Policia e Kurbinit ka zbardhur detaje nga atentati me armë që ndodhi mbrëmë në këtë qytet, ku shënjestër e sulmit mbeti 40-vjeçari Ilir Gjini. Gazetarja Xhensila Kodra raporton për BalkanWeb se Gjini kishte dhe tre mbiemra të tjerë, alias Lika, alias Kokaj, alias Nure.
Kurbin / Informacion paraprak
Rreth orës 22:10, në qytetin e Kurbinit, është qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit I.Gj alias I. L., alias I.K, alias I. N, rreth 40 vjeç. Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, por ka humbur jetën gjatë transportimit.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Ndërkohë, është ngritur grupi i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.