Në një hapësirë publike ku beteja politike zhvillohet më ashpër në Facebook e gjetiu në rrjete sociale, se sa në Kuvend, Gazeta Nacionale ka raportuar vazhdimisht për një fenomenin e veçantë: profile të dyshuara si të rreme, të ndërtuara me emra dhe fotografi grash, të cilat prodhojnë dhe shpërndajnë në mënyrë intensive, sistematike dhe të koordinuar përmbajtje në mbështetje të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kundër kritikëve të saj.
Përmes nëntë artikujve e gjashtë videove, të publikuar në periudha të ndryshme, Nacionale ka dokumentuar emrat e llogarive, ritmin e publikimeve, ndryshimet e identitetit, ndërveprimet mes tyre dhe mënyrën se si të njëjtat mesazhe amplifikohen në grupe të mëdha politike. Në qendër të raportimeve janë profile si “Lule Gjeli”, “Sara Blakqori”, “Jona Qitaku” – më vonë “Jona Çitaku”, “Selvije Berisha”, “Genta Genta”, “Ganja”, “Feime Bullaku” dhe një varg llogarish të tjera.
Raportimi fillestar i Nacionales analizonte disa prej profileve më aktive gjatë fushatës zgjedhore. Sipas të dhënave të paraqitura në artikull, llogaritë publikonin dhjetëra herë brenda orës, komentonin në faqet e mediave, politikanëve dhe opinionistëve, si dhe shpërndanin materiale nga tubimet e subjektit politik Vetëvendosje. Përmbajtja lëvizte nga promovimi i Albin Kurtit deri te etiketimi i kundërshtarëve politikë si hajdutë, tradhtarë apo bashkëpunëtorë të Serbisë.
Rasti më përfaqësues ishte ai i “Sara Blakqorit”. Profili prezantohej si një grua e shkolluar në Gjermani dhe e punësuar në një medium ndërkombëtar. Por Nacionale vuri në pah se në adresën e përdoruesit kishte mbetur emri “Sabri Gashi”, duke ngritur dyshime serioze për identitetin real. Gazeta raportoi gjithashtu se “Sara Blakqori” dhe “Jona Qitaku” ishin krijuar në të njëjtën ditë, ndiqnin llogari të ngjashme, vepronin në grupe të njëjta dhe publikonin materiale pothuajse identike.
Në materialet e shqyrtuara nuk paraqitet një provë përfundimtare që dëshmon një zinxhir formal komandues mes këtyre llogarive dhe strukturave zyrtare të Vetëvendosjes. Megjithatë, artikujt dokumentojnë një model: identitete të dyshimta, fotografi të huaja, emra që ndryshojnë, publikime me frekuencë jashtëzakonisht të lartë, mesazhe të njëjta dhe ndërveprime me figura ose grupe që mbështesin partinë në pushtet.
Beteja e Nacionales me këto profile, në thelb, nuk është betejë me emrat “Lule Gjeli”, “Sara”, “Jona” apo “Selvije”. Është betejë me anonimitetin e përdorur si armë, me mashtrimin e identitetit dhe me përpjekjen për ta zëvendësuar debatin publik me linçim, manipulim dhe propagandë. Në kohën kur një profil i rremë mund të arrijë më shumë njerëz se një medium, dokumentimi i origjinës, sjelljes dhe përmbajtjes së tij bëhet pjesë e drejtpërdrejtë e betejës për të vërtetën.