Para se të bëhej një disident i burgosur për një dekadë në kolonitë penale ruse dhe një lider i opozitës në mërgim, Mikhail Khodorkovsky ishte një sipërmarrës në sektorin e naftës. Disa nga rafineritë e goditura nga Ukraina dikur ishin në pronësi të tij.
Rusia ka humbur rreth një të katërtën e kapacitetit të saj për të prodhuar karburante. Sa serioze është kjo?
“Autoritetet ruse mund të mbështeten te zgjidhjet e tregut, por hezitojnë ta bëjnë këtë, sepse do të çonte në rritjen e çmimeve të naftës dhe benzinës në zona të ndryshme. Kjo do të dëmtonte edhe indeksin e popullaritetit të Vladimir Putinit.”
A ekziston një mënyrë tjetër për të zgjidhur krizën?
“Qeveria mund të koordinojë prodhuesit e naftës, operatorët e tubacioneve dhe kompanitë e logjistikës. Ajo duhet të marrë përgjegjësinë për rishpërndarjen e eksporteve dhe furnizimeve të brendshme, të përdorë rezervat strategjike të karburantit dhe, nëse është e nevojshme, të lehtësojë përkohësisht standardet e cilësisë së karburantit. Kjo është e realizueshme, por kërkon shumë kompetencë administrative dhe aftësi menaxheriale.”
A i ka qeveria ruse këto aftësi?
“Ajo nuk ka as vullnetin politik për të ndjekur qasjen e tregut dhe as kapacitetin administrativ për të zbatuar alternativën. Prandaj, Rusia vazhdon të përballet me mungesë të rëndë të karburantit. Në fund të fundit, kjo është më shumë një krizë e sistemit të qeverisjes sesa një krizë e benzinës.”
A mund të shkaktojë Ukraina një kolaps sistemik të furnizimit me karburant, që do të godiste rëndë bujqësinë dhe logjistikën ruse?
“Nëse Ukraina do të merrte raketat Tomahawk ose do të zgjeronte presionin ndaj rafinerive siberiane dhe nyjeve thelbësore të logjistikës, Rusia mund të përballej me një fund vere dhe fillim vjeshte shumë të vështirë. Por, pavarësisht paaftësisë së Kremlinit, ka të ngjarë që vendi të përshtatet me nivelin aktual të presionit gjatë këtij dhe muajit të ardhshëm.”
Si ndikon kjo situatë në pozitën e Putinit dhe në qëndrimin e opinionit publik rus ndaj Kievit?
“Mungesa e karburantit dhe bllokimet e internetit janë dy mënyrat kryesore përmes të cilave shoqëria ruse po e përjeton luftën. Nëse mungesa e karburantit vazhdon, Putini do të duhet të ndërmarrë ndonjë veprim politik në planin e brendshëm. Votimet e vjeshtës po afrohen. Jo sepse janë zgjedhje reale, por sepse gjithsesi mbeten një ngjarje politike.”
Çfarë nënkupton kjo?
“Aparati i propagandës tashmë po teston terrenin për një ndryshim në mënyrën se si paraqitet lufta. Deri tani ajo është quajtur ‘operacion ushtarak special’. Por zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, së fundmi tha se përfshirja e Evropës e ka shndërruar atë në një luftë të vërtetë. Ky mund të jetë hapi i parë drejt ripërcaktimit të saj si një ‘luftë popullore’, në përpjekje për të mobilizuar shoqërinë rreth mbrojtjes së atdheut kundër një armiku që paraqitet si shumë më i madh sesa vetëm Ukraina.”
A do ta pranojë shoqëria idenë e një ‘lufte popullore’?
“Do ta shohim, por unë nuk besoj. Kjo do të krijonte gjithashtu rreziqe për regjimin. Sot, forcat që përfaqësojnë pjesëmarrësit në ‘operacionin ushtarak special’ kanë një ndikim të kufizuar. Nëse ndërgjegjja publike fillon ta konsiderojë këtë si një ‘luftë’, ka gjasa që ekuilibri të ndryshojë.”
A po fiton gjithnjë e më shumë ndikim mbi Putinin dhe drejtimin e vendit FSB-ja, shërbimi sekret rus?
“FSB-ja ka qenë gjithmonë instrumenti kryesor politik i Putinit. Megjithatë, deri para pak kohësh ndikimi i saj balancohej pjesërisht nga qendra të tjera civile të pushtetit. Administratapresidenciale ishte përgjegjëse për politikën e brendshme, propagandën dhe internetin, ndërsa qeveria dhe banka qendrore mbikëqyrnin ekonominë.”
Po tani?
“Që nga fillimi i luftës, kompetencat e FSB-së janë zgjeruar ndjeshëm. Ajo ka triumfuar përfundimisht mbi institucionet civile. Represioni, kufizimet dhe kontrolli policor janë bërë mjetet kryesore të qeverisjes. FSB-ja tani është përgjegjëse jo vetëm për sigurinë e brendshme, por edhe për politikën e brendshme, internetin dhe një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë.
Spektri i çështjeve për të cilat gjeneralët e FSB-së nuk kërkojnë më miratimin personal të Putinit përpara se të ndërmarrin masat më radikale është zgjeruar ndjeshëm. Sot, konkurrenca tradicionale mes fraksioneve rivale të Kremlinit po zhvillohet gjithnjë e më shumë midis departamenteve të ndryshme të FSB-së.”
Sa mund të vazhdojë kjo situatë?
“Bëhet fjalë për një sistem thelbësisht të paqëndrueshëm, ku Putini po bëhet peng i shërbimit të tij kryesor të sigurisë. Besoj se ai e kupton këtë. Edhe Joseph Stalin u gjend në një pozitë të ngjashme. Ai e menaxhoi këtë varësi përmes spastrimeve periodike brenda aparatit të tij të sigurisë. Mbetet për t’u parë nëse Putini do të bëjë të njëjtën gjë.”
Ai duket se mendon se mund t’i arrijë objektivat e tij ushtarake brenda vitit, duke shpresuar në një kthesë të elektoratit evropian drejt së djathtës ekstreme proruse.
“Putini llogarit në një zhvendosje të elektoratit evropian dhe në faktin se partitë e djathta do të mbështesin ndërprerjen e ndihmës për Ukrainën. Ai është gjithashtu i gatshëm të përdorë jo vetëm korrupsionin, por edhe propagandën dhe masat shtrënguese në strategjinë e tij të luftës hibride për të arritur këto objektiva. Kjo nuk është thjesht diçka për të cilën flitet në Kremlin; hapa konkretë tashmë janë ndërmarrë.”
/Corriere della Sera