Arkivoli në tubim, Lamallari: S’mund të përdoret si dekor proteste, sidomos në sy të fëmijëve! Braçe: Shqipëria e re me këtë pamje është ekstremiste

Politikë

Publikuar: 05/07/2026

Arkivoli në tubim, Lamallari: S’mund të përdoret si dekor proteste, sidomos në sy të fëmijëve! Braçe: Shqipëria e re me këtë pamje është ekstremiste

Shfaqja e një arkivoli gjatë protestës së zhvilluar dje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka shkaktuar reagime të ashpra nga përfaqësues të mazhorancës. Protestuesit e cilësuan simbolin si “arkivoli politik i Ramës”, ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, dhe deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, e dënuan ashpër këtë veprim.

Ministri Lamallari e konsideroi të papranueshme përdorimin e simboleve të vdekjes në një protestë, duke e cilësuar arkivolin si një akt që nxit urrejtje dhe përçarje.

“Pamjet e arkivolit që shëtiste sot në bulevard janë të neveritshme. As si pankartë, as si dekor proteste apo për humor të zi nuk mund të përdoret kurrsesi. Për më tepër në sy të fëmijëve. Të tentosh të ndezësh qytetarët me simbolet e vdekjes është mjerim i madh politik e shpirtëror. Të përdorësh simbolet e vdekjes për këdoqoftë nuk është më protestë, por një përpjekje e ulët për të krijuar ndasi dhe helmuar shoqërinë me gjuhën e urrejtjes. Shqiptarët nuk ua kanë borxh ritualet mortore në sheshe. Nuk është kjo kultura jonë, as tradita e të parëve tanë dhe as Shqipëria që duam t’u lëmë fëmijëve”, shkroi Lamallari.

Në të njëjtën linjë reagoi edhe deputeti socialist Erion Braçe, i cili e cilësoi pamjen e arkivolit si simbol të një ekstremizmi të papranueshëm.

“Neeeeveeeeriiiiiii! Shqipëria e re me këtë pamje është ekstremiste, e turpshme, e papranueshme. Dhe mos u mundoni ta justifikoni; arkivoli nuk është poezi. Arkivoli këtu e kudo, në çdo vend dhe për çdo popull, ka vetëm një funksion e një kuptim – vdekje. Kjo që shoh është përtej urrejtjes, është qëllimi i ekstremizmit të dhunshëm që po dominon prej ditësh këtë vend. Demokracia liberale e Evropës ku jetojmë, ku po negociojmë e plotësojmë kushtet e saj, nuk ka lidhje me këtë ndyrësi ekstremiste. Refuzojeni! Nuk mund të jetë kjo e ardhmja e këtij vendi”, shkroi Braçe në rrjetet sociale.

Arkivoli ishte një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendje gjatë protestës së djeshme, ndërsa protestuesit e cilësuan atë si “arkivoli politik i Ramës”, duke e paraqitur si një simbol politik në shenjë kundërshtimi ndaj kryeministrit.