Atentati në Laç/ Ilir Gjini u qëllua me 7 plumba sapo zbriti nga makina! Autori Emiljan *Artur( Suti në kërkim, banonte në të njëjtën lagje me viktimën

Kronike

Publikuar: 10/07/2026

Atentati në Laç/ Ilir Gjini u qëllua me 7 plumba sapo zbriti nga makina! Autori Emiljan *Artur( Suti në kërkim, banonte në të njëjtën lagje me viktimën

Detaje të reja janë mësuar nga vrasja e mbrëmjes të së enjtes në lagjen “Erdogan” në Laç ku mbeti i vrarë Ilir Gjini, rreth 40 vjeç.

Sipas burimeve, viktima që njihej gjithashtu me 3 mbiemra të tjerë, Kokaj, Lika e Nure, është qëlluar me shtatë plumba. Policia ka arritur të identifikojë dhe shpallë në kërkim autorin e dyshuar, Emiljan Suti, alias Artur Suti. Ai ka hapur zjarr menjëherë pasi 40-vjeçari kishte parkuar automjetin e tij, ndërsa ai po i drejtohej hyrjes së pallatit ku banonte. Edhe pse ka tentuar të largohet, Gjini është ndjekur dhe qëlluar sërish pranë hyrjes së godinës. Sipas të dhënave, viktima dhe autori banonin në të njëjtën lagje. Ai ndërroi jetë gjatë transportimit në spital pasi nuk u mbijetoi plagëve të marra

Viktima ishte me origjinë nga Miloti dhe banonte në Laç. E kaluara e tij mbetet ende objekt verifikimi nga hetuesit.

Dyshimet e para lidhen me qëndrimin e tij jashtë vendit, ndërsa ekspertët po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e motiveve të këtij atentati.

Njoftimi i policisë:

Zbardhet dhe dokumentohet autorësia e vrasjes së kryer mbrëmjen e djeshme, në Kurbin.

Identifikohet autori kryesor i dyshuar i krimit, një 40-vjeçar me precedent të theksuar kriminal, brenda dhe jashtë vendit.

Vijojnë kontrollet intensive për kapjen e tij.

Si rezultat i hetimeve intensive dhe profesionale, të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga ekspertë të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Komisariatit të Policisë Kurbin, nën drejtimin e Prokurorisë, menjëherë pas vrasjes me armë zjarri të shtetasit I. Gj., alias I. L., alias I. K., alias I. N., rreth orës 22:10 të datës 09.07.2026, në Kurbin, u bë i mundur identifikimi i autorit kryesor të dyshuar të këtij krimi.

Konkretisht, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi E. S., alias A. S., 40 vjeç, banues në Laç.

Nga verifikimet rezultoi se 40-vjeçari ishte dënuar më parë me 5 vjet burgim për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”, si dhe ka precedent penal për armëmbajtje pa leje. Gjithashtu, rezulton i arrestuar në Belgjikë për vjedhje.

Për kapjen e 40-vjeçarit, në ndihmë të Policisë vendore janë angazhuar edhe shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër. Kontrollet vijojnë intensivisht.

Ndërkaq, hetimet vazhdojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe ndalimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.