Forcë operacionale, njësi analize, pajisje përgjimi dhe dhoma marrje në pyetje: si SPAK po ngre “makinerinë” e re të hetimit

Aktualitet

Publikuar: 11/07/2026

Forcë operacionale, njësi analize, pajisje përgjimi dhe dhoma marrje në pyetje: si SPAK po ngre “makinerinë” e re të hetimit

SPAK ngre strukturën operative që trondit politikën dhe krimin…

Prokuroria e Posaçme po kthehet në një makth si për pushtetarët e korruptuar, ashtu edhe për bosët e krimit. Përveç hapjes së shumë dosjeve sensitive, SPAK duket se ka kaluar në një fazë të re: atë të një “makinerinë” e re të hetimi.

Arrestimi i Adi Çobës në Durrës pak javë më parë, vetëm nga forcat e BKH-së, pa mbështetjen e policisë, ishte një zhvillim i papritur për shumëkënd. Policia në shumë raste i ka dekonspiruar aksionet dhe SPAK ka vendosur të operojë vetë.

Kreu i SPAK, Klodian Braho, kur ishte në Kuvend pak ditë më parë, foli mbi synimin e kësaj lëvizjeje, duke dhënë detaje.

Ne presim më shumë nga Policia e Shtetit dhe mendojmë se ka vend për më shumë, veprimet që mund të kryejë BKH edhe për arrestime të personave, janë veprime procedurale që ligji ia lejon BKH. Pengesat mund të vijnë për shkak të mungesës së një infrastrukture të dedikuar operacionale dhe taktike. Pavarësisht bashkëpunimit me institucionet e tjera, SPAK duhet të ketë pavarësi operacionale. S’duhet të varet nga institucione të tjera. Nuk mund ta zëvendësojmë Policinë e Shtetit, por jemi të bindur që duhet të kemi pavarësinë tonë procedurale dhe operacionale në mënyrë që, për një çështje të caktuar, struktura të jetë e aftë të bëjë të gjithë ciklin e veprimeve hetimore. Është praktikë që e kemi parë edhe në institucionet homologe në vende të tjera me të cilat bashkëpunojmë”, tha Braho.

Por piketat e kësaj njësie janë hedhur te raporti vjetor i SPAK për vitin që lamë pas. Aty tregohet qartë se SPAK po merr trajtën e një strukture njësoj si FBI.

Duke mbajtur parasysh kapacitetet aktuale hetimore të Byrosë, vlerësohet nevoja për ngritjen dhe zhvillimin e disa funksioneve të brendshme themelore, të tilla si analiza kriminale, forca operacionale dhe përdorimi i metodave speciale të hetimit, me qëllim garantimin e pavarësisë për funksione operative dhe teknike nga institucione si Policia e Shtetit”, thekson SPAK.

Njësia e analizës kriminale do të sigurojë një informacion të bollshëm mbi tendencat e krimit, do të zhvillojë vlerësime të kërcënimeve dhe rrezikut potencial për veprat penale në juridiksion të SPAK, si edhe do të ndihmojë në nxitjen e marrëdhënieve më të thelluara dhe ndërveprimin me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit.

Ndërkohë, ngritja e forcës operacionale nëpërmjet kapaciteteve të specializuara si vëzhgimi, depërtimi, fshehja, përgjimi etj., është vendimtare për zhvillimin e hetimeve të SPAK, duke pasur parasysh kapacitetet dhe burimet e kufizuara të BKH-së në këtë drejtim, thekson SPAK.

Ngritja e një njësie të tillë brenda strukturës do të kufizojë maksimalisht edhe mundësinë e rrjedhjes së informacioneve në ekzekutimin e kryerjes së veprimeve hetimore, si edhe do të zhvillojë në një dimension tjetër zhvillimin e kapaciteteve hetimore, nëpërmjet përdorimit të metodave speciale të hetimit dhe krijimit të njohurive të avancuara teknologjike për përdorimin e pajisjeve të sofistikuara në funksion të kërkimit të provës”, thuhet në planin e SPAK.

Përveç kësaj, BKH është modernizuar me dhoma për marrjen në pyetje, ku gjithçka do të regjistrohet. Po ashtu, do të ketë dhoma për njohje fytyre, pra njësoj si në filma ku një “X” dëshmitar qëndron pas xhamit dhe verifikon të akuzuarin.

SPAK në godinën e re ka marrë të gjitha masat e nevojshme, duke parashikuar një infrastrukturë të dedikuar për marrjen në pyetje të personave dhe dëshmitarëve. Janë parashikuar dhoma të veçanta për marrje në pyetje dhe dhoma për procedurat e njohjes. Çdo dhomë marrjeje në pyetje është e pajisur me pika të integruara në dysheme për furnizim me energji elektrike dhe lidhje interneti, si dhe me sistem të instaluar kamerash dhe regjistrimi audio, për të garantuar monitorim dhe dokumentim të plotë të procedurës sipas standardeve më të mira ndërkombëtare”, thekson raporti.

Një zhvillim tjetër është se SPAK ka blerë pajisje speciale përgjimi. Pajisja me shumë funksione si përgjim, lokalizim dhe njëherësh mbledhjen e shumë të dhënave telefonike është “IMSI Catcher” dhe aktualisht ka hyrë në zyrat e SPAK, kundrejt një kontrate afro 1 milion euro që është nënshkruar me një kompani të huaj.

Pra, duket se SPAK po kthehet në një makth për politikën dhe krimin, pasi tani do të jetë e vështirë të rrjedhin informacionet. /Pamfleti