Po përmend vetëm këta të dy, sepse kanë krijuar një profil të konsoliduar publik dhe, për shkak të aftësive të tyre profesionale, mund të punonin shumë lehtë kudo.
Mund të kishin zgjedhur edhe gazetarinë e pavarur dhe kjo vetëm sa do t’ua rriste autoritetin dhe integritetin publik.
Por zgjedhja për të qëndruar në atë redaksi nxjerr në pah një të vërtetë të hidhur për ata vetë, por edhe per median shqiptare.
Integriteti nuk mund të jetë me orar të pjesshëm
Nuk mund të tregohesh i pamëshirshëm me korrupsionin në rrugë dhe para dyerve të SPAK-ut, ndërsa mbyll sytë kur ekrani ku punon përdoret si mjet presioni, propagande, shantazhi apo gjobëvënieje.
Dashur pa dashur, kapitali moral dhe profesional i gazetarëve të njohur përdoret si 𝗺𝗮𝗸𝗲-𝘂𝗽 për të mbuluar fytyrën e vërtetë të një televizioni që e “zbuloi” kapjen e shtetit vetëm pasi pushteti filloi t’i prekte pronarin në xhep.
Për ta kuptuar këtë hipokrizi editoriale, mjafton të ndiqet kronologjia.
Spastrimi i zërave kritikë për të ruajtur pazaret
“Zgjimi” i televizionit dhe i gazetarëve të tij nuk ndodhi në vitin 2019.
Atëherë, kur nga ekrani u larguan emisione kritike si “𝗔 𝗦𝗵𝗼𝘄” i Adi Krastës dhe “𝗧𝗲 𝗣𝗮𝗲𝗸𝘀𝗽𝗼𝘇𝘂𝗮𝗿𝗶𝘁” i Ylli Rakipit, redaksia heshti.
Ata u larguan pa ndonjë rezistencë të dukshme nga kolegët, pikërisht në një periudhë kur pronari Irfan Hysenbelliu ruante marrëdhënie të qeta me qeverinë.
Hapësirat e lëna bosh iu dhanë figurave shumë më të dashura dhe shumë më shërbyese ndaj pushtetit, si Sokol Balla.
Në atë kohë, për News24, Shqipëria nuk ishte ende “në shitje”.
Sepse liria e medias nuk fillon kur fadromat prekin pronën e pronarit.
Ajo fillon kur mbron kolegun që dëbohet nga redaksia, sepse pushtetit nuk i pëlqen zëri i tij.
Dhe ai solidaritet mungoi plotësisht.
Faturat e fshehura dhe të papaguara të Fanes
Në të vërtetë, përplasja me qeverinë nuk nisi me prishjen e Prestige Resortit.
Ajo kishte nisur disa muaj më parë.
Në fillim të vitit 2022, Tatimet ushtruan kontrolle te Birra Tirana dhe pretenduan se kompania kishte rreth 1.7 milionë euro detyrime të papaguara, si edhe shitje të kryera pa dokumentacionin përkatës tatimor.
Më pas u raportua edhe bllokimi i shitblerjes së aksioneve të kompanisë për shkak të detyrimeve, si dhe kallëzimi i saj në Prokurori.
Paralelisht shpërtheu edhe përplasja me Doganat për penalizimet ndaj kompanive të lidhura me Hysenbelliun.
Pra, në fillim erdhën Tatimet.
Pastaj Doganat.
Pastaj bllokimi i aksioneve dhe kallëzimet.
Dhe vetëm më pas erdhën fadromat.
Kjo është kronologjia që nuk duhet humbur.
Motori i vërtetë i kthesës editoriale nuk dukej se ishte interesi publik.
Nuk ishin inceneratorët.
Nuk ishte Porti i Durrësit.
Nuk ishte kapja e ekonomisë nga oligarkët.
Këto probleme kishin vite që ishin aty.
Por televizioni nuk ishte zgjuar ende.
Ai u shndërrua në “kallashnikov” vetëm kur qeveria filloi të sillej si pronare dhe t’i kërkonte pronarit faturat, taksat, detyrimet dhe pronat që pretendonte se i mbante pa të drejtë.
Përplasja u përshkallëzua në shtator të vitit 2022, kur fadromat e IKMT-së goditën pishinat dhe ndërtesat e 𝗣𝗿𝗲𝘀𝘁𝗶𝗴𝗲 𝗥𝗲𝘀𝗼𝗿𝘁 në Golem.
Më pas erdhi edhe shembja me eksploziv e godinës kryesore.
Dhe pikërisht gjatë kësaj përplasjeje Shqipëria u shpall papritur “në shitje”, shteti u zbulua si i kapur dhe oligarkët u kthyen në rrezikun më të madh kombëtar.
Por fadromat nuk ishin fillimi i luftës.
Ishin vetëm përshkallëzimi i një lufte që kishte nisur kur Tatimet dhe Doganat trokitën te bizneset e pronarit.
Në podium
Gazetarë të aftë dhe me ndikim si Klodi e Osmani e kishin mundësinë të distancoheshin nga kjo maskaradë.
Të largoheshin në momentin kur media përdorej si mburojë për problemet fiskale, pronësore dhe ndërtimore të botuesit, do të kishte qenë një akt i vërtetë guximi dhe integriteti profesional.
Sepse çdo denoncim në terren humbet peshë kur gazetari nuk ka guximin të bëjë të njëjtën pyetje brenda shtëpisë së vet mediatike.
Kur e morët vesh se Shqipëria ishte në shitje?
Kur u larguan kolegët kritikë nga ekrani?
Kur pushteti po merrte çdo institucion?
Kur oligarkët po ndanin pasuritë publike?
Kur televizioni juaj transmetonte kasetat e gatshme të Bashkisë?
Apo vetëm kur Tatimet, Doganat dhe fadromat mbërritën te bizneset e pronarit tuaj?
Nuk mund t’u kërkosh llogari të gjithëve dhe të përjashtosh nga kjo llogari atë që të paguan.
Gazetaria nuk mund të përdoret si alibi morale për të mbuluar faturat, pazaret dhe hallet e pronarit. Dhe Shqipëria shpallet në ‘shitje’ vetëm ditën kur shitësi nuk pranon në sofrën e pazarit Fanen.