Dosja e Ahmetajt / Pas Lad Kostës, SPAK amnistoi edhe Mond Begon me 4 emra, mbuloi vilën e Tigrit në Palasë, si përfitoi prona publike për pallate, lidhje dhe afera

Krim & Korrupsion

Publikuar: 19/03/2026

Dosja e Ahmetajt / Pas Lad Kostës, SPAK amnistoi edhe Mond Begon me 4 emra, mbuloi vilën e Tigrit në Palasë, si përfitoi prona publike për pallate, lidhje dhe afera

Më shumë se dy vite e gjysmë pasi kërkoi arrestimin në parlament, SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjykatë ish zv.kryeministrin në arrati Arben Ahmetaj, bashkë me 10 persona të tjerë. Ahmetaj akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. SPAK ka goditur pjesërisht edhe rrethin e biznesmenëve, të cilët sipas prokurorëve të çështjes kanë mbuluar disa nga pasuritë e Arben Ahmetajt produkt i aferave korruptive. Ata kanë ndihmuar dhe mbuluar Trigrin edhe për pastrimin e parave të korrupsionit, provuar me fakte dhe prova nga SPAK. 

Të pandehurit: Andi BoniElda DinajGerian KukaHelidon BegajSonila Goxhaj dhe Sokol Meqemeja janë akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dyte i Kodit Penal“, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Por, përveç biznesmenit dhe ish deputetit të PS Vladimir Kosta, SPAK ka amnistruar edhe biznesmenin tjetër Edmond Bega allias Manoli Bega allias Saimir Sina allias Belul Gjahtari, i dënuar për trafik droge, por që e ka shlyer dënimin dhe konsiderohet i rehabilituar. Si Lad Kosta, ashtu edhe Mond Bego, kanë mbuluar Arben Ahmetajn në fshehjen e pasurisë dhe pastrimin e parave. Jo vetëm kaq, por ka dyshime të forta se Mond Bego dhe Arben Ahmetaj janë përfshirë në tjetërsimin e pronave publike në favor të biznesmenit Bego.

Megjithatë, ish kreu i SPAK-ut Altin Dumani, si një nga prokurorët e dosjes së Arben Ahmetajt, ka vendosur t’a amnistojë Mond Begën, i cili nuk rezulton në listën e personave që SPAK ka marrë të pandehur për korrupsionin e Tigrit.

Roli i Mond Begës në dosjen e Ahmetajt

Në dosjen e SPAK për pastrimin e parave dhe korrupsionin e Arben Ahmetajt del në pah edhe biznesmeni Mond Bega. Në dosje thuhet se Mond Bega dhe Arben Ahmetaj kanë udhëtuar bashkë jashtë vendit. Ndërkaq, në prill 2021, Mond Bega, përmes kompanisë së tij Inerte Ekspres, i ka shitur vilën nr. 73 Arben Ahmetajt në Palasë, përfituar nga Ahmetaj me skemë korrupsioni dhe kamufluar në emrin e Elda Dinajt, shoqe e ish bashkëshortes së Arben Ahmetajt, Albina Mançka.

Prokurorët e çështjes Altin Dumani dhe Enkeleda Millonai kanë arritur në konluzionin se Arben Ahmetaj ka përdorur Mond Begon për kamuflimin e vilës 73 në Palasë, me vlerë mbi 1 milionë euro. Nga hetimet ka rezultuar se Mond Bega në fakt nuk ka lidhje me vilën, por është angazhuar me kompaninë e tij Inerte Ekspres për të ndihmuar Ben Ahmetajn, për mbulimin e pasurisë, ku më pas ka hyrë në lojë Elda Dinaj, si mbulesë e vilës së korrupsionit.

Shitja është bërë tek noteri Alket Mançka, i cili është ish kunati i Arben Ahmetajt, vëllai i Albina Mançkës. Elda Dinaj nuk ka qenë fare në Shqipëri kur është bërë shitblerja tek noteri. Alket Mançka me Mond Begën kanë falsifikuar aktin noterial. Si Mond Bega, ashtu edhe Elda Dinaj, kanë gënjyer SPAK-un kur janë pyetur për vilën e Arben Ahmetajt në Palasë, duke u përjekur që të fshehin pronarët realë të vilës.

Bega ka mbrojtur versionin e rremë sikur vilën ia ka shitur mashtrueses Elda Dinaj. Mond Bega tregon edhe se si ka firmosur shitjen pa qenë prezent fare pala blerëse! Në dosjen e SPAK flitet për një dokument që tregonte se vila ishte në pronësi të Albina Maçkës, si dhe për lëvizje në panik të punonjësve të resortit në Palasë për të zhdukur provat dhe penguar drejtësinë.

Tjetërsimi i pronës publike për pallate

Në shtator të vitit 2016, Arben Ahmetaj, në atë kohë ministër i Financave dhe Ekonomisë, ka firmosur privatizimin e pronës së njohur si ish-sera, te Unaza e Re, në të cilën biznesmeni Mond Bega, me disa emra dhe i dënuar për trafik droge, po ndërton një kompleks pallatesh.

Drejtori i Pronës Publike, Endrit Duçka, pjesë e kartelit të Arben Ahmetajt, ka deklaruar se privatizimi i serave dhe magazinave te Unaza e Re është bërë për llogari të Maliq dhe Hamdi Pinarit, si trashëgimtar.

Në asnjë rast ministria e financave nuk ka lidhur apo privatizuar asnjë pronë me emrin Edmond Bego, ky person nuk figuron në asnjë dokument”, tha Duçka, i cili është dhëndri i oligarkes Vilma Nushi, ortake në biznes e pastrim parash me Ahmetajn me kompaninë Hermes

Po si qëndron e vërteta?

Arben Ahmetaj, me kunatin e tij Klodian Mene që e kishte caktuar drejtor i privatizimeve në Ministrinë e Ekonomisë dhe Endrit Duçkën drejtor i Pronave Shtetërore, kanë kryer privatizinin pronës publike për interesa të Mond Begos.

Së pari, pagesa për privatizimin e pronës publike me vlerë 1.5 milionë euro rezulton se është bërë nga kompania Inerte Ekspres. Administrator dhe pronar i kompanisë së ndërtimit Inerte Ekspres është pikërisht Edmond Bega, allias Manoli Bego, allias Sajmir Sina, allias Belul Gjatari, i dënuar për trafik droge, por që e ka shlyer dënimin dhe konsiderohet i rehabilituar.

Së dyti, Edmond Bega po ndërton sot pallate në pronën e privatizuar nga Arben Ahmetaj dhe grupi i tij në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Së treti, sipas dosjes së SPAK për korrupsionin e Arben Ahmetajt dhe rolin e tij si bosi i inceneratorëve, Ahmetaj dhe Bega kanë udhëtuar bashkë jashtë vendit, fakt që ngre dyshime se privatizimi i pronës publike është produkt i pazareve mes tyre. Dhe jo vetëm kaq, por Bega është angazhuar në mbulimin e pastrimit të parave nga Ben Ahmetaj me pasuri të palujtshme.