Seanca plenare shtyhet për të enjten pas tensioneve

Aktualitet

Publikuar: 20/07/2026

Seanca plenare shtyhet për të enjten pas tensioneve

Kuvendi nuk mundi t’i zhvillonte dot punimet ditën e sotme (20 korrik) pas dy ndërprerjeve dhe tensioneve në sallë, pasi opozita bllokoi Foltoren në momentin që do raportonte Avokati i Popullit.

Pas debateve të forta dhe akuzave, kreu i grupit të PS, Taulant Balla, propozoi shtyrjen e seancës për ditën e enjte (23 korrik) me të gjitha pikat e mbetura sot, për shkak se pas 7 orësh seancë siç u shpreh ai, opozita nuk lejonte punimet normale.

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, propozoi që vetëm pika e Avokatit të Popullit, Endrit Shabani, të shtyhej për në fund të rendit të ditës, duke akuzuar Peleshin për provokim të opozitës.

“Ai nuk do raportojë dot në Kuvend. Hiqni dorë nga skenarët e bllokimit ë opozitës. Ju doni ta bojkotoni këtë seancë dhe seancën tjetër. Le të vazhdojmë me KLGJ, KLP, Prokurorin e Përgjithshëm, ILD dhe në fund Avokatin e Popullitpo të doni dëgjojeni po ai nuk do raportojë dot. Thjesht kërkojmë ndërrimin e rendit të ditës, lëreni për në fund. Nëse doni ta bojkotoni opozitën dhe ta prishni seancën, por ju po provokoni në çdo moment opozitën”, th Bardhi.

Bardhi akuzoi mazhorancën se po provokon opozitën dhe kërkoi ndryshimin e rendit të ditës pasi sipas tij mazhoranca kërkon të pengojë diskutimet për Aktin Normativ për 4.3 milionë euro që qeveria dha për koncertin e artistit Kanye West.

“Ju doni të provokoni seancën tjetër, sepse me akt normativ i keni dhënë një personi 4.3 milionë euro. Zotërinë që ju e quani Avokat të Partisë, ne nuk e njohim dhe nuk do të raportojë dot në Kuvend. Tani doni të prishni edhe këtë seancë edhe tjetrën. Hiqni dorë nga provokimi i opozitës”, tha ai.

Kurse Peleshi e kundërshtoi duke thënë se po mbanin peng Kuvendin dhe po shkelnin rregulloren.

“Ky precedent nuk i vlen askujt, si mund ta bllokosh kuvendin. Të kërkosh rendin e ditës së përcaktuar pas 7 orësh seancë nuk ka kuptim. Nëse është i ligjshëm apo i paligjshëm ai këtë e shpallin gjykatat, shumë mirë që e keni çuar në Gjykatën Kushtetuese, nëse do ishte marrë vendim pezullimi ne do e zbatonim, përfshi dhe unë, absolutisht. Do respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Unë marrë të bazuar kërkesën e zotit Balla për shtyrjen e pikave të rendit për në seancën tjetër, pra shtyrjen e tyre. Kuvendin po e mbyllni ju që po e mbani 7 orë peng. Kush është dakord me propozimin për shtyrjen e seancës në datën 23 të pikave të rendit të ditës”, tha ai.

Më tej shtoi se: “Nëse në shtator iu jepet e drejta, e pranojmë. Por nuk keni fuqi t’i imponoheni qeverisë, Kuvendit jo e jo. Rendi i ditës nuk mund të ndryshojë vetëm sepse bllokohet foltorja, sepse ky do të ishte fundi i parlamentarizmit. Nuk jam këtu për t’ju mësuar aftësitë konjitive”.

Në fund propozimi i Ballës u hodh në votim dhe kaloi me 76 vota, duke shtyrë seancën për të enjten.