Avokati i një prej 21 protestuesve të arrestuar, që kanë dalë para Gjykatës së Tiranës për vlerësimin e masës së sigurisë, thotë se shqyrtimi ka përfunduar dhe gjykata është tërhequr për të marrë vendimin, që ende nuk dihet se kur mund ta shpallë.
“Sapo u përmbyll me sukses çështja që është në shqyrtim për masën e sigurimit personal për të arrestuarit në protestë. Është konstatuar nga ana e avokatëve paligjshmëria e arrestimit në flagrancë dhe mosvendosja e sigurimit për këta persona. Gjykata në këto momente është tërhequr në dhomën e këshillimit për të caktuar masat e sigurisë dhe për arrestin në flagrancë”, tha avokati.
Avokati tha se Prokuroria ka ulur sërish numrin e të arrestuarve për të cilët kërkon arrest në burg, me arsyetimin se njëri prej tre protestuesve, për të cilët u kërkua ajo masë sigurimi personal, ka fëmijë të sëmurë në shtëpi dhe duhet të kujdeset për ta. Me shumë gjasë, protestuesi në fjalë mund të jetë Altin Hila, i cili në ditën që u arrestua u dëgjua duke thënë: “Ka ikur nusja në punë, 2 kalamajtë e vegjël janë vetëm te shtëpia, ju lutem, spitali i Durrësit, shkoni te fëmija, unë nuk kam problem, rri sa të duash në burg, po fëmija mos të vdesë.”
“Vetëm për 2 persona është kërkuar masa shtrënguese ‘arrest në burg’, për njërin ‘arrest në shtëpi'”, është kërkesa e prokurorëve, sipas avokatit.