Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas evidentimit të një automjeti që lëvizte me shpejtësi 212 km/h në aksin rrugor Lushnjë-Fier, ku kufiri i lejuar është 90 km/h.
Lamallari e cilësoi këtë sjellje si një rrezik serioz për sigurinë rrugore, duke theksuar se tejkalimi ekstrem i shpejtësisë nuk është thjesht një gabim, por një kërcënim për jetën e drejtuesve të tjerë të mjeteve dhe qytetarëve.
“Me 212 km/h në rrugën Lushnjë-Fier, ku shpejtësia maksimale e lejuar është 90 km/h, nuk është thjesht një ‘gabim’, por një atentat ndaj jetës dhe kërcënim për përdoruesit e tjerë të rrugës”, u shpreh ministri.
Ai bëri të ditur se mjetet inteligjente të Policisë së Shtetit janë të shtrira në akset rrugore për të parandaluar dhe ndëshkuar shkeljet e rënda të rregullave të qarkullimit.
“Syrin e pagabueshëm të teknologjisë nuk mund ta shmangni”, theksoi Lamallari, duke bërë apel për respektimin e rregullave të qarkullimit dhe për një sjellje më të përgjegjshme në rrugë.