Ndryshime në skemën 2026- Masa 8 përafrohet me standardet e BE-së, nxit bashkëpunimin mes fermerëve

Aktualitet

Publikuar: 06/06/2026

Ndryshime në skemën 2026- Masa 8 përafrohet me standardet e BE-së, nxit bashkëpunimin mes fermerëve

Skema Kombëtare 2026 sjell ndryshime në masën 8, që mbështet sipërfaqet e mbjella me kultura bujqësore. Ndryshimet synojnë përafrimin e skemave të subvencionimit me standardet e Bashkimit Europian, në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë.

Drejtori i AREB Korçë, Vullnet Gjolla, ka sqaruar kriteret që duhet të plotësojnë fermerët për të përfituar nga kjo masë mbështetëse.

“Do të aplikojnë të gjithë ata fermerë të cilët plotësojnë 3 hektarë e lart. Nuk do të ketë më regjistrim të produkteve për vlerësim, por mjafton që ata ta kenë të mbjellë këtë sipërfaqe dhe normalisht do të deklarojnë se çfarë kanë mbjellë, por nuk ka rëndësi produkti i mbjelljes. Do të kenë dokumentin që është certifikatë pronësie apo AMTP”, tha Gjolla.

Më tej, Gjolla u ka bërë thirrje fermerëve të krijojnë shoqëri të bashkëpunimit bujqësor, pasi kjo formë organizimi rrit mundësitë për përfitim nga skemat mbështetëse.

“Për shkak edhe të aderimit në Bashkimin Europian, po mundohemi dhe po bëjmë përpjekje maksimale që t’u përshtatemi ligjeve dhe skemave subvencionuese të Bashkimit Europian. Unë u bëj thirrje të gjithë fermerëve që të plotësojnë këto kritere. Duhet të bashkohen bashkë, ashtu siç kemi bërë thirrje edhe në takime të tjera. Pra, është në të mirën e fermerëve tanë që, për të pasur një kosto më të ulët dhe për t’iu përshtatur skemave me të cilat po bëjmë të pamundurën për të aplikuar, të bëjnë bashkimin mes njëri-tjetrit”, tha  Gjolla.

Nga masa 8 mund të aplikojnë edhe fermerët që punojnë toka të marra me qira, mjafton që të regjistrojnë kontratën pranë njësisë administrative përkatëse, një procedurë që synon të lehtësojë aplikimin dhe të zgjerojë numrin e përfituesve të kësaj skeme.