Kreu i LZHK Dashamir Shehi, ndonëse e konsideroi pozitive përfshirjen e grave dhe të rinjve në strukturat drejtuese të PD-së, theksoi se ky nuk duhet të shitet si rinovim.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Shehi vuri në dukje pushtetin e Berishës brenda selisë blu, dhe faktin që nuk respektohet kontributi dhe karriera politike në garë.
Po ashtu Shehi theksoi se protestuesit kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës që bëri Rama dhe Berisha në 2008-ën, dhe zhbërjen e ligjit Zgjedhor, kërkesa që nuk i artikulon kryedemokrati.
“Kanë zgjedhur disa të rinj, disa goca, gra, mirë kanë bërë për mua. Jo se do bëjnë ndonjë gjë, atje është Berisha dhe janë 100 vende bosh. Shpresa është që duke qenë të rinj, inshallah s’kanë edhe ngarkesa në kurriz, me shpresë që do t’i japin një vrull, do hapin politikën brenda partisë. Të kenë mundësi t’i thonë kryetarit: Ndalo se kjo s’duhet bërë kështu. Por s’duhet të krijojmë idenë e rreme se do ndryshojë politika se janë zgjedhur disa të rinj. Atje është po Berisha vetë. Disa principe prapë s’janë respektuar. Ai thotë kemi dy gra për kryetare këshilli, por ky është një pozicion që mbërrihet me karrierë dhe kontribut politik. Është një lloj dekori, ku duhet edhe artisti, edhe arkitekti, i riu. Por politikisht janë bosh, s’kanë substancë politike, substancë ka ai që ka rritur shkallët me kontribut“, u shpreh kreu i LZHK.
“Që tani unë e paragjykoj, por gjithësesi prapë them është mirë që janë disa fytyra të reja. Avantazhi i këtyre është që s’kanë ngarkesë në shpinë. E quaj pozitive nga kjo pikëpamje, por të ma shesësh këtë sikur ky është rinovimi, jo. Tha Berisha ato duan ato që kërkojmë ne, qeveri teknike, etj. Jo, ato (protestuesit) kërkojnë edhe disa gjëra që s’i vjen mirë Berishës, kërkojnë të ndryshohet Kushtetuta, që e ka bërë Berisha me Ramën në 2008-ën, kërkojnë të ndryshohet Ligji Zgjedhor. Atë s’e thotë ai (Berisha). E quaj pozitive që e ka kuptuar që kësaj mos i dil kundër se do humbësh edhe tabanin popullor“, tha Shehi. (A2 Televizion)