Mbyllet nesër kufiri me Greqinë, oraret

Aktualitet

Publikuar: 26/07/2026

Mbyllet nesër kufiri me Greqinë, oraret

Lëvizja e automjeteve në disa pika të kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Greqisë do të pezullohet për disa orë të hënën, më 27 korrik, për shkak të grevës së punonjësve të doganës greke.

Sipas njoftimit të Departamentit të Policisë Kufitare dhe Migracionit, pezullimi do të zbatohet në PKK Kakavijë, Tre Urat, Kapshticë dhe Qafë Botë, sipas orareve të përcaktuara nga autoritetet greke.

Gjatë kohës së grevës do të lejohen të kalojnë vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe automjetet e emergjencës shëndetësore.

“Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit njofton se është informuar nga Qendra e Bashkëpunimit Policor në Kakavijë se, më datë 27.07.2026, punonjësit e doganës greke do të zhvillojnë grevë, sipas këtij orari:

Nga ora 07:00 deri në orën 11:00 (me orën shqiptare), në PKK Kakavijë dhe Tre Urat (Përmet);

Nga ora 05:00 deri në orën 09:00 (me orën shqiptare), në PKK Kapshticë (Korçë) dhe Qafë Botë (Sarandë)”,- thuhet në njoftimin e ndarë për mediat.

Policia Kufitare u bën apel qytetarëve që kanë planifikuar të udhëtojnë drejt Greqisë me automjet të shtyjnë udhëtimin deri në përfundimin e grevës, për të shmangur pritjet dhe grumbullimet në pikat kufitare.