Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka reaguar pas akuzave të avokatit Gentian Serjani, i cili pretendon se një protestues i ndaluar në Komisariatin nr. 3 është dhunuar nga Policia dhe nuk ka marrë trajtim të duhur mjekësor pavarësisht se vuan nga epilepsia.
Lamallari i ka cilësuar këto deklarata si “të pabaza dhe të pavërteta”, duke theksuar se Policia e Shtetit ka mohuar çdo pretendim për dhunë gjatë shoqërimit të të ndaluarit. Sipas ministrit, edhe institucionet mbikëqyrëse kanë nisur verifikime mbi rastin.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka hapur një procedurë verifikimi dhe po administron informacionin e nevojshëm për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë, sipas Lamallarit, edhe Avokati i Popullit ka kryer vizita dhe nuk ka raportuar problematika të lidhura me dhunë apo trajtim të papërshtatshëm.
Ministri paralajmëroi se nëse verifikimet e AMP konfirmojnë që pretendimet nuk qëndrojnë, atëherë Policia e Shtetit do të ndjekë hapa ligjorë ndaj deklarimeve të bëra publikisht, përfshirë referimin në prokurori dhe në Dhomën e Avokatisë për vlerësim etik-profesional të avokatit.
Nga ana tjetër, avokati i Niko Qarkajt, një prej të ndaluarve gjatë protestave pranë Kuvendit, ka deklaruar se klienti i tij është në gjendje të rënduar shëndetësore, me kriza të përsëritura epileptike dhe në grevë urie që nga momenti i arrestimit.
Ai pretendon gjithashtu se gjatë shoqërimit ka pasur shenja dhune dhe se i ndaluari nuk ka marrë ndihmën e duhur mjekësore.
Sipas Serjanit, janë dorëzuar kërkesa zyrtare për ndryshimin e masës së sigurisë dhe janë njoftuar institucione të pavarura, por pa reagim të menjëhershëm. Hetimet dhe verifikimet për rastin vijojnë nga institucionet përkatëse.