Autoritetet franceze dhe ato të Monakos po hetojnë motivet e atentatit me bombë ndaj biznesmenit ukrainas Vadim Ermolaev, ndërsa po shqyrtohen dy pista kryesore hetimore.
Një sulm i paprecedentë tronditi Principatën e Monakos mbrëmjen e 29 qershorit, duke goditur një nga zonat më të sigurta të Côte d’Azur. Një person ende i paidentifikuar dyshohet se tentoi të vriste biznesmenin ukrainas Vadim Ermolaev, duke vendosur një mjet shpërthyes artizanal të mbushur me vida dhe copëza metali, me synimin për të rritur fuqinë shkatërruese.
Biznesmeni 58-vjeçar dhe partnerja e tij mbetën të plagosur rëndë dhe u transportuan në gjendje kritike në Spitalin Pasteur në Nicë. Djali i tij 13-vjeçar u dërgua për trajtim në Spitalin Pediatrik Lenval, pasi pësoi lëndime nga shpërthimi.
Kryeministri i Monakos, Christophe Mirmand, e cilësoi ngjarjen si një incident kriminal të paprecedentë për principatën. Ndërkohë, policia e Monakos dhe ajo franceze kanë nisur një operacion të përbashkët për identifikimin dhe arrestimin e autorit.
Vadim Ermolaev, i lindur në vitin 1968 në rajonin e Dnipros, renditej i 23-ti në listën e Forbes për ukrainasit më të pasur. Pasurinë e tij e ndërtoi kryesisht në industrinë e pijeve alkoolike dhe sektorin e ndërtimit.
Ai u largua nga Ukraina pas nisjes së luftës. Më herët, emri i tij ishte lidhur me bankën estoneze Versobank, së cilës iu hoq licenca në vitin 2018 për shkelje të rregullave kundër pastrimit të parave.
Në vitin 2023, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vendosi sanksione ndaj Ermolaev, me pretendimin se ai kishte riregjistruar bizneset e tij në Krime sipas legjislacionit rus pas aneksimit të gadishullit.
Ky zhvillim ka nxitur spekulime edhe për motive politike. Kryetari i bashkisë së Fréjus, David Rachline, anëtar i partisë së Marine Le Pen, hodhi publikisht hipotezën se sulmi mund të lidhej me konfliktet e biznesmenit me autoritetet ukrainase. Megjithatë, deri tani nuk ka prova që mbështesin këtë pretendim.
Një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me aktivitetet e djalit të biznesmenit, Artur Ermolaev.

Ish-president i Federatës Ukrainase të Esporteve, ai akuzohet se kontrollonte një rrjet qendrash telefonike të njohura si “Cosmo”, të cilat, sipas autoriteteve, mashtronin qytetarë të Bashkimit Evropian përmes skemave të rreme të investimeve.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Vadim Ermolaev ishte pronar i ndërtesave ku zhvilloheshin këto aktivitete.
Në fund të vitit të kaluar, Artur Ermolaev u arrestua në Qipro në bazë të një urdhër-arresti të Interpolit dhe u ekstradua në Estoni, ku u akuzua për mashtrime me vlerë mbi 100 milionë euro.
Në maj të vitit 2026, ai arriti një marrëveshje me prokurorinë, pagoi 8.5 milionë euro kompensim dhe u lirua me një dënim me kusht, si edhe me ndalim hyrjeje në Estoni. Prokurori estonez Jürgen Huva deklaroi se shuma e paguar tejkalonte dëmin e shkaktuar ndaj viktimave estoneze.
Megjithëse nuk ka prova që e lidhin drejtpërdrejt këtë çështje me atentatin në Monako, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që sulmi të lidhet me konflikte brenda rrjeteve kriminale të mashtrimeve telefonike.
Pista e dytë lidhet me interesat ekonomike rreth pasurisë së Ermolaev në Ukrainë.
Pas vendosjes së sanksioneve në vitin 2023, asetet e biznesmenit u ngrinë, duke hapur rrugën për mosmarrëveshje mbi kontrollin e kompanive të tij.
Familja Ermolaev zotëronte disa prej bizneseve më të mëdha në rajonin e Dnipros, përfshirë kompaninë e ndërtimit Alef Estate, fabrika të materialeve të ndërtimit, ndërmarrje të përpunimit të granitit dhe kompani bujqësore.
Për të shmangur konfiskimin e pronës, biznesmeni kishte nisur transferimin e aksioneve te persona të afërt, përfshirë vajzën e tij, Sofia Kononenko.
Sipas analistëve, mosmarrëveshjet për kontrollin e këtyre aseteve mund të kenë krijuar tensione të forta mes ish-partnerëve të biznesit, konkurrentëve dhe zyrtarëve shtetërorë.
Atentati ka shkaktuar shqetësim të madh edhe në Monako, e konsideruar prej kohësh si një nga vendet më të sigurta për njerëzit me pasuri të mëdha.
Biznesmeni dhe drejtuesi i medias ukrainase, Walid Arfus, deklaroi se fakti që një sulmues arriti të vendoste një bombë në zemër të principatës dëmton rëndë imazhin e sigurisë së Monakos. Sipas tij, ngjarja mund të çojë në kontrolle më të rrepta financiare dhe administrative ndaj shtetasve ukrainas me pasuri në Côte d’Azur.
Top Channel