituar nga kjo masë mbështetëse.
“Do të aplikojnë të gjithë ata fermerë të cilët plotësojnë 3 hektarë e lart. Nuk do të ketë më regjistrim të produkteve për vlerësim, por mjafton që ata ta kenë të mbjellë këtë sipërfaqe dhe normalisht do të deklarojnë se çfarë kanë mbjellë, por nuk ka rëndësi produkti i mbjelljes. Do të kenë dokumentin që është certifikatë pronësie apo AMTP”, tha Gjolla.
Më tej, Gjolla u ka bërë thirrje fermerëve të krijojnë shoqëri të bashkëpunimit bujqësor, pasi kjo formë organizimi rrit mundësitë për përfitim nga skemat mbështetëse.
“Për shkak edhe të aderimit në Bashkimin Europian, po mundohemi dhe po bëjmë përpjekje maksimale që t’u përshtatemi ligjeve dhe skemave subvencionuese të Bashkimit Europian. Unë u bëj thirrje të gjithë fermerëve që të plotësojnë këto kritere. Duhet të bashkohen bashkë, ashtu siç kemi bërë thirrje edhe në takime të tjera. Pra, është në të mirën e fermerëve tanë që, për të pasur një kosto më të ulët dhe për t’iu përshtatur skemave me të cilat po bëjmë të pamundurën për të aplikuar, të bëjnë bashkimin mes njëri-tjetrit”, tha Gjolla.
Nga masa 8 mund të aplikojnë edhe fermerët që punojnë toka të marra me qira, mjafton që të regjistrojnë kontratën pranë njësisë administrative përkatëse, një procedurë që synon të lehtësojë aplikimin dhe të zgjerojë numrin e përfituesve të kësaj skeme.
test
June 6, 2026 1:47 pm |enprapa enprapa | Aktualitet
Ndërkohë që në Zvërnec po zhvillohej një protestë kundër ndërtimit të resortit luksoz, kryeministriEdi Rama u paraqiti qytetarëve rastin e suksesit të një inicitative të ngjashme në Portugali.
Përmes rrjeteve sociale, shefi i ekzekutivit solli në vëmendje se si laguna Ria Formosa në Portugali, një peizazh unik me flamingo, shpendë migratorë, ishuj ranorë, dunat bregdetare dhe një biodiversitet të jashtëzakonshëm, u kthye në një nga historitë më të suksesshme të transformimit ekonomik në Europë, me anë të investimeve miliarda euroshe, pa humbur asnjë nga vlerat dhe karakteristikat e saj.
Rama thotë se “pak dekada më parë, Algarve ishte një rajon periferik, me ekonomi të mbështetur kryesisht tek bujqësia dhe peshkimi, me të ardhura të ulëta dhe emigracion të lartë. Në vend që të ndiqte modelin e turizmit masiv me vlerë të ulët, Portugalia bëri një zgjedhje strategjike: investoi tek turizmi luksoz dhe me vlerë të lartë“.Kreu i qeverisë thekson se pavarësisht investimeve dhe xhiros së madhe ekonomike që ka zona falë turistëve të shumtë, “flamingot janë ende aty, shpendët migratorë janë ende aty, laguna është ende aty. Madje vetë biodiversiteti është bërë pjesë e produktit turistik”.
Postimi i plotë i Edi Ramës:
RIA FORMOSA DHE REVOLUCIONI PORTUGEZ I TURIZMIT
Kur flitet për zhvillimin në zonat e mbrojtura, shumëkush e paraqet debatin si një zgjedhje të detyrueshme mes natyrës dhe ekonomisë.
Por ka vende që tregojnë se realiteti mund të jetë krejt tjetër.
Ria Formosa, në jug të Portugalisë, është një nga lagunat më të rëndësishme të Europës. Një peizazh unik me flamingo, shpendë migratorë, ishuj ranorë, dunat bregdetare dhe një biodiversitet të jashtëzakonshëm.
Dhe pikërisht aty, në zemër të këtij peizazhi, Portugalia ndërtoi një nga historitë më të suksesshme të transformimit ekonomik në Europë.
Pak dekada më parë, Algarve ishte një rajon periferik, me ekonomi të mbështetur kryesisht tek bujqësia dhe peshkimi, me të ardhura të ulëta dhe emigracion të lartë. Në vend që të ndiqte modelin e turizmit masiv me vlerë të ulët, Portugalia bëri një zgjedhje strategjike: investoi tek turizmi luksoz dhe me vlerë të lartë.
Kështu lindën destinacione si Quinta do Lago dhe Vale do Lobo, të vendosura pranë një prej ekosistemeve më të rëndësishme të Europës.
Jo përkundër natyrës.
Falë natyrës.
Për dekada me radhë, ndërtimi u përqendrua në zona të caktuara, ndërsa pjesa dërrmuese e lagunës mbeti e mbrojtur, e monitoruar dhe e trajtuar si pasuria më e madhe e rajonit.
Rezultati?
• Miliarda euro investime private.
• Mijëra vende pune direkte dhe indirekte.
• Rritje e ndjeshme e vlerës së pronave.
• Të ardhura shumë më të larta për çdo turist.
• Një sezon turistik që zgjat gjatë gjithë vitit.
• Transformimi i Algarve në një nga destinacionet më prestigjioze të Europës.
Dhe ndërkohë:
Flamingot janë ende aty.
Shpendët migratorë janë ende aty.
Laguna është ende aty.
Madje vetë biodiversiteti është bërë pjesë e produktit turistik. Vizitorët nuk shkojnë në Algarve pavarësisht Ria Formosa-s. Ata shkojnë edhe për shkak të saj.
Mësimi është i thjeshtë.
Pyetja nuk është nëse natyra dhe zhvillimi mund të bashkëjetojnë.
Pyetja është nëse kemi vizionin, dijen dhe vullnetin për t’i bërë ato të bashkëjetojnë.
Sepse pasuria nuk krijohet duke zgjedhur mes natyrës dhe zhvillimit.
Pasuria krijohet kur natyra bëhet pjesë e zhvillimit dhe zhvillimi bëhet aleat i natyrës.
Ria Formosa është prova se kjo nuk është teori.
Është një histori suksesi që mund të shihet me sy të lirë.
E PRA, BOLL I KEMI PAGUAR HARAÇ BUDALLALLËKUT TONË 100 VITE!
SHQIPËRIA E RILINDUR TURISTIKE DO HYJË ME SE S’BËN NË LIGËN E KAMPIONËVE TË TURIZMIT BOTËROR DHE EUROPA E BOTA DO TË NA VLERËSOJË PËRFUNDIMISHT SI VEND I BEKUAR JO I MALLKUAR
test
June 6, 2026 1:12 pm |enprapa enprapa | Kronike
Gjykata Penale e Tiranës ndryshoi 10 nga 11 masat e sigurisë të caktuara më herët ndaj punonjësve të një dege të UBA Bank, ku Prokuroria e Kryeqytetit zbardhi një skemë të mirëfilltë vjedhjeje parash.
Masa e arrestit në burg u konfirmua vetëm për drejtorin e filialit, Albin Keta, ndërsa 10 personat e tjerë, mes të cilëve zëvendësdrejtori Gilbert Hoxha, njëherësh përgjegjës operacional, u lanë në masën “detyrim paraqitje”.
Rreth 400 mijë euro është shuma e zbuluar deri në këtë fazë të hetimeve, që u është vjedhur dy klientëve të UBA Bank, njëra llogari në euro dhe tjetra në dollarë.
Hetimi nga Prokuroria e Kryeqytetit nisi pas kallëzimit të një shtetasi, i cili denoncoi ndërhyrjen e paautorizuar në 3 llogari të tij bankare, prej nga u morën 5 milionë lekë. Organi i akuzës regjistroi procedim penal, teksa këtij kallëzimi iu bashkëngjit edhe një tjetër që u bë nga vetë filiali i bankës, për tërheqjen e një tjetër shume të një klienti.
12 persona, mes të cilëve arkëtarë të bankës, janë identifikuar deri më tani si përgjegjës për konsumimin e veprave penale të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, falsifikim dokumentesh dhe falsifikim kompjuterik.
Drejtori dhe zëvendësdrejtori i bankës, Albin Keta dhe Gilbert Hoxha, u arrestuan pak ditë më parë për këtë çështje, pasi ata kanë shpërdoruar detyrën duke përvetësuar shumat monetare të dy klientëve nëpërmjet përdorimit të mandateve të tërheqjes false, përmes ndërhyrjes së kundërligjshme në sistem dhe përmes konvertimeve valutore, duke bërë hapje/mbyllje depozitash si dhe ndryshim të të dhënave pa autorizim.
Për 6 punonjës u firmos më herët masa “arrest në shtëpi” dhe për 4 të tjerë “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, por gjykata vendosi të ndryshonte qëndrim, duke i lënë të gjithë në masën “detyrim paraqitje”. Për një punonjëse nuk u bë e mundur ekzekutimi i masës, për shkak se ajo nuk u gjet në adresën përkatëse.
Prokuroria thotë se i gjithë grupi ka bashkëpunuar me drejtuesin e bankës dhe zëvendësdrejtuesin për të vjedhur shuma parash në llogaritë bankare të klientëve.
test
June 6, 2026 12:09 pm |enprapa enprapa | Aktualitet
Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja të tregtimit të karburanteve në vend.
Në mbledhjen e fundit të Bordit, është vendosur që nafta do të shitet jo më shumë se 190 lekë/litri, ndërsa benzina jo më shumë se 173 lekë/ litri.
Çmimet do të hynë në fuqi sot në orën 14.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit.
Njoftimi:
Bordi i Transparencës në datë 6 Qershor 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 190 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 178 lekë/litër.
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 173 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 161 lekë/litër.
????️Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 6 ora 14.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
????Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
????️ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.
Gazoili për peshkim – çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim, referuar Ligjit 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare”, ne nenin Neni 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, pika 6 parashikohet: …“Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit. Gjithashtu referuar nenit 10, pika 3 germa “d” te Ligjit 61/2012 “Për akcizat në RSH” parashikohet përjashtimi nga detyrimet e akcizes i karburantit për anijet e peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM. Referuar metodologjise së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazolit për peshkim rezulton 95 lekë.
test
June 6, 2026 11:56 am |enprapa enprapa | Aktualitet
Gjendja e efektivit të plagosur gjatë aksionit në Maliq i cili u dërgua me urgjencë drejt Traumës tashmë është stabël.
Në njoftimin nga Spitali i Traumës, i siguruar nga Top Channel thuhet se efektivi Edison Adri është ende i intubuar, por me parametra jetësorë të qëndrueshëm dhe në përmirësim të vazhdueshëm.
“Gjendja shëndetësore e efektivit të Policisë, i ardhur nga Korça dhe i shtruar pak ditë më parë në Spitalin Universitar të Traumës (SUT), vijon të jetë i intubuar, me parametra jetësorë të qëndrueshëm dhe në përmirësim të vazhdueshëm.
Ekipi mjekësor i SUT-së do të vijojë ndjekjen në dinamikë të gjendjes shëndetësore të efektivit të Policisë dhe do të informojë mbi çdo zhvillim të mëtejshëm”, thuhet në reagimin e Spitalit të Traumës.
test
June 6, 2026 11:34 am |enprapa enprapa | Aktualitet
Qytetarët janë rikthyer sërish në protestë në zonën e Zvërnecit, ku parashikohet ndërtimi i një resorti turistik.
Protestuesit janë mbledhur në plazhin e Dalanit, në një marshim sensibilizues kundër projektit, të cilin e shohin si kërcënim për një zonë të mbrojtur dhe për interesin publik.
Gjatë protestës, qytetarët kanë artikuluar thirrje kundër rrethimit të zonës dhe kundër projektit, ndërsa një prej tyre tha se protestuesit nuk do të lejojnë zbatimin e tij.
“Ne nuk i lejuam, e hodhëm gardhin poshtë. Ta çlirojmë Shqipërinë. U bëj thirrje vlonjatëve, a jeni pasardhës të Ismail Qemalit? Vlorës në 1920 iu bashkuan gjithë shqiptarët. Lufta u bë për Vlorën, Vlorën duan të marrin, por shqiptarët janë gjallë”, u shpreh një protestues.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të Vlorës t’i bashkohen protestës, duke e lidhur kundërshtimin ndaj projektit me pronat, emigrimin e të rinjve dhe braktisjen e vendit.
Protesta në Zvërnec vjen pas tubimit të një nate më parë përpara Kryeministrisë, ku qytetarët qëndruan për më shumë se tre orë në ditën e gjashtë të protestës. Ata kërkuan sërish anulimin e projektit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protestat kundër projektit në Zvërnec kanë nisur si reagim ndaj ndërhyrjeve në zonë dhe rrethimit të territorit ku pritet të zhvillohet investimi, por gjatë ditëve të fundit ato janë zgjeruar, duke marrë edhe tone politike kundër qeverisë.
test
June 6, 2026 11:00 am |enprapa enprapa | Aktualitet
Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji ka reaguar për projektin e parashikuar për ndërtimin e një kulle pranë Pallatit të Kongreseve në Tiranë, duke e cilësuar atë si një tjetër rast ku pronat publike po kthehen në objekt përfitimi klientelist.
Salianji shprehet se mungon transparenca mbi projektin dhe se qytetarët nuk kanë marrë përgjigje për kushtet e zhvillimit, përfituesit apo ndikimin real për publikun.
Salianji kritikon edhe mungesën e qëndrimit të kryedemokratit Sali Berisha për këtë çështje, duke ngritur pyetjen nëse ai është me apo kundër Ramës.
Reagimi i plotë:
Heshtja që bërtet fort te Pallati i Kongreseve!
Nuk ka mbetur pothuajse asnjë pasuri publike që kjo qeveri të mos e ketë kthyer në objekt pazari për përfitim klientelist e politik!
Sot është radha e Pallatit të Kongreseve. Në zemër të Tiranës, mbi një nga pronat publike më të lakmuara në vend, propozohet një tjetër kullë. E si gjithmonë, transparenca mungon, ndërsa pyetjet e publikut mbeten pa përgjigje.
Kush përfiton? Me çfarë kushtesh? Çfarë fiton realisht qytetari shqiptar? Pse nuk ka debat publik për një pronë që u përket të gjithë shqiptarëve?
Më e fortë se zhurma e betonit është heshtja. Heshtja e atyre që duhet të ishin në vijën e parë të mbrojtjes së interesit publik, duke nisur nga lidershipi i PD! Ku është Sali Berisha këtë periudhë? Me Ramën apo kundër Ramës? Heshtja ndërkohë që pretendon se ende është alternativë!
Kur për një pronë kaq strategjike nuk dëgjohet asnjë kundërshtim, qytetarët kanë të drejtë të pyesin: a kemi të bëjmë me një përplasje politike reale apo me një konsensus të heshtur kur vjen puna te pazaret me pronën publike?
E njëjta skemë, i njëjti model. Toka publike, hapësira publike dhe pasuritë e qytetarëve vihen në dispozicion të interesave politike dhe private, ndërsa publikut i serviren slogane për zhvillim.
Qeveria sillet sikur është pronare e Shqipërisë, kur në fakt është vetëm administratore e përkohshme e pasurive që u përkasin shqiptarëve.
Një qeveri serioze ndërton dhe mbron hapësirat publike. Një pushtet i konsumuar i shet ato copë pas cope. Prona publike nuk është plaçkë. Nuk është monedhë shkëmbimi. Nuk është trofe pushteti.Ajo është pasuri e qytetarëve shqiptarë.
Për të shembur këtë sistem qytetarët po protestojnë! E këtë kam muaj që po e them në sallat dhe sheshet e qyteteve!
test