Detaje nga sherri në Durrës / U përfshi i kërkuari nga SPAK, Denis Tafili. AMP heton lidhjet me efektivin e policisë

Kronike

Publikuar: 25/07/2026

Detaje nga sherri në Durrës / U përfshi i kërkuari nga SPAK, Denis Tafili. AMP heton lidhjet me efektivin e policisë

I kërkuari nga SPAK, Denis Tafili, dyshohet se është përfshirë në një konflikt në një lokal në Durrës, ku një person mbeti i dhunuar. Ngjarja ka vënë në lëvizje Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, e cila ka nisur verifikimet për rolin e një efektivi policie të pranishëm gjatë sherrit.

Sipas të dhënave paraprake, Tafili dyshohet se ka goditur me qytën e pistoletës shtetasin Edison Gjuzi, i cili ka deklaruar se është dhunuar gjatë konfliktit. Pas përplasjes, personat e përfshirë janë larguar nga vendi i ngjarjes.

AMP ka sekuestruar armën e zjarrit të efektivit të policisë, Leonard Xhamollari i cili ndodhej në ambientet ku ndodhi konflikti. Agjencia po heton nëse polici ka pasur lidhje me Denisin Tafilin apo nëse ka pasur ndonjë rol në favorizimin e tij pas ngjarjes.

Efektivi, gjatë deklarimeve të tij para agjentëve të AMP-së, ka mohuar të ketë lidhje me Tafilin, duke pretenduar se nuk ka pasur marrëdhënie me personin e kërkuar nga SPAK.

Ndërkohë, Edison Gjuzi ka deklaruar se e ka parë efektivin disa herë në shoqërinë e Denisit Tafilit dhe të personit tjetër të përfshirë në konflikt. Për këtë arsye, AMP po analizon edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të sqaruar dinamikën e plotë të ngjarjes.

Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e konfliktit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e secilit person të përfshirë.