Opozitë e shitur/ Familjarët e deputetëve të PD miliona euro tendera dhe poste në pushtetin e Edi Ramës (emrat)

Investigim

Publikuar: 26/07/2026

Opozitë e shitur/ Familjarët e deputetëve të PD miliona euro tendera dhe poste në pushtetin e Edi Ramës (emrat)

Thirrja e protrestuesve ‘opozitë e shitur’ duket se ka një bazë faktike. Disa nga familjarët e deputetëve të Partisë Demokratike kanë futur duart në arkën e shtetit duke përfituar tendera miliona euro nga pushteti i Edi Ramës, ndërsa ligjvënës të tjerë të opozitës i kanë sistemuar familjarët e tyre në poste të rehatshme në administratën e pushtetit.

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa rezulton se vetëm gjatë pesë viteve të fundit ka përfituar rreth 8 milionë euro tendera publikë përmes dy kompanive në pronësi të bashkëshortit të saj, Fabian Goçi (A&T, me nipt L32320008H,  2A2F – L OIL, me nipt L41915013M).

Deputeti i PD Blendi Himçi, pronar i një karburanti në Elbasan, administruar nga daja e tij dhe në pronësi të dyshuar fiktive në emrin e të vëllait Denis Himçi, ka marrë disa tendera në Qarkun e Elbasanit përmes karburantit Petrol Blu Energy.

Ndërkaq, vajza e Jozefina Topallit, Margerita Topalli, punon në Bankën e Shqipërisë, një nga institucionet më të lakmuara nga politikanët. Bashkëshortja e Fatmir Mediut, Zhuljeta Mediu punon në Ministrinë e Infrastrukturës, ndërsa ajo e Tedi Blushit në Ministrinë e Drejtësisë.

Bashkëjetuesja e Edi Palokës, Desara Mema, është pjesë e Shkollës së Magjistraturës, ndërsa bashkëshortja e Falmur Nokës punon në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Bashkëshortja e deputetit të PD Artan Luku punon pranë Agjensisë Rajonale të Mjedisit. Bashkëshortja e deputetit të PD Bledjon Nallbati punon pranë Avokatit të Popullit.

Bashkëshortja e deputetit të PD Kastriot Piroli punon pranë Drejtorisë Arsimore Lezhë, ndërsa i biri pranë Drejtorisë së Burgjeve. Bashkëshortja e deputetit të PD Kliti Hoti punon pranë QSUT, ndërsa bashkëshortja e Bardh Spahisë punon pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Bashkëshortja e Bujar Leskajt punon më Ministrinë e Jashtme, ndërsa i biri pranë Bankës së Shqipërisë. Pranë Bankës së Shqipërisë punon edhe bashkëshortja e Agron Gjekmarkajt, Elda Metaj.

Bazuar në evidenca përfituesja më e madhe nga pushteti i Edi Ramës është Familja Berisha. Përpos kullave dhe resorteve për dhëndrin dhe prestanomet e Shkëlzenit, një rreth biznesmemësh që marrin para dhe prona publike nga qeveria Rama, financojnë Familjen Berisha, duke nisur nga financimi i televizionit të saj.