Organizatorët e protestës kanë mbledhur në fshehtësi në Hotel Tirana të ashtuquajturin Kuvendin e Flamingove, në përpjekje për të ngritur dhe konstituuar organet paralele me Kuvendin e Shqipërisë dhe qeverinë Rama. Mbledhja ilegale ka ardhur pas krijimit të disa grupeve në WhatsApp, ku bëhen plane për ngritjen e Kuvendit Kombëtar Qytetar, bazuar në disa platforma dhe manifeste sa groteske aq edhe të paligjshme.
I pari që njoftoi për mbledhjen, vetëm pasi ajo kishte përfunduar, ishte Klajdi Bello, i cili publikoi në Facebook edhe fotografi nga takimi. Mbledhja sekrete te Hotel Tirana mësohet se është monitoruar nga shërbimet partnere dhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Shërbimet dhe struktura të policisë kanë zbardhur të plotë diskutimet e kësaj mbledhje, fshehtësia e të cilit e bën edhe më të dyshimtë dhe mosbesues këtë organizim.
Gjatë mbledhjes, disa nga të pranishmit kanë shprehur edhe shqetësimin se ata po monitoroheshin për veprimtari të paligjshme nga shërbimi sekret izraelit dhe SHISH. Njëri prej tyre ka vënë në dukje edhe dekonspirimin e pjesëmarrësve në grupet e WhatsApp-it, duke ngritur dyshimet se organet ligjzbatuese kanë infiltruar persona në mesin e tyre. Referuar diskutimeve, paranoja për përgjime nga shërbimi izraelit theksohet më shumë nga përfaqësues të Partisë Demokratike, të infiltruar nga Sali Berisha.

Më tej diskutimet fokusohen tek mënyra e organizimit të protestës, duke e vënë theksin tek aktivizimin e njerëzve nëpër rrethe, diasporës dhe studentëve. Propozohet gjithashtu që të ngrihen struktura organizative në të gjithë vendin. Gjatë mbledhjes së fshehtë është propozuar për të caktuar persona për marrëdhëniet me median dhe marrëdhënien me ambasadat.

Ndërkaq, bazuar në dokumentimin e këtyre organizimeve të paligjshme, Policia e Shtetit pritet të referojë në SPAK një dosje për cënim të rendit kushtetues dhe komplot ndaj shtetit. Ndërkaq, nga ana tjetër, qeveria po përgatit një plan veprimi për të adresuar të gjitha problematikat dhe shqetësimet e asaj që pushteti e konsideron pjesa e shëndoshë e protestës.