Psikologjia e turmës – Kur emocioni kolektiv sfidon arsyen

Analizë

Publikuar: 01/07/2026

Psikologjia e turmës – Kur emocioni kolektiv sfidon arsyen

Nga Ilir Demalia 


Historia e njerëzimit është edhe historia e turmave. Asnjë ndryshim i madh politik apo shoqëror nuk ka ndodhur pa to. Turmat kanë rrëzuar tirani, kanë mbrojtur lirinë, por kanë ndezur edhe luftëra, revolucione të përgjakshme dhe spastrimet më të errëta të historisë. Paradoksi është se turma nuk është as e mirë dhe as e keqe në vetvete. Ajo është një forcë. Drejtimi që merr varet nga ndërgjegjja që e udhëheq.

Gustave Le Bon, në veprën e tij mbi psikologjinë e turmave, argumentonte se individi, sapo bëhet pjesë e një mase, humbet një pjesë të identitetit kritik. Ai nuk mendon më si “unë”, por si “ne”. Në atë çast, emocionet përhapen më shpejt se argumentet dhe pasioni fiton terren ndaj arsyes. Turma nuk arsyeton; ajo reagon.

Edhe Friedrich Schiller e përshkruan këtë dukuri me një fjali që mbetet aktuale:

“Turma e konverton individin nga një qenie të vetëdijshme dhe të arsyeshme në një qenie të trashë; për budallallëkun e secilës, edhe vetë perënditë debatojnë kot së koti.”

Ky nuk është një sulm ndaj popullit, por një paralajmërim se mendja kritike është e brishtë kur përballet me emocionin kolektiv.

Edhe José Ortega y Gasset, në analizën e tij mbi njeriun-masë, vëren se rreziku nuk lind nga fakti që njerëzit bashkohen, por kur masa fillon të besojë se numri i saj e zëvendëson të vërtetën. Demokracia jeton nga shumica, por e vërteta nuk përcaktohet me numërim duarsh. Historia është plot me shumica që kanë gabuar.

Hannah Arendt shkon edhe më tej. Ajo argumenton se shkatërrimi i hapësirës së mendimit kritik krijon kushtet që njerëzit të ndjekin verbërisht narrativat dominuese. Për Arendt-in, rreziku më i madh nuk është zemërimi i turmës, por dorëzimi i gjykimit individual.

Në këtë prizëm filozofik mund të shihet edhe protesta “Flamingo” në Tiranë. Si çdo protestë, ajo përfaqëson ushtrimin e një të drejte themelore demokratike. Pakënaqësia qytetare është pjesë e shëndetit të një demokracie. Por analiza filozofike nuk ndalet te e drejta për të protestuar. Ajo pyet: si kanalizohet ajo energji dhe çfarë synimi ka?

Kur zemërimi qytetar mbështetet mbi fakte, mbi kërkesa të qarta dhe mbi përgjegjësi publike, ai mund të bëhet motor ndryshimi. Por kur zemërimi ushqehet nga manipulimi, nga dezinformimi ose nga logjika e hakmarrjes, ai mund të shndërrohet në forcë shkatërruese. Historia na kujton se shumë popuj nuk janë rrënuar vetëm nga tiranët, por edhe nga momentet kur emocionet kolektive kanë zëvendësuar arsyen.

Këtu qëndron dallimi mes revolucionit moral dhe shpërthimit emocional. Revolucioni moral ndërton institucione. Shpërthimi emocional rrëzon gjithçka pa ditur çfarë do të ndërtojë më pas.

Friedrich Nietzsche shkruante se ai që lufton përbindëshat duhet të ketë kujdes të mos bëhet vetë një i tillë. Kjo është ndoshta sentenca më e vlefshme për çdo turmë: në përpjekjen për të luftuar padrejtësinë, të mos përvetësojë metodat e saj.

Prandaj, forca e një proteste nuk matet me zërin e thirrjeve, me numrin e pjesëmarrësve apo me intensitetin e zemërimit. Ajo matet me aftësinë për të ruajtur arsyen edhe në kulmin e emocionit.

Një qytetar që mendon kritikisht është më i vlefshëm për demokracinë sesa një mijë njerëz që ndjekin verbërisht njëri-tjetrin. Demokracia nuk ka nevojë për turma që besojnë gjithçka; ajo ka nevojë për individë që pyesin, analizojnë dhe mbajnë përgjegjësi.

Sepse, në fund të fundit, historia nuk i gjykon turmat nga zemërimi me të cilin u ngritën, por nga ajo që lanë pas: më shumë liri apo më shumë rrënoja.