Shërbimi Informativ Shtetëror, në bashkëpunim me shërbimet partnere, sidomos atë izraelit, po dokumentojnë dhe monitorojnë organizime dhe lëvizje të organizatorëve të protestës, veprimtari e cila duket se cënon rendin kushtetues, duke tentuar minimin e formës demokratike të qeverisjes së Shqipërisë. Teksa protesta për rrëzimin e qeverisë, në javën e katërt dhe pestë, ka ardhur duke zvogëluar dhe kaluar në akte dhune, grupi kordinues po tenton formimin e një Kuvendi Kombëtar Qytetar, Kuvend i Revolucionit të Flamingove, strukturë paralele me Kuvendin e Shqipërisë.
Edhe pse pa bazë ligjore dhe virtual, Kuvendit të Revolucionit i janë bashkuar rreth mbi 700 kandidatë, mbështetës dhe pjesëmarrës në protestat kundër qeverisë dhe sistemit politik. Në grupin e Whatsapp të hapur nga njëri prej anëtarëve të grupit kordinator, Përparim Gjeka, disa nga kandidatët për t’u bërë pjesë e Kuvendit Kombëtar kanë publikuar edhe CV të aktivitetit të tyre politik dhe profesional.
Kuvendi të përbëhet nga 150 anëtarë në përbërjen e tij të rregullt dhe deri në 300 anëtarë në përbërjen e zgjeruar, ku do të përfshihen edhe përfaqësues nga diaspora. Ky organ do të ketë kompetencë të propozojë emrat e qeverisë teknike tranzitore dhe të koordinojë veprimet e protestës. Mbetet e paqartë se si do të zgjidhen anëtarët e Kuvendit Kombëtar Qytetar, nëse do të bëhen automatikisht anëtar vetëm duke u bërë pjesë e grupit të Whatsapp-it, nëse do të filtrohen nga Gjeka apo do t’ë ngrihet ndonjë strukturë tjetër për përzgjedhjen.
Deri në këtë fazë, shërbimi izraelit dhe SHISH kanë identifikuar çdo person, i cili është bërë pjesë e këtij organizimi pa asnjë bazë ligjore, as si shoqatë, as si fondacion, as parti politike etj. Po analizohet profili i kandidatëve, ndërsa grupi organizator është nën monitorim për hapa të tjerë, për shkak të dyshimeve për ndonjë tentativë për komplot ndaj shtetit. Mbetet për t’u parë nëse do të kemi hetime nga Policia e Shtetit dhe angazhimin e organit të akuzës për vepra të mundshme penale që cënojnë rendin kushtetues.





















